Vëllezër afrikanë shpëtoni Shqipërinë!
Dhënia e shtetësisë shqiptare nga ana e presidentit tonë një futbollisti afrikan, që ka vetëm rreth dy vjet në vendin tonë, nuk bëri ndonjë bujë të madhe në ato pak media, ku u transmetua si lajm, biles më bëri çudi se gazeta DITA, e cila raportoi brenda dy ditësh dy herë mbi këtë gjë, sot (11 tetor) e hoqi mjaft shpejt këtë lajm nga faqja e saj online.
Pra, gjithë ajo bujë që pritej të plaste për këtë skandal, –siç e konsideruan këto pak media këtë ndodhi, për vetë faktin se ligji për shtetësinë, po sipas këtyre mediave, parashikon 5 vjet ndënjie në Shqipëri për kërkuesin e shtetësisë– po shuhet më shpejt se flaka e një pishtari nga ato që ka mbajtur –ndoshta– vetë pionieri i dikurshëm nga Skrapari në raste festash të ndryshme socialiste. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe, jo vetëm sot, por edhe nesër, edhe pasnesër, edhe ... kushedi sa dekada të tjera, -falë këtyre ligjeve që miqtë tanë të rinj perëndimorë na kanë sugjeruar dhe ofruar përgjatë gjithë këtyre tre dekadave të fundit.
Është e vërtetë se ky ligj i vitit 1998, Ligji 8389, parashikon për marrjen e shtetësisë shqiptare një ndënjie prej të paktën 5 vjet në Shqipëri të kërkuesit. Mirpo po ky ligj, siç edhe thuajse të gjitha ligjet e tjera të Shqipërisë, ka shtesa të tij, të cilat parashikojnë edhe dhënien e shtetësisë shqiptare në një kohë më të shkurtër për kërkuesin e saj, (neni 9, pika 7), në raste kur kjo dhënie shtetësie personit të caktuar ndihmon interesin kombëtar në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë e sportit. Kjo fushë e gjerë subjektiviteti, që ligji i lejon ekzekutivit, e bën këtë ekzekutiv jo vetëm Ali, por edhe kadi; e të mos harrojmë se kjo hapsirë e gjërë subjektive ekziston në një shumicë të ligjeve shqiptare!
Kjo dyfyrësi e ligjit nuk është rastësi, apo shkarje padashur e një kodifikuesi të përgjumur, jo, por është një strategji e caktuar e miqve tanë perëndimorë për të mos ngrejtur shtet në Shqipëri, për të patur vetëm një komandues, ekzekutivin, dhe ky mundësisht i drejtuar nga një dorë e fortë pro-tyre, paçka se i papërvojë në drejtimin e shtetit, dhe i cili do të hedhë atë valle që luan orkestranti parelli! Troç, shkurt, e pa dilema: kush paguan, edhe komandon.
Duke komanduar, por më parë duke qenë edhe më i zgjuar se i paguari, pagatori arrin që paratë e tij ti nxjerrë me fitim tek/nga ai që paguhet, –ligj i ekonomisë së kapitalit ky, i zbuluar qysh në kohë të Rikardos, Smithit, Kenesë, në të kundërt ekonomia kapitaliste vdes. Pra, të mos kujtojë njeri se pagatorët tanë perëndimorë nuk i nxjerrin paratë e hedhura në Shqipëri! I nxjerrin dhe fare kollaj biles, dhe një nga kushtet e para për këtë është mosekzistenca e shtetit të rregullt e me pushtete të ndarë.
Në këtë gjëndje ku ndodhemi, pra ku paratë e tyre kanë siguruar njëherë për një herë një infrastrukturë deri diku të kënaqshme tek ne, ata do të nisin tani investime më të gjëra në sektorë të ndryshëm të industrisë e bujqësisë, gjë që sapo kanë nisur ta bëjnë me ngadalë. Dhe vetëm pasi këto investime të jenë stabilizuar në këtë vend rrompallë, vetëm atëhere ata do të punojnë që disa nga ligjet ti bëjnë me një fytyrë, aq –sërish– sa për interesin e tyre! Mos u çudisni, nuk ka punë inati këtu, thjesht janë ligje të kapitalit, siç sqaron për këtë punë herë pas here vetë simpantizanti i madh i këtyre miqve perëndimorë, avokat Spartak Ngjela!
Pra, që ta mbyllim në lidhje me ligjin e shtetësisë shqiptare, dhe jo vetëm me këtë të “vjetrin”, por edhe atë të riun, Ligji Nr.113/2020, ligj i cili iu kthye parlamentit mbrapsh nga ky president që i dha shtetësinë shqiptare futbollistit afrikan para pak ditësh, mund të themi me qetësi dhe përulje, se falë ndihmës juridike të këtyre shteteve ligjorë dhe demokratikë perëndimorë, ne jemi katandisur në një republikë bananesh. Duket paradoks, por kështu është!
Dikur përfaqësoheshim denjësisht dhe me virtyt në arenën ndërkombëtare të mjaft sporteve të ndryshme, sot përfaqësohemi si mos më keq dhe pa virtyte. Po ikim teposhtë për hir të kapitalistëve globalë, por dhe makutërisë sonë materialiste, dhe gjëkundi nuk duken shenja të rimërkëmbies kombëtare në fusha të ndryshme. Por ani, siç thuhet tashmë, të paktën këta parellinj na kanë dhënë edhe vendin, ku kemi nisur të ngushëllohemi për këtë, dhe ky është vendi i fesë, që ti qahemi dhe falemi qiellit për të gjitha të zezat. Me afrikanët shqiptarë, këtij areali shpresë-dhënës do i shtohet edhe magjia vodo. Hale-luja!
Add new comment