Një pandemi dhe shumë gabime të ekspertëve

Postuar në 17 Janar, 2021 21:24

Të kthehemi pak pas në kohë e të kujtojmë se çfarë na thuhej në fillimet e pandemisë. Mbani maska, lani duart, ruani distancat, mos dilni, mbani doreza…Nga i gjithë ky repertor shohim se mbijetoi vetëm Maska. E cila mbron normalisht edhe ndaj pluhurave, apo ndotjeve të tjera, përveçse kryen funksionet e barrierës virale.

Nuk është problemi te apeli për këto masa kur ato këshillohen. Problemi është kur ato bëhen pjesë e masave të detyrueshme duke imponuar një regjim jetese dhe sjelljeje që ka pasoja. Aktet në vetvete udhëhiqen teorikisht nga e mira e përgjithshme. Por në përgjithësi ato merren mbi bazë përvoje kur duan të rregullojnë diçka dhe ekspertësh kur synojnë të kontrollojnë diçka tjetër.

Në rastin e pandemisë së CoVid-19 ne u bëmë pjesë e një eksperimenti global që është në fakt dështim tërësor i masave të improvizuara nga ekspertë, specialistë dhe menaxherë të ndryshëm.

Nga thyerja e karantinës dhe kërcënimi me burg, sot jemi në kushtet kur jeta është rikthyer thuajse aty ku ishte në kuptimin e regjimit të lëvizjes. E megjithatë qeveritë dhe institucionet nuk heqin dorë nga vendimmarrja mbi ekspertizën, e cila është vënë seriozisht në dyshim gjithë këto kohë.

Të kujtojmë debatin për antitrupat: deklarohet se zgjasin 6 muaj. Disa thonë 5, pastaj të tjerë 8. Ka shembuj konkretë që antitrupat janë të pranishëm edhe 11 muaj pas infeksionit. Shembuj të tillë të bëjnë të dyshosh për saktësinë e diagnozës së përgjithshme mbi pandeminë dhe vetë sëmundjen.

Sot që flasim ka debate mbi vaksinën, pasojat e saj dhe ndikimet anësore. Por sikur këto të gjitha t’i quajmë të pranueshme dhe të justifikueshme sepse kemi të bëjmë me një sëmundje infektive të re mbi të cilën tani vlen çdo opinion përpara sesa të sqarohet çdo gjë, një gjë është fare e pakuptueshme: parashikimi global se CoVid-19 do të mbivendosej me virozat stinore. Nga pikëpamja evolutive dhe e seleksionit natyral, speciet nuk para mbivendosen, por mënjanojnë njëra-tjetrën. Në këtë kuptim parashikimi për mbivendosjen e virozave nuk ka të bëjë me interpretimin e një sëmundjeje të re, por me një parim ndoshta të biologjisë. E kundërta u provua thuajse kudo. Edhe sot epidemiologu Ilir Alimehmeti deklaronte për MCN Tv se gripi në Shqipëri është thuajse inekzistent. Arsyeja: Dominon CoVid-19.

Ç’do të thotë dominon CoVid-19? Do të thotë se viruset stinore nuk mund të veprojnë për t’u shumuar në trupin e njeriut në kushtet e veprimit të një visuri të ri që ka shpallur luftë frontale dhe ka aftësinë të provokojë betejën kryesore me imunitetin e njeriut. Apo mos vallë edhe kjo situatë është ccështje e raportimit mediatik?

Atëherë si vallë këta mjekë me një jetë në profesion vunë alarmin se do të kishim mbivendosje virozash? Si duhet të besojmë ne më tutje se garancitë që na jepen nga ata që tundin këmborët e titujve akademikë janë reale? Nuk po flasim për mjekët e këtushëm, por për mjekët kudo në botë që u bënë tanimë përfaqësues të një gënjeshtre dhe paaftësie të domosdoshme në kushtet kur bota mbarë nuk po di më çfarë të besojë dhe kujt t’i besojë. Në fund është natyra që do të vendosë dhe jo mjekësia për fat të keq dhe të mirë. Thjesht ne patëm rastin të shohim dhe prekim me dorë, të jemi pjesë e një eksperimenti që vazhdon të dominuar nga paaftësia, frika, improvizimi dhe recetat banale si dhe mungesa e shërbimeve në disa vende që mendohej se kishin burime të pashtershme.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.