Informbyroja dixhitale: Ajatollahu Po. Trump Jo

Postuar në 09 Janar, 2021 23:17

Senatori i Karolinës së Jugut, Lindsay Graham e ka cilësuar një gabim serioz bllokimin nga platform sociale Twitter, të llogarisë së Presidentit Donald Trump. Përmes një postimi në këtë rrjet, duke ironizuar se edhe ai mund të  bllokohet për atë që po thotë, Graham ka provokuar duke deklaruar se:

Ajatollahu mund të cicërojë. Trump jo

Është një qitje e saktë mbi një vendim që është shumë herë më i rëndë sesa sulmi i disa njerëzve në Capitol Hill. Sepse mekanizmat për të përballur një president të papërgjegjshëm janë përkufizuar përpara sesa të krijoheshin këto platforma, të cilave u jepet një rol themelor për sigurinë kombëtare të një shteti që quhet demokratik.

Vendime të ngjashme dhe krejtësisht atipike për atë që predikon Amerika kanë marrë edhe Google dhe Apple që kanë nxjerrë nga shfaqja në Store-n e tyre të Parler, platform sociale Konservative. Është një vendim që ilustron solidaritetin e një të majte që ne në Shqipëri e njohim kaq mirë, është në themel një përjashtim nga Partia më e madhe në botë: MEDIA.

Një vendim që na dëshmon se demokracia është fasada më e madhe e krijuar ndonjëherë në një vend ku në vend se të konkurohet me debat, të diskreditohen tezat e një presidenti si Trump, të mundet pra ai aty ku ka pikën e fortë, kalohet në bllokim.

Është e vështirë të parashikosh pasojat e kësaj që ka ndodhur, por një gjë mund të thuhet me siguri edhe për ata propagandues të vetëshpallur si proamerikanë edhe në këtë fshatin tonë: Kjo nuk ka të bëjë me Amerikën dhe pro apo kundër amerikanizmin. Në fakt këtë mund ta përkufizojmë si simptomën e parë të dukshme të Washingtonizmit të vërtetë - një amerikanizëm burokratësh - të një politike që pas fjalëve të bukura dhe artikulimit të parimeve, vepron me të korruptuarit më të mëdhenj, favorizon çdo serv që refuzon të vërë trurin në punë dhe çdokënd që është gati të flasë përmendësh atë që i thonë. I kemi shembujt në Shqipëri.

Në fund të fundit, Donald Trump mund të meritojë burgun, kjo është punë e SHBA. Por për aq sa e kemi ndjekur ai arriti të manipulojë emocionet e një pjese të shoqërisë amerikane të cilës ndoshta i është pështirosur fabula e zakonshme  e ëndrrës amerikane shoqëruar me aperitivin e një buzëqeshjeje prej kopertine, ndërkohë që uashingtonianët kanë manipuluar të gjitha institucionet që do të duhet të këndojnë vetëm një këngë.  

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.