Mandala: Do çojmë ritet arbëreshe në UNESCO, Shqipëria të na mbështesë
Mbi gjashtë shekuj që arbëreshët e Italisë mundohen të mbajnë të gjalla gjuhën, traditat, identitetin e origjinës. Në meritë të kësaj përpjekjeje sa krenare aq edhe të guximshme që meriton të përçohet te brezat më tej, Komitetit Kombëtar Italian të UNESCO-s, i është dorëzuar këtë të hënë nga Fondacioni Universitar “Françeso Solano”, propozimi që ritet arbëreshe “Moti i Madh”, të regjistrohen si Trashëgimi Kulturore Jomateriale e Njerëzimit.
Është një cikël festash që ne i quajmë moti i madh, sipas emërtimit që i ka vënë De Rada kohës kur arbëreshët janë arratisur nga Ballkani dhe kanë gjetur strehim në Itali. Moti i madh tregon edhe festat e pranverës, ato festa që lidhen me ritet fetare që kujtojnë të parët, të vdekurit. Janë rite shumë të lashta që populli shqiptar i ka trashëguar nga kultura indoevropiane, por që për fat të sinkretizmit kanë kaluar edhe në traditën e krishterë dhe që arbëreshët i ruajnë më së miri.
Akademiku Matteo Mandala ka përkrahur dhe ka kontriubuar gjatë kësaj kohe në nismën e udhëhequr nga kolegu i tij albanolog dhe studiuesi arbëresh, Françesco Altimari. Ai shpjegon për “TvT” fazat dhe pritshmëritë që kanë për këtë kërkesë.
E para është që ne kemi filluar procedurat sipas standardeve të UNESCO-s. Është hapi i parë që parashikon paraqitjen e projektit të Komisionit Kombëtar Italian pranë UNESCO-s. Tani do të fillojë shqyrtimi për të parë nëse projekti i plotëson kushtet që kërkon UNESCO. Hapi i dytë është plotësimi i projektit me dokumentacion, video dhe gjthçka që vërteton që ato që kemi përshkruar janë praktika të gjalla. Pritshmëritë i kemi të mëdha sepse projekti është mbështetur.
Ndonëse deri më tani nuk ka munguar mbështetja verbale e Ministrisë së Kulturës, në fazat në vijim, premtimet duhen formalizuar.
Qeveria shqiptare duhet të ndërhyjë në fazën e dytë, kur do të diskutohet projekti për miratim pranë UNESCO-s. Atje ka rolin e saj edhe Shqipëria.
Pas argumenteve të kërkesës dorëzuar të Komisionit të UNESCO-s në Itali, fshihen 30 vite studime të Katedrës së Albanologjisë së Kalabrisë dhe Palermos, ku krahas profesor Mandalas dhe Altimarit, janë edhe studiues të tjerë.
Me meritën e Italisë, për përpjekjet që po bëhen për njohjen dhe ruajtjen e trashëgimisë jomateriale arbëreshe ne UNESCO, Shqipëria është lënë ende në pritje të dorëzimit të dosjeve si “Kcimi i Tropojës” “Xhubleta”, “Eposi i Kreshnikëve”dhe “Rituali i shtegëtimit të bagëtive”.
Profesor Mandala, si autor i disa veprave për arbëreshët, mes të cilave edhe “Arbërishtja në rrjedhë të shekujve” që u vlerësua nga Ministria e Kulturës si vepra më e mirë studimore, shpjegon se si arbëreshët kanë mundur t'i ruajnë ritet për më shumë se 600 vjet.
Për akademikun, kjo nismë do të jetë edhe një shtysë më shumë për brezat e rinj që të ruajnë identitetin e origjinës shqiptare.
Add new comment