Maskë edhe në rrugë? Jeta është jona, jo e Partisë
Mundësia për ta marrë virusin është më e madhe, ka nisur vjeshta, është rritur numri i rasteve në Shqipëri, por kemi rritje të numrave në Itali, Francë, Greqi. Ne po bëjmë një fazë parapërgatitore, kërkojmë të përdoret maska edhe në mjedise të hapura, personalisht mendoj se duhet mbajtur edhe në natyrë.
Njerëzit janë të papërgjegjshëm, teshtijnë afër teje, edhe në ambient të hapur, në park dikush teshtin para teje duke të vënë në rrezik
Kështu ka argumentuar ndër të tjera epidemologia Rovena Daja masën e maskës së detyrueshme edhe në rrugë. Ngjan e pabesueshme kjo luftë ndaj teshtimës, që në çdo rast nuk ka sesi të jetë luftë e një shteti. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manstirliu ka dalë me një video për të dhënë edhe ajo argumentet e veta.
Të frenojmë virusin, të evitojmë sa mundemi format e rënda në reanimacion dhe fatalitetet. Pavarësisht kapaciteteve spitalore dhe përgatitjes që kemi bërë dhe po bëjmë për t’u përballur me virusin, është jeta e shqiptarëve që ne duhet të mbrojmë, ndaj secili nga ne ka detyra për të përmbushur në këtë betejë. Të ndihmojmë veten dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin, të mbrojmë shëndetin duke vendosur barrierat mbrojtëse
thekson Manastirliu në mesazhin e saj.
Janë dy mesazhe me të vëtetë irrituese të cilat është koha t’i injorosh. Maskë le të mbajë në rrugë dhe në mjedis të hapur ai që dëshiron. Askush tjetër.
Kjo sepse nëse aktualisht kemi rreth 5500 raste aktive, vetëm 246 janë në trajtim spitalor publik dhe vetëm 16 në terapi intensive. Përpara sesa qeveria të deklarojë masat e reja është e udhës të na sqarohet se cilat janë parashikimet e saj për vjeshtën. Kjo ka shumë rëndësi në kushtet kur shohim përherë e më shumë mjekë dhe specialistë të njohur ndërkombëtarisht që na thonë se karantina ishte e gabuar, se masat e marra ecën mbi spekullime.
Ministrja këtu injoron, ose bën sikur harron atë që po ndodh në terren, ku trajtimi i sëmundjes është kthyer në biznes fitimprurës dhe ku shumëkush po ndiqet nga sektori privat.
Nga ana tjetër qeveria po krijon probleme të mëdha me të drejtat dhe përgjegjësinë e vet me aktet administrative për shkollën teksa ndalon që fëmijë me simptoma të ngjashme me CoVid-19 të jenë të pranishëm në mësim. E bën këtë ndërkohë që askush nuk jep diagnozë përfundimtare nëse je prekur apo jo nga CoVid-19, përveç tamponit, i cili bëhet vetëm kur ke simptoma. Po me asimptomatikët si veprohet, si shkëputet zinxhiri i transmetimit?
Qeveria e nallbanëve të Tiranës po bën atë që di të bëjë, shty sa më shumë sanksionin për të shmangur atë që mund të shmanget. Në muajt e parë të pandemisë kjo edhe kuptohej sepse bota mbarë eci në tym, por tani masa të tilla që thjest imitojnë vendime të ngjashme në Europë, por nuk nisen nga ndonjë vlerësim real i situatës, duhen injoruar. Ka një kufi deri ku mund të ndërhyjë shteti, edhe ai i vërteti, lëre më ky shtet bandit, hajdut dhe prostitutë që kemi këtu.
Add new comment