Mediat kryesore shpallin fitoren e Joe Biden në SHBA
Mediat kryesore të Perëndimit kanë shpallur së fundmi fitoren e Joe Biden si presidenti i 46-t i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një orë përpara sesa të arrihej numri i 270 votave në Kolegjin Elektoral, presidenti aktual, Donald Trump postoi në twitter mesazhin se mishte fituar shumë në këto zgjedhje.
Biden ka marrë 273 nga 270 vota që i duhen ndërkohë që Trump arriti në 214.
Në një mesazh pas fitores, kandidatja për zv.presidente, Kamala Harris deklaroi se këto zgjedhje ishin për shpirtin e Amerikës. Ish-kandidati demokrat, Bernie Sanders e ka quajtur fitoren e Biden historike me shpresën se qeveria e re do të punojë për të gjithë.
Nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë me procesin ligjor, por një gjë është e qartë: Amerika është e ndarë dhe Donald Trump, qasja e tij ndaj politikës, kontestimi prej tij i shumë klisheve të establishmentit ka tronditur një pjesë të madhe të Perëndimit. Ai u servir në media si dikush që nuk përkufizohet mirë brenda kufijve të racionalitetit politik, si një injorant, i paparashikueshëm dhe si i papërshtatshëm për autoritetin e Amerikës.
Kjo do të jetë një punë e vështirë për historianët, por si dëshmitarë të kohës sonë, mund të themi se iku një president, ndoshta i vetmi në këto dekada që nuk nisi një luftë. Ndoshta tërheqja nga intervecionizmi duhet të mos injoronte angazhimin ndërkombëtar aktiv të SHBA, por në çdo rast katër vjet mandat të Donald Trump mund të kenë nxitur më shumë reflektim dhe analizë sesa mandate të tëra presidentësh para tij.
Sot shpallet jo vetëm fitorja elektorale e establishmentit, por edhe triumfi i një mënyre të menduari, të cilin jemi mësuar ta dëgjojmë në tamtamet dixhitale të ambasadorëve që na poftisen në derë dhe ky është një mesazh që kapet prej shumëkujt dhe padyshim, është një sinjal lufte nëse Biden dhe ata që janë pas tij nuk arrijnë të riformulojnë konsensusin brenda Amerikës.
Add new comment