Antitrusti në Kinë godet perandorinë e Jack Ma
Qeveria kineze synon të frenojë perandorinë e të teknologjisë që ka ngritur Jack Ma, bashkëthemeluesi i Alibaba dhe një nga njerëzit më të pasur të vendit. Në prag të Krishtlindjes, autoritetet në Pekin urdhëruan një hetim mbi pretendimet për "praktika monopoli" nga gjiganti i shitjes me pakicë Alibaba, ndërsa tani kanë urdhëruar kompaninë e tij të teknologjisë financiare Ant Group të tkurrë operacionet e saj.
Pan Gongsheng, zv.guvernator i bankës qendrore të Kinës, tha se qeverisja korporative e Ant nuk ishte "e shëndoshë" dhe e urdhëroi atë që "të kthehej në origjinë" si ofrues i shërbimeve të pagesave. Pan ka thirrur përfaqësuesit e kompanisë Ant në një takim me rregullatorët në Pekin të shtunën. Sipas mediave, ai është shprehur se Ant duhet të "korrigjojë rreptësisht kreditë e paligjshme, sigurimet dhe veprimtaritë financiare të menaxhimit të pasurisë".
Kjo lëvizje e fundit në betejën e Pekinit kundër Ma - i cili konsiderohej si sipërmarrësi më i madh i Kinës në ditët e sotme derisa doli kundër rregullave të rrepta - reduktoi 8% të vlerës së çmimit të aksioneve të Alibaba në tregtinë në Hong-Kong të hënën. Aksionet e Alibaba kanë humbur më shumë se një të katërtën e vlerës së tyre që nga 24 tetori, kur Ma akuzoi rregullatorët financiarë të Kinës dhe bankat shtetërore se po funksionojnë mbi parimin e “një dyqani pengjesh".
Zyrtarët e Partisë Komuniste Kineze e kundërshtuan këtë pretendim, duke akuzuar kompaninë e Ma-së për shkelje të rregullave dhe ndërhynë për të bllokuar shitjen e aksioneve me vlerë 37 miliardë dollarësh të Ant Group vetëm dy ditë para se marrëveshja të zbatohej në Shanghai dhe Hong-Kong. Goditja e veprimtarive të biznesit të Ma i ka kushtuar atij më shumë se 10 miliardë dollarë nga pasuria e tij dhe e ka ulur në vendin e dytë në listën e njerëzve më të pasur të Kinës me rreth 49 miliardë dollarë, sipas Indeksit të Miliarderëve Bloomberg. Personi më i pasur në Kinë është tani Pony Ma (pa lidhje me Jack Ma), shefi ekzekutiv i firmës rivale të teknologjisë, Tencent.
Analistët dhe ekspertët e politikave thonë se veprimi i Pekinit kundër kompanive të Ma-së ka të ngjarë të jetë shkaktuar nga fjalimi i prerë që ai mbajti në samitin e Bund-it në Shangai në 24 tetor, kur kritikoi rregullat e ashpra dhe dominimin e shtetit të bankave.
"Ne nuk duhet të përdorim të njëjtën mënyrë që përdorim për të menaxhuar një stacion treni, për të rregulluar një aeroport. Ne nuk mund ta rregullojmë të ardhmen me mjetet e djeshme. Është e pamundur që mentaliteti i dyqanit të pengjeve të mbështesë kërkesën financiare të zhvillimit global gjatë 30 viteve të ardhshme", tha Ma, i cili e themeloi kompaninë Alibaba në një apartament me një dhomë gjumi në Kinë 21 vjet më parë.
"Ne duhet t’i përdorim aftësitë tona teknologjike sot dhe të ndërtojmë një sistem krediti të bazuar në të dhëna të mëdha, për të hequr qafe mentalitetin e dyqanit të pengjeve".
Add new comment