Moratorium 6-mujor, Serbia heq dorë nga aktivitetet ushtarake
Serbia ka vendosur të ndërpresë stërvitjet ushtarake me partnerët. Në shtator të këtij viti, këtë moratorium, ish-ministri i Mbrojtjes, e motivoi me “presionin e tmerrshëm dhe të pamerituar nga Bashkimi Evropian”.
“Në periudhën pasuese, ne nuk do të marrim pjesë në asnjë stërvitje apo veprimtari ushtarake, as me NATO-n, as me CSTO-në, as me Rusinë apo ShBA-të, as me Kinën, as me Bashkimin Evropian, as me Lindjen e as Perëndimin. Pjesëmarrja jonë në operacionet paqeruajtëse do të konsiderohet veçmas dhe, sipas nevojës, do të pezullohet”, tha ai.
Vendimi për pezullimin e bashkëpunimit ushtarak ndërkombëtar u mor menjëherë para stërvitjes së përbashkët të parashutistëve rusë, bjellorusë dhe serbë.
Stërvitja u mbajt në një kontekst specifik, në të cilin Rusia i dha mbështetje të plotë presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko pas zgjedhjeve, ndërsa Serbia u bashkua me Deklaratën e BE mbi zgjedhjet presidenciale, e cila deklaroi se qytetarët e Bjellorusisë kishin shprehur dëshirën e tyre për ndryshime demokratike gjatë fushatës zgjedhore, por zgjedhjet nuk kishin qenë të lira dhe as të ndershme.
Analisti ushtarak, Aleksandar Radiç, është shprehur për European Western Balkans (EWB) se me atë stërvitje ushtarake, Rusia synonte t'i siguronte mbështetje Llukashenkos, por natyra e ushtrimeve ndryshoi.
“Në vend të një stërvitje anti-terroriste ku forcat dhe njësitë tona speciale do të stërviteshin për situata reale, thelbi i këtij stërvitja ndryshoi kaq drastikisht sa që numri i pjesëmarrësve nga Serbia u ul në minimum, dhe vetë stërvitja u shndërrua në një demonstrim për zgjidhjen e një konflikti të mundshëm midis NATO-s dhe Bjellorusisë”, shpjegon Radić.
Autoritetet serbe shpjeguan vendimin e tyre mbi pezullimin e bashkëpunimit ushtarak me qëndrimin se kjo ishte mënyra e vetme që Serbia të mbajë neutralitetin e saj ushtarak.
"Vendimi për pezullimin gjashtë-mujor është i paprecedent. Publiku nuk është në dijeni të peshës së një vendimi të tillë. Nuk ka regjime që bashkëpunojnë në këtë mënyrë - duke ndaluar bashkëpunimin. Kjo është poshtëruese për Serbinë dhe Forcat e saj të Armatosura,”, thotë Radić.
Sipas tij, ky vendim e sjell Serbinë në një pozitë ku nuk mund t’i besohet si partner.
“Ushtrimet aktuale u paraprinë nga një seri takimesh planifikimi ku u ra dakord për ushtrimet, dhe pastaj ministri tha që Serbia nuk do të merrte pjesë. Ne po japim mesazhin se jemi të paqëndrueshëm dhe nuk kemi besueshmëri”, thotë Radiç më tej.
Ndërkohë, Zyra e NATO-s në Beograd, në një përgjigje për EWB, thotë se nuk ka planifikuar evente specifike me Serbinë në periudhën vijuese.
"Ne nuk kemi planifikuar ndonjë ngjarje specifike me Serbinë në muajt në vijim, por mbetemi të përkushtuar në partneritetin tonë në interes të stabilitetit dhe sigurisë në rajon", thotë NATO.
Zyra në Beograd thotë se NATO ndihmon Serbinë të zbatojë reformat e forcave të sigurisë dhe institucioneve, përveç të cilave NATO stërvit ushtarë serbë për pjesëmarrje në misionet ndërkombëtare.
Qëkur i është bashkuar programit të Partneritetit për Paqen (PfP) të NATO-s në 2006, Serbia ka kryer më shumë se 150 stërvitje me vendet anëtare. Vitin e kaluar, Forcat e Armatosura Serbe kryen 17 stërvitje ushtarake me vendet e tjera, nga të cilat 13 ishin me anëtarë të NATO-s dhe katër me Rusinë.
Nga ana tjetër, zyrtarët e NATO-s thonë në shumë raste se ata respektojnë vendimin e Serbisë për të zgjedhur marrëveshjet e saj të sigurisë dhe vendet me të cilat ajo bashkëpunon.
Sipas Aleksandar Radić, vendimi për moratoriumim 6-mujor është, ndër të tjera, arsyeja pse Serbia nuk përdori kapacitetet e NATO-s gjatë pandemisë, aksesi në të cilën i është garantuar edhe pse nuk është anëtare.
“Ky është një klub, anëtarët e të cilit janë rreth nesh. Nëse nuk bashkëpunon me këtë organizatë, përjashtohesh nga disa mekanizma të natyrës administrative. Serbia hoqi dorë vullnetarisht nga këto”, thotë Radiç.
“Serbia dhe NATO punuan së bashku për të trajnuar mjekë irakianë ushtarakë, duke mbështetur kështu Forcat e Armatosura të Irakut. Gjithashtu, NATO dhe Serbia punojnë së bashku për të qenë më të përgatitur për t'u përballur me katastrofa të tilla si përmbytjet dhe zjarret në pyje", thuhet në përgjigjen me shkrim.
Add new comment