Erdogan forcon raportet ushtarake me Ukrainën: Turqia nuk do ta njohë kurrë aneksimin e Krimesë
Presidenti turk Reccep Tayyip Erdogan ka bërë një dalje tjetër kundër ndikimit rus në rajonin e Detit të Zi duke forcuar bashkëpunimin ushtarak me Ukrainën. Në Stamboll raportohet se bashkë me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, Erdogan ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit ushtarak, që shkon qartë kundër interesave ruse, një vend që ka aneksuar një pjesë të territorit ukrainas.
Turqia e sheh Ukrainën si një vend kyç për vendosjen e stabilitetit, sigurisë, paqes dhe përparimit në rajon
tha Erdogan.
Lëvizja e Turqisë në këtë drejtim është tipike e një fuqie që do të konkurojë dhe të imponohet, por pa arritur në prishje përfundimtare me rivalin e vet. P.sh Turqia bashkëpunon me Rusinë për disa çështje në Siri apo Libi, por përgjithësisht strategjia turke detare si dhe qasja e saj në konfliktin azero-armen, nuk përputh shumëçka.
Nga ana e vet, Erdogan ka përsëritur se kur vjen puna te Rusia, përtej bashkëpunimit ka edhe çështje që ndajnë.
Turqia nuk e ka njohur aneksimin ilegal të Krimesë dhe nuk do ta bëjë kurrë
ka deklaruar ai.
Mbetet për t’u parë sesi do të akomodohet Perëndimi me ambiciet turke në Mesdhe dhe më gjerë, pasi është e qartë se Turqia e Erdoganit nuk e pranon më kostumin e vjetër të një klienti dhe shteti neutral që thjesht vëzhgon atë që ndodh.
Add new comment