Presidenti paralajmëron kontestimin e zgjedhjeve
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka paralajmëruar sot se procesi zgjedhor i 25 prillit në Shqipëri do të ketë probleme serioze dhe kontestime. Përmes një dekreti të vet, Meta ka kthyer për rishqyrtim ligjin “Për Policinë e Shtetit”, në të cilin paraqet disa arsye që kanë vlerë politike për zgjedhjet. Që në hyrje të arsyetimit, Presidenti e lidh procedurën e miratimit të ligjit në Kuvend, me procesin zgjedhor, duke hedhur dyshime mbi atë që e quan roli I Policisë në zgjedhje.
Ajo që bie në sy, është fakti se, referuar Raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Puvlike dhe të Drejtat e Njeriut, nisma e parë nga Këshilli i Ministrave është depozituar në Kuvend që në datën 6 shkurt 2020. Ndërsa propozimi i deputetit Alket Hyseni e që lidhet ekskluzivisht me shtimin e një paragrafi që përcakton rolin e Policisë së Shtetit në procesin zgjedhor, është depozituar vetëm në 22 shtator 2020
thuhet në pjesën arsyetuese të dekretit.
Më poshtë presidenti deklaron se ligji në fjalë:
- Shkel parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke cenuar pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
- Bie ndesh me parime të rëndësishme që qëndrojnë në themelet e shtetit të së drejtës të përcaktuara ngë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, që lidhen me grancitë për ruajtjen e privatësisë;
- Rrezikon ta kthejë Policinë e Shtetit në një organ që gjurmon qytetarët jashtë një procesi penal dhe kontrollit të organeve të drejtësisë, dhe ta vërë nën presionin qeveritar gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor, nën urdhrat e vullnetit politik, duke cenuar edhe pavarësinë operacionale të saj;
- Shkakton trajtim të pabarabartë dhe pasiguri për vendin e punës, për punonjësit e Policisë së Shtetit, duke sanksionuar lëvizjen e tyre në pozicione të tjera, edhe pa miratim paraprak, me pasojë humbjen e përftimeve që kanë prej statusit të veçantë për shkak të detyrës
Këto vlerësime që sqarohen me hollësi njoftojnë se zgjedhjet do të kalojnë në një ballafaqim politik kontestues ku të paktën Presidenti duket se do të jetë njëra palë. Formalisht shumica socialiste i ka numrat për të rivotuar të njëjtin draft, por mosreflektimi i kërkesave të Presidentit, apo të paktën një përgjigje ndaj tyre, do të hapte rrugën e një përplasjeje juridike që merr vlerë sidomos kur në vend nuk funksionon Gjykata Kushtetuese.
Add new comment