Eksperimenti “Aurora”, si u shkatërrua një gjenerator 27 ton nga një kod me 30 rreshta
Në një mëngjes të ftohtë në mars 2007, Mike Assante mbërriti në një strukturë të Laboratorit Kombëtar të Idaho 32 milje në perëndim të Idaho Falls, një ndërtesë në mes të një peisazhi të gjerë shkretëtire të mbuluar me dëborë. Ai hyri në një auditor brenda qendrës së vizitorëve, ku ishte mbledhur një turmë e vogël. Grupi përfshinte zyrtarë nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare, Departamenti i Energjisë dhe Korporata Elektrike e Amerikës së Veriut (NERC), drejtues nga një pjesë e shërbimeve elektrike në të gjithë vendin dhe studiues dhe inxhinierë të tjerë të cilët, si Assante, ishin caktuar nga laboratori kombëtar për parandaluar kërcënime të mundshme katastrofike ndaj infrastrukturës kritike amerikane.
Në pjesën e përparme të dhomës ishte një varg monitorësh video dhe burimesh të dhënash, të vendosura përballë me ulëset, si kontrolli i misionit në një lëshim rakete. Ekranet tregonin pamje të drejtpërdrejta nga disa kënde të një gjeneratori masiv të naftës. Makineria ishte me madhësinë e një autobusi shkollor, një masë çeliku e gjelbër gjigante me peshë 27 tonë. Kjo makineri qëndronte një milje larg audiencës në një nënstacion elektrik, duke prodhuar energji elektrike të mjaftueshme për të furnizuar një spital ose një anije detare dhe duke lëshuar një zhurmë konstante.
Assante dhe kolegët e tij studiues të INL e kishin blerë gjeneratorin për 300 000 dollarë nga një fushë nafte në Alaskë. Ata e kishin sjellë në vendin e provës Idaho, një pjesë toke 890 milje katrorë ku laboratori kombëtar mbante një rrjet të konsiderueshëm të energjisë për qëllime testimi, i kompletuar me 61 milje linja transmetimi dhe shtatë nënstacione elektrike.
Nëse Assante do ta kishte bërë punën e tij siç duhet, ata do ta shkatërronin makinerinë. Dhe studiuesit e mbledhur planifikuan të vrisnin atë pjesë të makinerisë shumë të shtrenjtë dhe elastike jo me ndonjë mjet fizik ose armë, por me rreth 140 kilobajt të dhëna, një skedar më i vogël se një GIF mesatar që shpërndahet sot rëndom në Tuiter.
Assante kishte menduar skenare të ndryshme, por njëri e kishte bërë kurioz në veçanti. Po sikur dikush që planifikon një sulm të mos rrëmbejë thjesht sistemet e kontrollit të operatorëve të rrjetit për të lëvizur çelësat dhe për të shkaktuar ndërprerje afatshkurtra, por në vend të kësaj të riprogramojë elementët e automatizuar të rrjetit, përbërës që marin vendimet e tyre në lidhje me operacionet e rrjetit pa u kontrolluar nga njerëzit?
Në veçanti, Assante kishte menduar për një pjesë të pajisjeve të quajtur rele mbrojtëse. Reletë mbrojtëse janë krijuar për të funksionuar si një mekanizëm sigurie për t’u mbrojtur nga kushtet e rrezikshme fizike në sistemet elektrike. Nëse linjat mbinxehen ose një gjenerator del jashtë sinkronizimit, janë reletë mbrojtëse ato që zbulojnë anomalinë dhe shkëpusin vendin e problemit, duke shpëtuar pajisjet, madje duke parandaluar edhe zjarret. Një rele mbrojtëse funksionon si ajo që ne e quajmë salvavita në rrjetin elektrik të shtëpisë.
Por, nëse kjo rele mbrojtëse mund të paralizohet - ose më keq, të manipulohet në mënyrë që të bëhet mjet për planin e një sulmuesi? Këtë skenar, ai dhe kolegët e tij inxhinierë ishin gati të vinin në praktikë. Eksperimentit sekret iu dha një emër-kod që do të bëhej sinonim i potencialit për sulme dixhitale për të shkaktuar pasoja fizike: Aurora. Një rele mbrojtëse e bashkangjitur në atë gjenerator u krijua për të parandaluar lidhjen me pjesën tjetër të sistemit të energjisë pa u sinkronizuar më parë me ritmin 60 herc. Por hakeri i Assante në Idaho Falls sapo e kishte riprogramuar pajisjen mbrojtëse, duke kthyer mbrapsht logjikën e saj. Në 11:33 të mëngjesit dhe 23 sekonda, releja mbrojtëse konstatoi se gjeneratori ishte sinkronizuar në mënyrë perfekte. Por pastaj truri i saj i manipuluar bëri të kundërtën e asaj që duhej të bënte: Bëri një ndërpreje të qarkut për të shkëputur makinerinë.
Kur gjeneratori u shkëput nga qarku më i madh i rrjetit elektrik të Laboratorit Kombëtar të Idaho dhe u çlirua nga barra e ndarjes së energjisë me atë sistem të gjerë, ai menjëherë filloi të përshpejtohej, duke u rrotulluar më shpejt. Sapo releja mbrojtëse vërejti që rrotullimi i gjeneratorit ishte shpejtuar për të qenë plotësisht jashtë sinkronizimit me pjesën tjetër të rrjetit, e lidhi menjëherë atë në makinerinë e rrjetit. Në momentin që gjeneratori i naftës u lidh përsëri me sistemin më të madh, ai u godit me forcën e çdo gjeneratori tjetër në rrjet. E gjithë ajo pajisje tërhoqi masën relativisht të vogël të përbërësve zinxhir të gjeneratorit dizel përsëri në shpejtësinë e saj origjinale, më të ngadaltë për t'u përputhur me frekuencat e fqinjëve.
Në ekranet e qendrës së vizitorëve, audienca e mbledhur shikoi makinerinë gjigante duke u dridhur me dhunshëm. I gjithë procesi që nga momenti kur kodi i manipuluar hyri në lojë deri në dridhjen e parë ishte vetëm një fraksion i sekondës. Pjesë të zeza filluan të fluturonin nga panel i hyrjes në gjenerator, të cilin studiuesit e kishin lënë të hapur. Disa sekonda më vonë, makina u trondit përsëri ndërsa kodi i relesë mbrojtëse përsëriti ciklin e sabotazhit, duke shkëputur makinerinë dhe duke e lidhur përsëri jashtë sinkronizimit. Këtë herë një re tymi gri filloi të dilte nga gjeneratori, ndoshta rezultati i djegies së mbeturinave të gomës brenda tij. Makineria nuk e përballoi një goditje të tretë. Te ata që po e ndiqnin eksperimentin, ra heshtja.
Inxhinierët sapo kishin provuar pa dyshim se hakerat që sulmojnë një kompani elektrike mund të shkojnë përtej një ndërprerje të përkohshme të punës së saj: Ata mund të dëmtojnë pajisjet e saj në mënyrë të parikuperueshme.
"Implikimi ishte që me vetëm disa rreshta kodi, ju mund të krijoni kushte që do të ishin fizikisht të dëmshme për makineritë në të cilat mbështetemi", ishte komenti i Assante-s.
Por Assante kujton gjithashtu se kishte ndjerë diçka më të rëndë në momentet pas eksperimentit Aurora. Ishte një ndjesi që, ashtu si Robert Oppenheimer kur pa testin e parë të bombës atomike në një tjetër laborator kombëtar të SHBA gjashtë dekada më parë, u bë dëshmitar i lindjes së diçkaje historike dhe jashtëzakonisht të fuqishme.
"Ndjeva të më bëhej një gopë në stomak. Ajo ishte si një paraqitje e shkurtër e së ardhmes", e përshkruan ai eksperimentin.
Solli në shqip për ResPublica: Gazmira Sokoli
Burimi: wired.com
Add new comment