Skandali, familjarët futin edhe plazmën në spital. Rakacolli e mohon: Është e pamundur
Brenda ambienteve të dy spitaleve Covid, tashmë nuk po futen në mënyrë ilegale vetëm respiratorët siç TvT faktoi pak javë më parë, por edhe përbërës të lëngshëm që bartin qeliza dhe proteina që kurojnë Covid-in. Teksa prej ditësh Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar trajtimin me plazmën e gjakut, familjarë të pacientëve që po kurohen në spitalet Covid po e sigurojnë plazmën në mënyrë private, duke e çuar vetë në spital, ndonëse transportimi i saj duhet bërë me një protokoll të caktuar.
Si në Spitalin Infektiv, ashtu edhe në qendrën spitalore universitare “Shefqet Ndroqi”, të afërm të të prekurve me koronavirus po përpiqen ta sigurojnë vetë plazmën e gjakut, edhe pse janë skeptikë për trajtimet që po marrin familjarët e tyre në spitale.
TvT sjell pamje të familjarëve, që kanë arritur të sigurojnë plazëm e gjakut nga Turqia për një të afërm të tyre, i cili ndodhet i shtruar në spitalin covid 2, “Shefqet Ndroqi”.
Ata janë tepër të rezervuar për të treguar detaje teksa mbajnë në dorë dy qese me plazma gjaku.
Për Ministrinë e Shëndetësisë futja e plazmës së gjakut nga jashtë ambienteve spitalore është e pamundur, pasi kjo është rreptësisht e ndaluar. Gjatë një lidhje telefonike për Tvt zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, njëkohësisht kryetare e Komitetit Teknik të Ekspertëve thotë se sigurimi i plazmës së gjakut kërkon kushte tejet strikte dhe rigoroze.
“Plazma e gjakut, që të përdoret, duhet të jetë e një personi që e ka kaluar Covidin dhe të ketë një nivel të caktuar antitrupash. Nuk lejohet, çfarë sigurie ka? Është preparat biologjik plazma, si mund ta blesh pa pasur siguri çfarë ke blerë. Nuk mund të jetë kështu siç thua ti, është e pamundur. Të kanë dezinformuar. Ka procedura, interneti është informues. Problemi është si është marrë, ku shitet”, tha ajo.
Pas denoncimit të rastit, zv.ministrja Rakacolli tha se do të hetohet për rastin në fjalë, se si familjarët kanë arritur të fusin brenda spitalit Covid 2, plazmën e gjakut.
Comments
Keta qe mendojne te fusin
Keta qe mendojne te fusin gjakun me te ketilla metoda duhet te jene te cmendur teresisht dhe te paarsimuar krejtesisht! Edhe po te fusin te ketilla qeska ne spital, nuk do te gjejne infermire, se mjek jo e jo, qe t'ua injektoje kete gjak te semurve! Qeska qe duket ne vidio duket se permban gjak te prishur nga ngrica e frigoriferit, ose dicka tjeter, por jo te ashtuquajturin plazme gjaku qe mbahet ne temperature te caktuar nga momenti i marrjes e deri pak minuta para dhurimit tek nje pacient. Si u mbaka ne dore qeska me plazme gjaku?!? Mos nxirrni te ketilla skena ju te televizioneve, se na treguat si popull idiot! Idiotet mbajne ne dore qeska gjoja gjaku, idiotet e tjere te TV-ve i transmentojne si problem logistik te shendetsise!!!
Add new comment