Për herë të parë Kosova nuk duartrokiti, por kërkoi diçka në Tiranë

Postuar në 19 Dhjetor, 2020 02:35
Skerdilajd Zaimi

 

Vështirë se gjen dot një rast kur ndaj një zyrtari të lartë të një shteti tjetër të jetë lëshuar një serial shkrimesh dhe sulmesh mediatike, si ky me presidenten në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani. Sulmet kanë autorësi fillestare kampin socialist, posaçërisht kryeministrin Edi Rama, që përfaqëson në kuadër të kësaj vizite një episod kompleksi personal dhe incidenti. Kompleksi sepse mbajti një takim të mbyllur aty ku në raste të tjera ka dashur të përqafohet dhe incidenti kur mungoi në seancën ku zonja Osmani mbajti një fjalë.

Ky lloj sulmi ka dy probleme formale prej nga ku është e vështirë të sqarosh më tej arsyet. Së pari nuk arrin të dallosh nëse gazetarët dhe mediat që e konsideruan praninë e Osmanit në Tiranë si një nga ndëshkimet e Zotit për shqiptarinë mendojnë realisht ashtu, janë të paguar, duan të bien në sy që të paguhen, shërbejnë, analizojnë apo diçka tjetër. Dhe që këtej, nuk është e qartë se cila është arsyeja pse pushteti i Tiranës është kaq i stresuar nga vizita e një politikaneje nga Kosova teksa lëshohet në galopin e goditjeve që e shtyjnë të shesë në opinion interpretime nga më absurdet, të cilat zbardhin kontekst in e një krize duke etiketuar një person.

Vetë përpjekja për ta interpretuar vizitën provon se ajo u trajtua si diçka anormale, tensionuese ndërkohë që kemi të bëjmë me një vizitë zyrtare. E megjthatë nuk kuptohet se çfarë mund të prishë rehatinë e politikës në Tiranë nga kjo vizitë. Zonja Osmani deklaroi në Kuvendin e Shqipërisë qëndrimin kundër ndarjes territoriale të Kosovës, kundër Minishengenit duke kërkuar jo pa ironi "Minishengenin" mes Shqipërisë dhe Kosovës me heqjen e traut "Kastrati" dhe kërkoi miratimin e një rezolute që dënon genocidin serb në Kosovë. Ajo ka bërë këtë apel si shqiptare përpara se të fliste si presidente në detyrë dhe sado kundër linjave politike të Tiranës zyrtare të jetë një gjë e tillë, është e qartë se mund të menaxhohet më mirë në planin formal(dëgjoni p.sh fjalën përmbyllëse të Gramoz Ruçit për ta kuptuar se ku rreh politika e Tiranës). 

Stresi dhe asburditeti i sulmeve arriti deri aty sa të shihte një ndërhyrje të Osmanit në politikën e Tiranës, duke aluduar se kjo po bëhet për zgjedhjet. Mirëpo si mundet të shesësh këtë lloj analize dylekëshe në një vend, politika e të cilit e ka garë sublime një fotografi me presidentë të huaj në prag të zgjedhjeve, turet e lobuara diplomatike dhe kur kemi parë se ka presidentë të huaj që bëjnë deklarata pro njëri kandidat duke ndikuar në segmente të caktuara fetare të shoqërisë?

Ne e kemi të qartë se zonja Osmani nuk ka ndonjë ndikim elektoral në zgjedhjet në Shqipëri, një vend ku temë e ditës është mbijetesa dhe korrupsioni, ndërkohë që z. Rama p.sh ka menaxhuar me mendje të hapur diskutime të tjera më të vështira dhe me qëndrime të kundërta me bashkëbisedues të huaj. Ndaj është e tepër të kërkohet problem aty ku nuk duket se ka.

Nuk ka diskutim se ky kompleks dhe ky stres lidhet me audiencën kosovare që sheh sesi në Tiranë i injorojnë një përfaqësuese të vetën që thotë ato që mendon një pjesë e shoqërisë në të dy anët e kufirit. Sesi në Tiranë po luhet për dikë tjetër që ndohet  larg duke ngushtuar kështu të ashtuquajturën frymë bashkëpunimi dhe vëllazërimi në frymë klani dhe sekti. Dhe e bën këtë  jo për arsye parimore, por për prishje axhendash dhe pse vetë prania e saj konfirmon dhe nxjerr më në pah dështimin më të madh të politikës së jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës. Ajo cenon edhe atë pikë lidhjeje aktuale me Serbinë, jo në funksion të ndonjë tradhëtie, por në funksion të akomodimit të Aleksander Vuçiçit që shihet si partneri që duhet lejuar të manovorojë në Serbi për të mundur të mbajë të hapur ofertën për shqiptarët, apo për disa shqiptarë me probleme, që duket se janë të vetmit që mund ta njohin atë si të pranueshme.

Kjo histori të kujton atë hakërrimin e vjetër të Sali Berishës me Ibrahim Rugovën, që i vihet para sa herë dikujt i duhet të thotë se Berisha nuk është sjellë ndershmërisht me Kosovën. Dhe kjo histori na konfirmon po ashtu se politika aktuale në Tiranë e ka të pamundur, sepse nuk do, nuk di dhe nuk mundet të ketë Zero probleme me Kosovën. Po ai kaos, po ai improvizim, po ato meskinitete gjestesh dhe pseudo intrigash që mbushin CV-në e kësaj qeverie që sa herë duket se fsheh apo luan diçka ngatërrohet me këmbët e veta. Do pranojmë që ta quajmë këtë Shah, vetëm se sa më shumë kalon koha, aq më shumë ngjan se ai po luhet jo me të tjerë, por para pasqyrës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.