Kryeministri këshillon popullin: Privati atë punë ka, po ju shet ilaçe kot
Lexoni se çfarë ka thënë sot kryeministri Edi Rama në Vlorë për menaxhimin e situatës pandemike:
I çmendën njerëzit me teste, por ne kemi ndjekur një politikë të suksesshme. Komiteti Teknik nuk e ka kërkuar testin pozitiv. Një pjesë e madhe e njerëzve shkojnë bëjnë tamponë tek privati. Ne iu themi se nëse nuk je mirë, qëndro në shtëpi, bëj ato që thotë mjeku, s’ke nevojë të bësh tamponin.
Turren të shkojnë të bëjnë tamponë tek privati me kosto marramendëse dhe marrin ilaçe që ose nuk iu bëjnë gjë ose iu bëjnë dëm. Kjo sëmundje nuk erdhi sot, ka muaj dhe çdo kush tani është mësuar me këtë, i di dhe duhet t’i dijë disa gjëra specifike. Disa gjëra bazë.
Dhe pse është sëmundje vdekjeprurëse nuk duhet që direkt ta mbysim veten me antibiotikë. Jo nuk është kështu. Mos dëgjoni të tjerët. Keni mjekun e familjes, se privati atë punë ka të shesë, janë të lidhur me farmacitë, atë duan të shesin ilaçe.
Por jo s’funksionon kështu, bli ilaçe mbytu me to. Kemi rastin e Silva Binos, që nuk iku në Turqi, e kaloi në spital në Tiranë. Pse shkoi aty? Se duke qenë shumë në brendësi të të gjithave, e di shumë mirë që s’ka në Turqi asgjë më shumë se sa ka aty. Dhe të thonë çfarë të duan për mjekët tanë ata janë heronj
Zotëria duket se ngatërron këtu rolin e vet. Sigurisht që disa fjalë nga Kryeministri zënë vend në trutë e disa njerëzve që vetëm ashtu marrin vesh. Por z. Rama nuk është thirrur në skenë dhe qeverisje për mençurinë popullore, as për të bërë shamanin, por për të drejtuar. Termi “Privati” që e përdor me kaq stigmë në këtë rast është autoakuzues në rastin e tij, pasi ky privat vepron në përputhje me ligjet dhe ka disa detyrime për të zbatuar. Dhe atë e kontrollojnë agjencitë e qeverisë. Privati nëse jep trajtime që nuk vijnë në përputhje me protokollet e miratuara duhe gjobitur, hetuar sepse kemi të bëjmë me shëndetin e njerëzve. Nëse ka abuzime vlen e njëjta gjë.
Zoti Rama nuk e bën një gjë të tillë, por bën kryeministrin e kazanit politik e institucional teksa flet pa sjellë asnjë provë, apo fakt. Pra nuk bën as atë që kërkon vetë nga mëngjesi në darkë ndaj mediave. Nëse privati këtë punë ka, po qeveria çfarë pune ka? Nuk dihet nëse ky episod zbulon mendimin e z. Rama për detyrat e veta, apo ashtu thjesht, ka dalë nga vetvetja në valën e gallatës që bën sa herë zhytet mes njerëzisë.
Add new comment