BE përgatitet për “betejën” e dytë me Covid-19, blen Remdesivir nga amerikania Gilead
Komisioni Evropian ka arritur një marrëveshje me kompaninë farmaceutike amerikane Gilead për 500 mijë cikle trajtimi me Remdesivir, ilaç për kurimin e Covid-19, ndërkohë që mbetet e hapur mundësia për dyfishimin e furnizimit. Kontrata ka vlerën 70 milionë euro dhe shuma do të gjenerohet nga fondi për mbështetjen në rast emergjencash. Vendimi u mor pasi disa vende të BE-së ngritën alarmin se stoqet e medikamentit ishn drejt fundit.
Dozat u shtohen 30 mijë të tjerave të blera në korrik për trajtimin e pacientëve me simptoma të rënda. Remdesivir është i vetmi ilaç i autorizuar në BE për trajtimin e pacientëve Covid-19 që kanë nevojë për oksigjen.
Në prokurimin e përbashkët marrin pjesë 36 vende, të gjitha vendet e BE-së, zona ekonomike evropiane, Britania e Madhe dhe gjashtë vende kandidate.
Të gjithë tani mund ta blejnë direkt ilaçin Veklury, emri i markës për Remdesivir. Komisioni Europian pati nënshkruar një kontratë të tillë me Gilead verën e kaluar për të siguruar 33 380 cikle trajtimi Veklury, të shpërndara në BE dhe Britani që nga gushti.
"Remdesivir po mbaron," tha zëdhënësi i Ministrisë holandeze të Shëndetësisë, Martijn Janssen, vetëm dy ditë më parë, duke shtuar se priten furnizime të reja. Dhe kështu, kësti i parë i dozave të reja do të dërgohet në Holandë, si dhe në Republikën Çeke, Greqi, Austri, Danimarkë dhe Slloveni, vende që në këtë moment kanë deklaruar mungesën e furnizimit me këtë ilaç.
Add new comment