Një Artan dhe një Erion duhen për punët e mira në Shqipëri
Një kronikë e TvT e para tri ditëve jepte këtë përshkrim të situatës së raportuar:
Një familje në kryeqytet u përball sot me fadromat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit dhe Policinë e Shtetit që mbështeti aksionin për shembjen e një banese, në truallin e së cilës do të ndërtohet një pallat.
Familjarët thanë se firma ka marrë leje nga Bashkia e Tiranës, ndonëse banesa ishte e legalizuar prej vitesh, ndërkohë që dy palët janë ende në proces gjyqësor
Në sfond dëgjohet:
Mos e zëntë darka Lali Erin!
Nuk ka shumë rëndësi të hulumtojmë hollësitë teknike të kësaj që ndodh. Sepse brutaliteti i Bashkisë së Tiranës kur vjen puna për të përmbushur detyrimet ndaj kompanive të ndërtimit është një karakteristikë që nuk ndalet para asnjë ligji.
Teatri Kombëtar është shembulli që tipizon atë se çfarë përfaqëson kjo bashki dhe kryetari i saj, duarpisti Erion Veliaj.
Ajo që meriton këtu vëmendje është pingpongu i institucioneve që paguhen me taksat tona për të mbyllur të ashtuquajturin qark të ligjshmërisë së vendimeve që i vënë shkelmin më të dobtëve.
Sipas prononcimeve të familjarëve ai objekt është legalizuar në kohën e qeverisë Berisha, për të ardhur sot në përballjen me një leje ndërtimi pallati, ndërkohë që palët janë në proces gjyqësor dhe më e këndshmja: Artan Lamja, një tjetër këndonjës virtuoz i partiturës legjislative të Bablokut të ndërtimit, Kryeministrit, nuk e ka njohur aktin e legalizimit të mëparshëm.
Mund të jetë i parregullt do thotë dikush. Të happen dosjet e Kadastrës dhe ALUIZNI-t dhe do çuditet mileti.
Mbi këtë akt zhvlerësimi operon IMT që kryen prishjen me polici dhe pastaj nis Iallati, firma ndërtuese e të cilit nuk ka më asnjë detyrim të zbatoje formulën e dëmshpërblimit të pronarëve që zhvendosen.
Shikoni sa pak duhet për ta mbyllur këtë qark: një Erion, një Artan dhe ca policë të Sandrit. Kjo është historia e pronës në këtë vend. Artanët e këtij vendi nuk e kanë për gjë që të bëjnë çregjistrime nga letrat e bakallit që administron ky farë shteti, ndërkohë që kryeministri vetë miraton VKM antiligjore me të cilat vë në zbatim fushatën e paepshme të ndërtimit të kullave për të cilat imponon projektin që do.
Ky është një proces dhune që pushteti dhe paraja po aplikon ndaj hapësirës publike dhe interesit privat, pa pyetur për asgjë. Mjafton qeverisja e këtyre viteve për ta kuptuar këtë: kullat te liqeni artifcial në Tiranë dëshmuan zbythjen e Bashkisë së Erionit që nuk do ndërtonte më, dëshmuan implikimin e opozitës së rreme që emrin e Bashkim Ulajt, apo dy-tre biznesmenëve të tjerë nuk i zë në gojë, mjafton kjo kohë për ta kuptuar se biznesi kryesor në vëmendje të kryeministrit është ndërtimi. Një ethe e pashpjegueshme paligjshmërie që krijon një faturë që do të na ngecet neve të gjithëve, ndërkohë që shkelje të tilla dihet se çfarë fshehin.
Add new comment