Koniunktura e shpalljes së Pavarësisë

Postuar në 07 Shtator, 2020 03:43

Vijon nga pjesa e parë.

***

Stefanos P. Papageorgiou

 

Qëndrimi i Vlorajve ndaj Portës së Lartë

Kjo situatë  zgjati deri në vitin 1820; në këtë kohë Porta kishte në dispozicion të dhëna për qëllimet separatiste të Tepelenës dhe i kishte siguruar të gjitha forcat ushtarake të nevojshme, ndaj edhe Sulltani lëshoi një edikt sipas të cilit Aliu si një “fermanli, pra fajtor për një krim dhe një armik i hapur i shtetit”, duhej të paraqitej në Stamboll për të kërkuar falje për “sjelljen e tij tradhëtare”. Aliu refuzoi të shkonte në Stamboll dhe nisi të mblidhte forcat për t’u mbrojtur. Porta e Lartë dërgoi ushtri të fuqishme nën komandën e valiut të zotë të Peleoponezit, Hurshid Pasha, me të cilat ishin bashkuar edhe trupat e armiqve lokalë të Tepelenës, por edhe forcat ushtarake të komandantëve që kishin dezertuar nga kampi i Aliut dhe kaluan në anën e Sulltanit.

Familja Vlora, drejtimin e së cilës pas vdekjes së Ibrahim Pashës e kishte marrë Ismail Beu(1778-1829), njësoj si bejlerët e tjerë “që mbetën nga fisnikëria shqiptare, nxitoi të merrte pjesë në këtë fushatë kundër agresorit të përbashkët”. Në vitin 1820, Ismail Bej Vlora, mori pjesë në operacionet ushtarake që konkluduan me rimarrjen e Beratit dhe arrestimin e djemve të Aliut, Myftar Pashës dhe Salih Pashës. Pas kësaj ai mori administrimin e sanxhakut të Vlorë/Beratit, feudi tradicional i familjes Vlora që nga shekulli i 16-të.  

Pavarësisht kësaj, largimi i Tepelenës nuk e kishte dobësuar pushtetin e familjes rivale Vrioni. Omer Pashë Vrioni, ndonëse doli në pah nën mburojën e Tepelenës, nuk nguroi të braktiste mbrojtësin e tij dhe të bashkonte forcat me Portën e Lartë. Kështu ai shmangu nxjerrjen nga skena dhe më e rëndësishmja, pas vdekjes së Aliut, ai u caktua Vali i sanxhaqeve të Janinës, Delvinës dhe Vlorës.

Omer Vrioni e forcoi edhe më tej pozitën e tij në administratën provinciale osmane me betejat kundër rebelëve grekë në të cilat afirmoi edhe një herë aftësitë e tij ushtarake; më 1825 megjithatë ai pati një grindje me Valiun epror të tij, atë të Rumelisë, Mehmed Reshid Pasha dhe u kthye sërish në Janinë. Në vitin 1828 ai mori pjesë në luftën ruso-turke si komandant i një korpusi prej 20 000 njerëzish dhe shkëlqeu në operacionet ushtarake të pasuksesshme për rikapjen e qytetit të Varnës. Pas vitit 1830 ai u caktua në poste të larta administrative në provinca të ndryshme të Maqedonisë.

Ismail Bej Vlora dhe kushëriri i tij, Sulejman Pasha, kishin marrë po ashtu pjesë në betejat kundër forcave rebele greke si drejtues të trupave të armatosura të rekrutuar nga zona e Vlorës. Por njësoj si oponenti i tyre Omer Pashë Vrioni dhe besnikë të traditës së mosbindjes të komandantëve shqiptarë – shumë shpejt u konfliktuan me komandantin e forcave otomane në Mesollongj, Kutahi Pashën, i cili si përfaqësues i autoritetit qendror otoman, ishte përherë(me të drejtë) skeptik dhe ndonjëherë armiqësor ndaj krerëve të paparashikueshëm dhe të pabindur shqiptarë.

Konkretisht, në shtator të vitit 1825, si pasojë e dështimit të vazhdueshëm në marrjen me rrethim të Mesollongjit dhe vonesës së pagesave, u krijuan fërkime mes krerëve shqiptarë dhe komandatit otoman që çoi në tërheqjen një pjese të madhe të trupave mercenare shqiptare. Kasomuli, një kronikan i rrethimit, vë në dukje mosmarrëveshjet e brendshme që kishin ngritur krye në kampin otoman të cilat çuan në tensione dhe në largimin përfundimtar të një numri të madhe gegësh që ishin nën drejtimin e Haxhi Bej Mahmud Jakovaliut. Ai thekson edhe largimin e trupave shqiptare toske, duke përmendur tërheqjen e një komandanti shqiptar të quajtur Sulejman Pasha, që me gjasë është Sulejman Pashë Vlora, kushëri i Ismail Beut. Ai po ashtu përmend edhe largimin e një tjetër komandanti tosk, Ismail Pashë Plasa, një i afër i familjes Vlora.

Në përfundim të luftës ruso-turke dhe të veprimeve ushtarake me revolucionarët grekë(1829), Sulltani vetë dëshmoi se ishte i paduruar t’i jepte fund menjëherë “Çështjes Shqiptare” – pra problemit të kaosit administrativ dhe politik në provincat shqiptare – me shtypjen e anarkisë që u rikthye me boshllëkun e pushtetit të krijuar nga shpërbërja e “shtetit” të Aliut. Pasi u rreshtuan me Portën e Lartë në një aleancë të përkohshme kundër armikut të përbashkët, Ali Pashës, bejlerët shqiptarë u përpoqën më pas, të rifitojnë privilegjet e hershme dhe zotërimet të cilat u ishin uzurpuar prej tij.

Porta e Lartë tregoi qysh në fillim se nuk kishte ndërmend që të pranonte rikthimin e rajoneve shqiptare në Regjimin e Vjetër të kohës para Ali Pashë Tepelenës.

Sulltani otoman Mahmud II(1808-1839) kishte hipur në fron më 1808, duke pasuar gjysmë vëllain e tij Mustafa IV, që sundoi vetëm një vit, më 1807. Mustafai kishte pasuar kushëririn e tij, Selimi III(1789-1807), një sulltan i kultivuar me njohuri letrare dhe aftësi artistike, që kishte tentuar të niste një program reformues politik dhe social. Pikëpamjet moderniste të Selimit provokuan pakënaqësi të mëdha në elitat reaksionare, tradicionale otomane(jeniçerët dhe ulematë) që kuptuan se zbatimi i këtyre reformave do të dëmtonte interesat e tyre. Kështu, ata e shfronëzuan Selimin dhe sollën në fron Mustafain e dobët, një instrument i bindur dhe mbështetës i interesave të tyre.

Mënyra si u largua Selimi provokoi një reaksion të fortë mes forcave reformatore dhe në këtë kuadër, Alemdar Mustafa Pasha, ajani i fuqishëm i Rushçukut, udhëhoqi forcat e tij drejt kryeqytetit otoman me synim rivendosjen në fron të Selimit. Mustafai urdhëroi ekzekutimin e dy pretendentëve legjitimë të fronit, kushëririn Selim dhe gjysmë vëllain e tij Mahmud, me synimin që të mbetej i vetmi pasardhës mashkull i Shtëpisë së Osmanit dhe kështu, të shmangte shfronëzimin. Selimi u ekzekutua, por Mahmudi arriti të arratisej. Ndaj kur Alemdar Pasha arriti në Stambolll ai vuri në fron Mahmudin dhe burgosi Mustafanë, që u ekzekutua pak më vonë me urdhër të vëllait të tij.

Sulltani Mahmud II, një admirues i kushëririt të tij më të madh, Selimit III, donte të vazhdonte projektin modernizues të këtij të fundit duke tentuar vendosjen e një pushteti të fortë qendror, të aftë për të imponuar zgjedhjet sociale, politike dhe ekonomike të veta në të gjithë territorin e perandorisë. Ai veproi me kujdes për të shmangur reagimin e elitave tradicionale, ende me ndikim, dhe ia doli të hedhë bazat e një programi të madh administrativ dhe ushtarak reformues. Momenti kulmor i mbretërimit të tij(për të cilin ai është quajtur nga disa historianë si Pjetri i Madh i Perandorisë Otomane) ishte shkatërrimi i jeniçerëve. Këta të fundit ishin një trupë elitare e ushtrisë otomane dhe me kalimin e kohës ishin shndërruar në një lloj rojeje pretoriane që fronëzonte dhe shfronëzonte sulltanë, sa herë që mendonte se prekeshin privilegjet e fituara dhe i kundërviheshin çdo përpjekjeje për modernizimin e strukturave politike, administrative dhe ushtarake të perandorisë.

Në qershor të vitit 1826, jeniçerët u rebeluan sërish; në konfliktin që u zhvillua në rrugët e Stambollit, besnikët e sulltanit të mbështetur nga artileria, dogjën dhe rrafshuan kapanonet e jeniçerëve dhe më pas bënë një kapsaphanë të vërtetë, duke therur në mënyrë metodike 10 000 jeniçerë. Ata pak që mbijetuan u syrgjynosën në provincat e largëta të perandorisë pasi u ishin konfiskuar pronat nga Sulltani. Eliminimi i jeniçerëve, të cilin historianët otomanë e regjistrojnë si “ngjarja e mbarë”(vaka-i-hayriye) vazhdoi në Selanik, ku anëtarëve të fundit të trupës, dikur të fuqishme, iu pre koka në Kullën e Bardhë që më vonë mori emrin Kulla e Gjakut.

Detyra e rivendosjes së sundimit sulltanor në provincat shqiptare i takoi “dorës së hekurt” të Portës së Lartë, serasqerit Mehmed Reshid Kutahi Pasha, një mbështetës i vendosur i reformave dhe një persekutor i pakompromis i bejlerëve të padisiplinuar shqiptarë të cilët nisën sërish të ushtronin pushtetin e tyre si sundimtarë(topark) gjysmë të pavarur. Kutahiu, Vezir i Madh që nga janari i vitit 1829 mbërriti në Janinë dhe i ftoi për konsultime krerët më me ndikim të Toskërisë, Ismail Zylyftar Poda, Esim beun, Abdullah Beun dhe Ismail Bej Vlorën. Të gjithë ata refuzuan të paraqiteshin, me përjashtim të Ismail Vlorës që pranoi ftesën, pavarësisht paralajmërimeve që mori. Sigurisht që Ismail Beu nuk ishte një naiv, apo një person pa përvojë; megjithatë duket se joshja nga detyra e Valiut të Janinës që iu ofrua nga Kutahiu – një pozicion që më 1822 i ishte dhënë armikut të tij të paepur, Omer Pashë Vrioni – ishte e parezistueshme, pasi një perspektivë e tillë do të konsolidonte familjen e tij në krye të pushtetit në Toskëri. Më tej akoma, Ismail Beu ndoshta ia atribuonte paralajmërimet që mori “nga një numër krerësh shqiptarë të Janinës” xhelozisë së tyre.

Ismail Beu mbërriti në Janinë me një trupë të fuqishme shoqëruese prej 500 njerëzish të armatosur. Ai u ftua menjëherë nga Veziri i Madh që të merrte formalisht qeverisjen e pashallëkut. Në “Kujtimet” e tij, Ismail Qemali përshkruan atë që ndodhi:

Ai(Ismail Beu) u nis menjëherë me kalë i shoqëruar nga një grup i vogël njerëzish në selinë qeveritare në kështjellën e famshme. Portat u mbyllën pas tij dhe grupit shoqërues dhe teksa po u zbrisnin kuajve, gjyshi im dhe njerëzit e tij u qëlluan dhe atij vetë iu pre koka

Edhe njëherë, nisi një periudhë e vështirë për familjen Vlora; Porta nga ana e vet, në një përpjekje për të margjinalizuar familjet e vjetra “aristokratike” shqiptare, mbështeti për në detyrat më të larta administrative pjesëtarë të familjeve “më të vogla” duke e konsideruar besnikërinë e tyre më pak të dyshimtë. Familja e zhdërvjellët Vrioni, armike tradicionale e Vlorajve, dukej një zgjedhje e mirë. Në atë moment, familja Vlora ishte e pafuqishme, pasi pas vrasjes së Ismail Beut dhe vdekjes së kushëririt të tij, Sulejman Pashës ajo mbeti pa pjesëtarë meshkuj të rritur. Vrionasit, me të marrë qeverisjen e provincës Vlorë-Berat, larguan nga Vlora gruan dhe katër fëmijët e vegjël të Ismail Beut – qyteti që ishte baza e pushtetit të tyre dhe i burgosën ata në kështjellën e Beratit.

Në gusht të vitit 1830 u kompletua zbatimi i planit operacional të Portës së Lartë e cila synonte eliminimin e bejlerëve shqiptarë me ndikim, të cilët ende nuk kishin përmbushur detyrimet e tyre ushtarake dhe fiskale ndaj qeverisë otomane. Më 26 gusht 1830, Kutahiu ia doli të mblidhte në Manastir një numër të madh bejlerësh dhe agallarësh – shumë prej të cilëve kishin marrë pjesë në luftën ruso-turke të viteve 1828-1829, duke i joshur me nderime dhe pagesën e rrogave të vonuara. Por në vend të shpërblimit dhe çlirimit nga detyrimet, bejlerët shqiptarë dhe krerët e tjerë me ndikim, afërsisht 500, u futën në kurth dhe u vranë nga trupat otomane gjatë një parade ushtarake.

Pasi mbaroi punë me bejlerët e frikshëm të rajoneve jugore, Kutahiu nisi fushatën ndaj Shkodrës, bastioni i fundit i autonomisë në provincat shqiptare. Një vit më parë, gjatë luftës ruso-turke të 1828-1829, Kara Mustafa Bushatlliu kishte bërë aleancë me Rusinë, duke shpresuar në një humbje të otomanëve që do t’i lehtësonte atij realizimin e synimeve separatiste që kishte. Në betejat që pasuan, forcat e Mustafa Pashës pësuan humbje të rënda dhe u detyruan të dorëzohen. Kështu në vitin 1831, pas 74 vjetësh, principata gjysmë e pavarur e Bushatllinjve ra. Anëtarët e saj që mbijetuan u syrgjynosën në Anadoll. Pas kësaj, provincat shqiptare u nënshtruan dhe u vunë nën komandën e zyrtarëve joshqiptarë; ky ishte një sukses i madh për përpjekjet reformuese të Mahmudit II.

Rebelimi i Gjolekës në Toskëri 

Siç u përmend më sipër, në vitin 1830, Familja Vlora ishte në një pozitë shumë të vështirë. Kundërshtarja kryesore e saj, Familja Vrioni - që dëshmoi një fleksibilitet të admirueshëm në zgjedhjet e veta, në ndryshimin e padronëve, aleatëve dhe armiqve - ia doli që pas vrasjes së Ismail Beut, vdekjes së kushëririt të tij, Sulejman Pashës dhe burgosjes së fëmijëve të vegjël të Ismail Beut, të merrte administrimin e sanxhakut të Beratit.

E megjithatë Vlorajt do të dëshmojnë një rezistenë dhe qëndresë të jashtëzakonshme; ata kishin krijuar prej katër shekujsh një prestigj të lartë dhe pozitë sociale, një sistem të gjerë dhe të fuqishëm klientele, aleanca të fuqishme martesore. Vlorajt ia dolën të mbrojnë Oxhakun nga rënia dhe asgjësimi, për t’u rikthyer sërish në krye.

Një shans për këtë u shfaq në qershor të vitit 1847 me revoltën që nisi në provincat e jugut shqiptar. Ky rebelim ishte pasojë e një vale në rritje të pakënaqësisë që u përhap në Toskëri për shkak të masave reformuese(administrative, ushtarake dhe ekonomike) të imponuara nga Porta e Lartë. Këto masa që ishin zbatuar tanimë në pashallëkun e Janinës, binin ndesh me interesat e çifligarëve që zotëronin prona shumë të mëdha deri në 40 mijë ha, e të cilët nuk donin as cenimin më të vogël të marrëdhënieve feudale në fuqi. Ato binin ndesh po ashtu me interesat e tregëtarëve dhe zanatçinjve të qendrave urbane të cilëve iu imponuan taksa të rënda, por edhe me interesat e fiseve malore që refuzonin të negocionin autonominë e tyre tradicionale dhe të pranonin mobilizimin ushtarak që ishte bërë i detyrueshëm për ta përmes ligjit të Nizamit të vitit 1843.

Te ky koalicion heterogjen dhe rastësor – tek i cili disa historianë kanë vëzhguar karakteristika etnike dhe ndjeshmëri kundër pushtuesit “turk” – duhen shtuar fshatarët, të cilët ishin shndërruar në qiraxhinj dhe mjerimi i të cilëve i kishte bërë të paparashikueshëm dhe të rrezikshëm. Veprimet e Valiut të ri të Rumelisë, Mehmed Reshid Pashës, për forcimin e masave reformuese(regjistrimi, mobilizimi i detyrueshëm ushtarak, reforma fiskale) përshpejtoi shpërthimin e revoltës. Në këtë mënyrë u formua një koalicion i grupeve të ndryshme sociale që kishin objektiva të ndryshëm politikë, prioritete, interesa dhe synime që çoi në një kryengritje të përgjithshme.

Revolta, e njohur si “Revolucioni i Gjolekës”, për shkak të emrit të liderit kryesor të saj, Zenel Bej Gjoleka(1806-1852) shpërtheu në fillim të qershorit 1847. Gjoleka ishte pjesëtar i një familjeje “bejlerësh të vegjël”, me origjinë nga fshati Kuç i zonës së Kurveleshit, një rajon i ashpër dhe rebel mes Vlorës dhe Delvinës, në të cilin dominonte Kanuni i Labërisë. Ai ishte një rebel tipik i luftëtarit malësor shqiptar që e kaloi jetën e tij duke kalur pa problem dhe me shkathtësi nga ilegaliteti në legalitet dhe anasjelltas. Ai negocioi besnikërinë e tij, duke peshuar përherë rrethanat, si me Perandorinë Otomane ashtu edhe me Mbretërinë e re Greke, duke u përpjekur të mbijetojë dhe fuqizohet në realitetin e ri që kishte nisur të konsolidohej në jugun e Shqipërisë dhe në Epir, pas likujdimit të Tepelenës. Ky kre ishte një person me të cilin Familja Vlora kishte lidhje të veçanta. Gjoleka, si një pjesëtar i njohur i sistemit klientelist të Vlorajve, ishte personi, i cili siç shkruan Ismail Qemali “kishte marrë hak për gjyshin tim duke vrarë shefin e ceremonialit(Master of the Robes) të Reshid Pashës që krenohej se i kishte prerë kokën Ismail Beut dhe i cili ishte pra i lidhur me familjen tonë me lidhje të veçanta”.

Ky akt u bë i njohur gjerësisht dhe Gjoleka fitoi reputacionin e një njeriu me kurajo dhe besë, dy cilësi jashtëzakonisht të vlerësuar në shoqërinë shqiptare.

Më pas ai u largua drejt Greqisë; që andej, i toleruar nga autoritetet greke, kaloi kufijtë së bashku me banda guerrilase greke dhe u përpoq pa sukses të kapë qytetin e Domokos në Thesali. U rikthye në territorin grek pasi kishte plaçkitur siç ishte zakoni, shtëpi dhe prona të myslimanëve dhe të krishterëve në Artë dhe zonën përreth. Në vitin 1824 ai u rikthye në provincat shqiptare të Perandorisë Otomane duke vazhduar zanatin familjar të brigandazhit. Pasi dështoi në një sipërmarrje ambicioze  për të plaçkitur Janinën, ai e shkëmbeu rikthimin në ligjshmërinë otomane me përfshirjen në ushtri, duke marrë pjesë në operacione ushtarake në Siri dhe Jemen. Gjoleka u rikthye sërish në provincat jugore shqiptare pas një ndalese në Athinë ku takoi të njohurin e tij të vjetër, kryeministrin grek, Jani Koleti. Data e këtij takimi është e panjohur, megjithatë duhet të ketë ndodhur mes 30 marsit dhe 6 gushtit 1844 që përkon me kohën kur Koleti ishte në detyrë. Ka shumë gjasë që mes tyre të ketë patur një marrëveshje informale, përsa kohë që epiroti Koleti, propozuesi par excellence i Meghali Idea-s, kishte të gjitha arsyet që të favorizonte një revoltë në Epir dhe në jugun e Shqipërisë. Termat e kësaj marrëveshjeje nuk dihen, megjithatë qeveria greke duhet të ketë rënë dakord, në mënyrë të fshehtë, që të mbështeste rebelët me para dhe municione.

Kontakte sekrete dhe të tërthorta me Koletin duket të kenë vazhduar përderisa Gjoleka arriti të përfshijë në revoltë një pjesë të madhe të krishterësh, krerësh shqiptarë dhe grekë. Ekziston një dokument që daton më 15 gusht 1847(vërtetësia e të cilit vihet shumë në diskutim sot) në të cilin regjistrohet një marrëveshje, sipas të cilës liderët e revoltës negociojnë mbështetjen e qeverisë greke , duke i ofruar Mbretërisë Greke pesë rajone shqiptare otomane në këmbim të statusit autonom.

Më në fund, në fund të vitit 1847, Porta e Lartë, pasi kishte joshur me para, amnisti dhe ofiqe disa krerë, e shtypi brutalisht revoltën me forcën e armëve të ushtrisë dhe trupave të parregullta gege. Shumë nga krerët e revoltës u arrestuan, burgosën apo syrgjynosën. Vetë Gjoleka u arratis; ai u dorëzua vullnetarisht në maj të vitit 1848 dhe u transferua në Stamboll. Aty u dënua me syrgjyn në Anadoll, por shumë shpejt ai ndërroi edhe njëherë rolin në këmbim të amnistisë duke ofruar të merrte pjesë, si kreu i një bande të armatosur, në operacionet ushtarake në zonën e Malit të Zi, gjastë së cilës edhe u vra më 1852, në moshën 46 vjeçare.

Familja Vlora luajti një rol drejtues në këtë revoltë dhe djali më i madh i Ismail Beut, Mahmud Beu dhe i vëllai, Selim Pasha, morën komandën e trupave rebele të sanxhakut të Beratit. Ata kishin në të vërtetë një arsye tjetër për të marrë pjesë në rebelim, përtej cenimit të interesave prej masave reformuese; Porta kishte caktuar edhe njëherë si Kajmekam në sanxhakun Vlorë/Berat një anëtar të familjes kundërshtare Vrioni, Hysen Pashën, djalin e Omer Pashës.

Pas shtypjes së rebelimit, Mahmudi, Selimi dhe burra të tjerë nga Familja Vlora, u arrestuan në Vlorë nga forcat e rregullta otomane që mbërritën aty nga deti përmes “anijeve pa vela”. Siç e thekson Ismail Qemali “të gjithë krerët e aristokracisë dhe njerëzit e ngritur që kishin marrë pjesë në lëvizje, u arrestuan apo deportuan në Konja të Azisë së Vogël. Të tjerë u burgosën në Konstandinopojë. Familjet e krerëve më të lartë u deportuan në Selanik dhe në qytete të ndryshme të Maqedonisë”.

Pas dekadave  të para të shekullit të 19-të, Perandoria Otomane i administroi dallimet dhe kundërshtitë që lindën mes elitave të ndryshme sunduese me një mënyrë të pazakontë “civile”. Normalisht, ndëshkimi për humbësit ishte asgjë më shumë sesa një deportim në provinca të pazhvilluara të Perandorisë, larg nga rajonet e tyre të ndikimit, ose, nëse ishin zyrtarë të administratës qendrore, në zona larg nga Stambolli, që zakonisht ishin në provincat kurde, Jemen apo rajone të ndryshme të Afrikës së Veriut. Aty, të deportuarit, që përgjithësisht trajtoheshin me mirësjellje dhe respekt nga autoritetet lokale, qëndronin në pritje të një ndryshimi të situatës politike që do t’u lejonte atyre të rimerrnin ofiqet e mëparëshme në administratën provinciale apo qendrore; më pas, në vend të tyre do të deportoheshin në provinca të largëta humbësit e rinj të lojës politike.

Një shembull, sërish nga provincat shqiptare, është ai i Kara Mustafa Bushatlli Pashës, që ishte rebeluar ndaj Portës dhe kishte bërë aleancë me rusët gjatë luftës ruso-turke të viteve 1828-1829. Mustafa Pasha, i mundur nga forcat sulltanore, u arrestua dhe u transferua në Stamboll, ku jetoi në robëri deri më 1846. Më pas ai iu bashkua aparatit administrativ otoman dhe u caktua Vali në provinca të ndryshme të Anadollit deri më 1853, kur edhe u kthye në Rumeli si qeveritar i përgjithshëm i elajetit të Bosnje-Hercegovinës.

Në vitin 1850 nisi të shfaqej një politikë e re pajtuese e Portës ndaj shqiptarëve. Abdylmexhiti(1839-1861), djali dhe pasuesi i Mahmudit II, një sulltan i kulturuar dhe liberal, dhe Veziri I Madh Koja Mustafa Reshid Pasha(1800-1858), një nga politikanët më kryesorë otomanë të shekullit të 19-të, liberal, modern dhe mbrojtës i apasionuar i reformave të Tanzimatit,  u treguan të sinqertë në synimet e tyre duke zëvendësuar të gjithë valinjtë jo-shqiptarë në provincat shqiptare me persona me origjinë shqiptare. Specifikisht, në shkurt të vitit 1850 në Janinë u caktua si Vali i Shqipërisë së Poshtme, nipi i Ali Pashë Tepelenës, Ismail Rahmi Pasha dhe në Prizren si vali i Shqipërisë së Sipërme, Ismail Pashë Plasa.

Tani gjërat nisën të marrin për mirë për Vlorajt. Dy valinjtë e rinj shqiptarë ishin të afërm nga të dy krahët me familjen, kështu ata informuan të afërmit e larguar për “Politikën e re Shqiptare” të Portës së Lartë, e cila favorizonte kthimin e tyre. Në fakt, në fundin e vitit 1851 apo në fillim të 1852-t, mbërriti nga Konja në Vlorë, Mahmd Beu, që ishte zgjedhur nga anëtarët si kreu i ri i Familjes dhe mori detyrën e administratorit të rajonit. Megjithëkëtë, vëllai i tij, Selim Pasha dhe kreu i famshëm Çelo Picari, “duke qenë se konsideroheshin nga qeveria si elementë të rrezikshëm, u detyruan të qëndrojnë edhe për disa kohë në Thesali”.

Në tetor të vitit 1853 shpërtheu Lufta e Krimesë; Porta urdhëroi provincat e ndryshme për të rekrutuar njerëz. Mahmud Bej Vlora “mori urdhëra(nga Valiu i Janinës) që të mobilizonte njerëz të aftë të mbajnë armë kundër rusëve” dhe ai mblodhi 1 500 njerëz nga sanxhaku i Beratit. Por kjo trupë nuk u transferua asnjëherë në frontin e Krimesë dhe u dërgua në kufijtë jugorë të pashallëkut me synim përballjen e një invazioni të mundshëm nga trupat greke në Epir dhe Thesali.

Meghali Idea greke kishte investuar shumë në Luftën e Krimesë. Në mbarë Greqinë dominuan zërat intrasigjentë që kërkonin hyrjen e vendit në luftë në krah të Rusisë – një politikë që dukej se mbështetej nga Pallati, ushtria, njerëzit dhe shumica e politikanëve. Qeveria greke megjithatë, duke iu druajtur një reagimi nga Anglia dhe Franca, nuk deklaroi zyrtarisht luftë kundër Perandorisë Otomane, pavarësisht presionit intensive të Rusisë. Në mënyrë sekrete, ajo lejoi – në të vërtetë organizoi -invadimin e Epirit dhe Thesalisë prej trupave të parregullta të udhëhequra nga oficerë të ushtrisë që në bashkëpunim me krerët lokalë shpallën revolucionin.

Forcat  e Vlorajve iu bashkuan ushtrisë otomane që ishte nën komandën e Keçecizade Mehmed Fuad Pashës(1815-1869), një personalitet i rëndësishëm i periudhës së Tanzimatit, i cili në atë kohë ishte komandanti në detyrë i forcave otomane në frontin greko-turk. Më 27 mars 1854, trupat e Mahmudit luftuan me sukses në betejën e Meçovos kundër forcave të Theodhorakis Grivas, një figurë drejtuese e Luftës Greke për Pavarësi(1821-1830) dhe në atë kohë gjeneral i ushtrisë mbretërore greke.

Pjesëmarrja e Mahmud Beut në operacionet kundër rebelëve grekë në zonën e Epirit, i dha atij prestigj dhe ndere, sikurse edhe pozitën e komandantit të Milicisë Shqiptare, një trupë ushtarake e cila ishte formuar me synim ruajtjen e qetësisë në zonat kufitare. Por çmimi ishte shumë i rëndë, si për të, ashtu edhe për Familjen; Mahmud Beu, në përpjekjen e tij për të qenë konsistent dhe kënaqur Portën e Lartë, iu desh të shiste shumë nga pronat e veta në mënyrë që të mbulonte kostot për 1500 njerëz të armatosur. Që nga ajo kohë, ai nuk do ta rimarrë më pronën e tij dhe do të mjaftohet me privilegjet që rridhnin nga statusi social i familjes së tij dhe rrogat që merrte nga thesari otoman.

Dobësimi ekonomik dhe politik i Mahmud Bej Vlorës dhe shumë prej kundërpartëve të tij, ndoshta çoi në forcimin e “otomanizmit” të tyre përderisa besnikëria ndaj Portës së Lartë u bë i vetmi opsion për të parandaluar margjinalizimin e tyre. Në këtë mënyrë, shumë prej atyre ish-bejlerëve të paparashikueshëm dhe të pabindur të perëndimit të egër të kufijve otomanë, u shndërruan gradualisht në zyrtarë otomanë, lokalë apo qendrorë, të arsimuar dhe besnikë. Ky ishte një zhvillim i ngjashëm me atë që ndodhi në shekujt e 15-16 në vendet e Europës Perëndimore, kur fuqizimi i pushtetit qendror mbretëror i shndërroi baronët rebelë në oborrtarë besnikë – nga shqiponja në pallonj.

Në këtë kontekst, Mahmud Beu, vetë një person i arsimuar, “që mori një arsimim europian, që në kohën e vet ishte diçka e jashtëzakonshme, mund të lexonte dhe shkruante turqisht, italisht, greqisht; ai kuptonte frëngjisht dhe njihte mirë letërsinë e vendeve perëndimore”, do t’i ofronte djalit të tij, Ismail Qemalit, në arsimim të shkëlqyer(ai është i pari shqiptar mysliman që ka studiuar në shkollën e famshme Zosimea në Janinë dhe flsite perfekt greqisht, turqisht, arabisht, frëngjisht, italisht dhe anglisht). Arsimimi i tij, krahas statusit social dhe lidhjeve të familjes së tij me lobin e fuqishëm shqiptar në kryeqytetin otoman, do t’i mundësojë atij të marrë detyra të larta në aparatin qendror dhe në administratën provinciale. Një kurs të ngjashëm do të ndjekin e anëtarë të tjerë të familjes; shumë prej tyre do të marrin një arsimim të mirë dhe do të kapin pozicione të larta në administratën otomane, si ato të sanxhakbeut, valiut dhe detyrave të tjera të larta. Një prej tyre, Mehmed Ferid Pashë Vlora(Janinë 1852-San Remo 1914), Vali i Konjës – një person me arsimim të thellë që studio po ashtu në Zosimea dhe fslite shqip, greqisht, arabisht, turqisht, frëngjisht dhe italisht – do të mbajë gjatë mbretërimit të Abdylmexhitit II, detyrën më të lartë otomane, atë të Vezirit të Madh.

Më tej akoma, pjesëtarë të Familjes Vlora, do të përfaqësojnë vazhdimisht provincën e tyre në parlamentin otoman, duke marrë pjesë aktive në formësimin e zhvillimeve politike ghatë periudhës së fundit otomane. Dhe kur intrasigjenca e Turqve të Rinj do të përjashtonte çdo mundësi për formimin e një Vilajeti të vetëm autonom shqiptar në kuadër të Perandorisë Otomane, ata do ta braktisin legjitimitetin e shkërmoqur otoman dhe do t’i bashkohen lëvizjes kombëtare shqiptare, Rilindja Kombëtare. Me formimin e shtetit shqiptar, ata do të shkëlqejnë në mjedisin publik me detyra të larta politike(deputetë, senatorë, diplomat, ministra).

Vetë Ismail Qemal Vlora – një ish-zyrtar i lartë otoman i Ministrisë së Jashtme dhe i Këshillit të Shtetit, Sanxhakbej dhe Vali, drejtues i grupit liberal “anglofil” në Parlamentin Otoman- do të shfaqet në Vlorë më 28 nëntor 1912 – pas një rivaliteti me kushëririn e tij Mahmud Syrja Vlora, një ndër njerëzit më të pasur të jugut shqiptar – si kryetari i parë i qeverisë së përkohshme të Shqipërisë së pavarur. Do të jetë ai vetë që do të ngrejë nga ballkoni i shtëpisë së tij në Vlorë flamurin e pretenduar të Skënderbeut – flamuri i kuq me shqiponjën dykrenore bizantine – dhe do të marrë titujt e “babait të Shqipërisë së pavarur” dhe të “themeluesit të shtetit shqiptar”.

Burimi: https://journals.openedition.org/ceb/3520

Përkthimi: Skerdilajd Zaimi 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.