Palestina: Ndërpresim marrëdhëniet me çdo vend që hap ambasadë në Jeruzalem
Pas marrëveshjes së arritur në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë, ka ardhur reagimi i pritshëm i Palestinës. Marrëveshja në një prej 15 pikave të saj parashikon hapjen e ambasadave të Serbisë dhe Kosovës në Jeruzalem, ku që prej vendimit të presidentit Trump për të njohur këtë qytet si kryeqytet të Izraelit, janë vendosur vetëm ambasada amerikane dhe ajo e Guatemalës.
Palestina ka paralajmëruar që Autoriteti Palestinez do të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me çdo vend që zhvendos ose hap një ambasadë në Jeruzalem.
Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Çlirimtare Palestineze (PLO), Saeb Erekat, i cili ishte negociatori kryesor i paqes me Izraelin, e bëri të ditur këtë vendim në Tuiter.
"Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve të respektojnë ligjin ndërkombëtar, duke përfshirë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 478 dhe 2334. Shkelja e ligjit ndërkombëtar është një shenjë dobësie, jo fuqie", shkroi ai.
Të premten, Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, njoftoi se Serbia do të zhvendosë ambasadën e saj në Izrael nga Tel Avivi në Jeruzalem dhe se Kosova dhe Izraeli kanë rënë dakord të vendosin marrëdhëniet diplomatike.
Në një postim tjetër në arabisht, Erekat kritikoi vendet arabe dhe myslimane që nuk kanë bërë presion ndaj administratës Trump për shkak të kësaj dhe deklaroi se Trump po bind Malavin për të zhvendosur edhe ai ambasadën në Jeruzalem.
Add new comment