Çfarë i rezervon pandemia botës?

Postuar në 12 Tetor, 2020 13:34
Marco Evers

 

Kanë kaluar vetëm 280 ditë nga viti 2020 dhe aq është edhe mosha e virusit që ka dominuar jetën tonë në muajt e fundit. Megjithatë, ai ia ka dalë të bëjë xhiron e botës shumë herë dhe ka zënë vend në rrugët e frymëmarrjes të të paktën 34 milionë njerëzve.

Koronavirusi, në përmasa sa një e njëqind milionta e milimetrit, vazhdon të përhapet: Për momentin, ka më shumë se 300 000 infeksione të reja në ditë. Dhe kjo shifër ka gjasa të vazhdojë të rritet, veçanërisht në hemisferën veriore pasi temperaturat ulen dhe njerëzit kalojnë më shumë kohë brenda. Këtë vjeshtë dhe dimër, ekspertët presin rritje masive të infeksioneve COVID-19, veçanërisht në Evropë, por edhe në Shtetet e Bashkuara.

Javën e kaluar, virusi kaloi një moment historik. Sipas të dhënave zyrtare të Universitetit “Johns Hopkins”, personi i njëmiliontë ka vdekur nga COVID-19, ndërsa numri i vdekjeve është dyfishuar brenda vetëm tre muajve. Sidoqoftë, duke pasur parasysh që jo çdo viktimë e sëmundjes njihet si e tillë, numri i vërtetë i vdekjeve të lidhura me koronavirusin mund të jetë më i lartë.

Ndërkohë, vdekjet vazhdojnë. Statistikantët mjekësorë në Institutin për Matjet dhe Vlerësimin e Shëndetit (IHME) në Universitetin e Uashingtonit presin që ne (zyrtarisht) t’i kapërcejmë 2 milionë vdekje nga virusi deri në mes të dhjetorit.

Nata e Vitit të Ri do të shënojë një vit nga koha kur Kina vuri në dijeni OBSH-në për rastet e pneumonisë me shkaqe të panjohura. Modeli aktual nga studiuesit e IHME në Seattle parashikon që më shumë se 2.5 milion njerëz në të gjithë botën do të kenë vdekur deri kur të vijë ky përvjetor.

Një pikë e ulët

Në vetëm një vit. Asnjë virus që nga gripi spanjoll i viteve 1918-1919 nuk ka sjellë kaq shumë vuajtje në botë në një kohë kaq të shkurtër. Edhe AIDS-it iu deshën rreth 75 vjet për të arritur një milion të vdekur. Studiuesit besojnë se virusi HIV ishte përhapur që në vitin 1920 nga shimpanzetë te njerëzit, në Afrikën Qendrore perëndimore, por u deshën dekada para se të vihej re.

Si e tillë, në historinë e sëmundjeve infektive, 2020 do të shënojë një pikë të ulët. E parashikuar prej kohësh, humbja e kontrollit mbi kozmosin gjithnjë në ndryshim të baktereve, viruseve dhe kërpudhave duket se po merr formë. Ekspertët e kishin paralajmëruar këtë për vite me radhë dhe OBSH-ja publikoi një raport alarmues në shtator 2019. Por politikanët i injoruan paralajmërimet dhe shifrat që dalin tani janë të frikshme. COVID-19 do të vrasë më shumë njerëz këtë vit se çdo sëmundje tjetër infektive. Nëse statisticienët janë të saktë në parashikimin e tyre për vitin në tërësi, COVID-19 do të vrasë më shumë se trefishin e njerëzve që ka vrarë HIV / AIDS dhe pesë herë më shumë se malarja vitin e kaluar.

COVID-19 nuk është aspak "thjesht një grip i padëmshëm" siç shpresuan fillimisht mjekët dhe siç besojnë ende teoricienët e konspiracionit (domethënë nëse ata besojnë se ka virus).

Megjithatë, vdekjet në total në rang botëror, rreth  1.3 milion në vit, nuk ka gjasa të rezultojnë gati aq vdekjeprurëse sa SARS-CoV-2. Rreth 60 milionë njerëz pritet të vdesin këtë vit nga problemet e e zemrës, kanceri, aksidentet, viruset dhe bakteret - dhe koronavirusi do të jetë fajtori për një nga 25 prej këtyre vdekjeve.

Dhe ky është vetëm fillimi. Pandemia do të marrë fund vetëm pasi virusi të mos ketë më njerëz për të infektuar. Aktualisht, janë më shumë se 7 miliardë njerëz që as nuk janë vaksinuar dhe as nuk i mbijetuan një infeksioni që do t’u zhvillonte imunitetin.

Në kontrast me epidemitë e tjera, këtë herë vdekjet nuk po regjistrohen vetëm në lagje të varfra e periferike të vendeve të varfra me mungesë mjekësh dhe ilaçesh. Po ndodh kudo - në lagje të pasura dhe të klasës punëtore, në ishuj të largët dhe në spitalet më të mira universitare të qyteteve më të pasura në botë.

Të mësosh të jetosh dhe të vdesësh me virusin

Shumë njerëz vdesin larg familjarëve, nën kujdesin e infermierëve të mbështjellë me plastikë për të shmangur infektimin. Në shumë vende, varret janë gërmuar afër njëri-tjetrit dhe të afërmit janë të detyruar të shmangin funeralet siç bëheshin deri para 1 viti.

Është e mundur që do të ketë disa vaksina me efektshmëri të ndryshme dhe se ilaçe të përmirësuara do të jenë në dispozicion. Por megjithëse do të jetë më lehtë të kontrollohet në të ardhmen, virusi ka një “rezervuar” të madh te njerëzit dhe kafshët, çka e bën të pamundur zhdukjen e plotë. Ashtu si viruset e gripit dhe ftohjes, do të jetë një prani e vazhdueshme. Dhe ne do të duhet të mësojmë se si të jetojmë me të dhe të vdesim me të.

Pavarësisht numrit të madh të viktimave, shumë njerëz nuk janë ende të gatshëm të kuptojnë forcën e plotë të pandemisë. Ka shumë arsye për këtë. Përshtypjet e para mund të të gënjejnë. Gjermania ia ka hedhur lehtë deri më tani, me vetëm rreth 9 500 vdekje. Në ndryshim nga vendet e tjera, numri i viktimave që vdesin nga COVID-19 atje është, të paktën deri më tani, i krahasueshëm me shifrat e vdekshmërisë për një grip mesatar.

Ky rrezik në dukje i vogël po bën që shumë njerëz të nënvlerësojnë seriozitetin e situatës, duke çuar në zemërim dhe shpërfillje të rregullave që synojnë parandalimin e përhapjes së mëtejshme të virusit. Por gjermanët nuk janë mrekullisht më imunë sesa vendet e tjera. Nëse nuk do të ishin vendosur masat që në fillim, Gjermania do të ishte në një pozitë shumë më të keqe sot.

Për shembull, në Holandën fqinje, zbatimi i politikave për mbajtjen e maskave dhe distancimin shoqëror ka qenë jashtëzakonisht i dobët. Tifozët e futbollit atje, një javë më parë mund t’i shihje duke bërtitur në rrugë dhe duke festuar faqe për faqe. Nuk ka as një detyrim për maskë në azile. Sipas shifrave zyrtare është dyfishuar numri i rasteve të reja në krahasim edhe me ditët më të këqija të prillit. Një bllokim tjetër shfaqet në horizont, duke kërcënuar të shkaktojë plagë të thella ekonomike. Situata është edhe më dramatike në disa rajone të Spanjës, Francës dhe Britanisë. Ndërkohë, Republika Çeke ka njoftuar një gjendje tjetër të jashtëzakonshme si rezultat i COVID-19. Ky dimër ka të ngjarë të jetë një kalvar i vërtetë për shumë vende.

Duke pasur parasysh se si erdhi virusi dhe nuk do të zhduket vetvetiu, shumicës së vendeve u mbetet vetëm një mundësi: Ata do të duhet ta luftojnë pandeminë me masa të ashpra dhe pastaj t’i lehtësojnë ato për të lejuar që ekonomia dhe njerëzit të rikuperohen psikologjikisht. Në mënyrë të pashmangshme, virusi do të rimarrë forcën pas një kohe, i ndjekur nga faza tjetër e masave më të ashpra.

Në rastin më të mirë, politikanët dhe autoritetet qeveritare do të gjejnë mënyra për të mos u detyruar të vendosin kufizime që zgjasin për muaj me radhë. Por ata gjithashtu e gjejnë veten mbi vijën e hollë që ndan domosdoshmërinë virologjike dhe nevojën për të ruajtur mbështetjen e popullit.

Rëndësia e maskave

Për krahasim: Një model i drejtuar nga IMHE tregon se Tajvani do të ketë gjithsej 10 vdekje COVID-19 deri në fund të vitit, tre më shumë sesa kanë vdekur deri më tani.

Statistikat në Seattle gjithashtu projektuan edhe një skenar për Gjermaninë. Modeli i tyre në ndryshim të vazhdueshëm vlerëson se mund të ketë dyfishin e numrit të vdekjeve në vend deri në fund të vitit, me një shifër në total 24 600. Ky parashikim bazohet në supozimin se rregullat aktuale të moderuara do të ruhen. Kancelarja Angela Merkel lëshoi një paralajmërim të ngjashëm para dy javësh, kur tha se mund të ketë 19 000 infeksione të reja në Gjermani çdo ditë deri në Krishtlindje, nëse numrat vazhdojnë të dyfishohen çdo muaj. 

/Der Spiegel/ TvT

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.