Haxhimali: Duhet rishikuar sistemi i gjendjes civile, teknologjia ka avancuar
Disa ndryshime të ditëve të fundit në sistemin e adresave të qytetarëve, përkatësisht zhbërja e adresave të tyre, për drejtorin ekzekutiv të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, Agron Haxhimali, janë të papranueshme. Në studion e lajmeve në TvT, Haxhimali, thotë se kush fut duart në sistemin e adresave të qytetarëve, duhet të përballet me ligjin dhe ngre nevojën e rishikimit të sistemit, qoftë manual, edhe softuerik.
“Unë e kam ndjekur, sapo jam ndarë nga një takim me ministrin Lleshaj, ministri e pranoi, dhe ky është lajmi i mirë, duhet trajtuar me mjaft profesionalizëm. Unë sjell në vëmendje faktin se sistemi i gjendjes civile, qoftë pjesa manuale, softverike, kanë nevojë të shikohen, teknologjia bën avancime, gabimi duhet të jetë minimal dhe të mos ndodhin zhvendosje të tilla. Ligji thotë se vetëm qytetari ka të drejtë të bëjë ndryshime të tilla, problemi të zgjidhet para se të azhornohen listat e votuesve".
Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, thotë se nga këto gabime, duhet të dënohet përgjegjësi.
“Këto defekte teknike janë të pakuptimta, kush fut duart te sistemi softveri, duhet të përballet me ligjin. Ministri duhet të marrë një plan masash, duhet të komunikojë shkakun nga ka ardhur kjo dhe t'u komunikojë qytetarëve arsyen”.
Z.Haxhimali, për TvT, ngriti shqetësimin lidhur me ndarjen administrative në katër rajone të vendit, për të cilën tha se është joefektiv.
“Kultura jonë është që ne ngremë gjëra pa u konsultuar, ky është një ligj që nuk do t'i shërbej fare të 61 bashkive, sepse është strukturë burokratike, këto ndarjet tashmë i kemi me borde, andaj janë burokraci të kota, sot pushteti vendor do mbështetje dhe lehtësim të procedurave burokratike”.
Haxhimali solli në vëmendje faktin se sot bashkitë janë të zhytura në borxhe, të cilat kapin vlerën e 8.7 miliardë lekësh, dhe si të tilla, ato duhet të kenë një strategji për të dalë nga ky kolaps, edhe për faktin se potenciali ekonomik në shumicën e bashkive, lë shumë për të dëshiruar.
Add new comment