Miqtë janë arma sekrete e Amerikës
Miqtë janë arma sekrete e Amerikës
Kjo duket se është deviza e strategjisë së re të SHBA në një botë ku rivaliteti i fuqive të mëdha është rritur. Në një fjalë të mbajtur gjatë një aktiviteti të organizuar nga Këshilli Atlantik, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper ka vënë në dukje rolin e aleatëve në këtë përballje dhe zgjerimin e atij që ai e quajti një rrjet global.
Sipas tij megjithë forcën e tyre dhe kapacitetet e shtuara modernizuese ushtarake, rivalët kryesorë të SHBA, Rusia dhe Kina, sipas Esper nuk kanë më shumë se 10 aleatë realë. Për këtë arsye këto janë shtete që kanë autoritet për shkak të fuqisë, por jo influencë, pasi atyre u mungon partneriteti. Në këtë kuadër ai ka njoftuar nismën e re të quajtur Udhëzim për Zhvillimin e Aleancave dhe Partneritetit(Guidance for Development of Alliances and Partnerships) që konsiston në një qasje gjithëpërfshirëse dhe strategjike në ndërtimin e partneritetit.
Ndërsa në të shkuarën angahzimi ynë ndërkombëtar udhëhiqej nga prioritetet dhe interesat rajonale, sot SHBA përballet në një erë të rivalitetit të fuqive të mëdha që ëhstë globale në natyrën e vet...
ka deklaruar Esper.
Ai ka shtuar se nisma në fjalë do të japë një zgjidhje për unifikimin e zërave politikë të SHBA në raport me partnerët që shpesh nuk i kanë kuptuar mesazhet e Uashingtonit. Esper ka përsëritur se SHBA pret nga aleatët e vet që të shtojë buxhetin e mbrojtjes mbi 2%, por edhe siç theksoi ai:
Të jenë gati, të aftë dhe me vullnetin për t’u dislokuar kur të ketë probleme. Dhe ne kërkojmë prej tyre që të jenë krah për krah me SHBA në përballjen e sjelljes së keqe kineze dhe agresionit rus
Në këmbim të kësaj, sekretari amerikan i Mbrojtjes ka premtuar se SHBA do të ofrojë mjete dhe armatime për të përballur kërcënimet ruse dhe kineze, por edhe përfshirje më të madhe në arsimimin ushtarak në SHBA të studentëve të huaj.
Katër do të jenë përparësitë e Pentagonit në atë që ai e quajti “reforma e eksporteve”: aftësi të shpejta eksportuese për sisteme armatimi kritike; zyrtarizimi i një kuadri elastik për përdorimin e teknologjisë; prioritizimi i vendeve apo kapaciteteve për kapjen dhe mbajtjen e tregjeve kyçe dhe përmirësimi i parashikueshmërisë së kërkesës ndërkombëtare në informimin e investimeve komerciale dhe rritja e kapacitetit industrial.
Po kështu Pentagoni do të ndërmarrë një nsimë për krijimin e një paneli për shitje jashtë në funksion të plotësimit të nevojave ushtarake të partnerëve. Në këtë kuadër, Esper ka shpjeguar se SHBA do të konsiderojë angazhimin e vet strategjik me çdo vend pavarësisht përmasave të tij. Ai ka përmendur p.sh se SHBA po rimendon dislokimin e forcave në funksion të frenimit të Rusisë në Bullgari, Rumani, Poloni apo Balltik.
Vlerësimet e sekretarit amerikan vijnë në një linjë me mendimet e një autori të komentuar së fundmi në qarqet politike dhe ushtarake në SHBA, Christian Brose, në librin e tij: The Kill Chain: Defending America in the Future of High-Tech Warfare.
Në një analizë të gjatë të publikuar mbi këtë libër në “The National Interest”, ish-në sekretari i Mbrojtjes, Dov S. Zakheim, një njeri me përvojë të madhe administrative, vinte në dukje se gjetjet e librit sidomos për aspektin burokratik të Pentagonit janë shumë të goditura dhe janë një mundësi e mirë për të kuptuar ngërçin aktual të ushtrisë amerikane. Fjala është për ecurinë e modernizimit të saj në adotpimin e sistemeve të reja dhe shndërrimin e tyre në pjesë të doktrinës ushtarake. Burokratizimi i Pentagonit ka sjellë shkëputjen e ushtrisë nga të mirat e tregut privat, ka shkëputur lidhjet reale të tij me aleatët, duke e lënë ushtrinë një hap pas vendeve si Rusia dhe Kina.
Nuk është e qartë se çfarë do të thotë realisht kjo strategji në kushtet e një procesi zgjedhor shumë të paqartë, por mesazhi më i mirë që mund të merret prej saj është nevoja për ndryshim dhe përshtatje e SHBA që pasi me gojën e Donald Trump thuajse izoloi NATO-n nga arena ndërkombëtare, sot shpall nismën për aleancë më këdo dhe kudo. Siç mund të shihet edhe në këtë qasje të Esper, NATO përmendet si një ndër instrumentet e strategjisë duke lënë të kuptohet se SHBA e përfytyron përballjen gjeopolitike në këtë shekull jo e kushtëzuar më nga vendimmarrje me të drejtë vetoje.
Add new comment