Po dëshmojmë fundin e bankave qendrore të pavarura. Mbijetesa e Eurozonës kërkon një Macron gjerman
David Marsh, ish-bankier dhe njeri i njohur për publikime në fushën e financës, ka dhënë një intervistë për revistën gjermane “Spiegel” përmes së cilës kritikon rolin e bankave qendrore që sipas tij janë shndërruar në instrumente politike që mbulojnë problemet e qeverive. Ai është kritik dhe skeptik për situatën në Gjermani, një vend mbi të cilin bien përgjegjësi të mëdha për të cilat nuk janë formuluar ende devizat politike të përshtatshme, çka vë në pikëpyetje rendin e gjërave në Europë.
Dr. Marsh, Banka Federale Amerikane sapo i ka dhënë lamtumirën objektivit të vet të inflacionit dhe po toleron tanimë inflacionin mbi 2%. Banka Qendrore Europian mund ta ndjekë shumë shpejt në këtë kurs. A do të rikthehet inflacioni?
Nuk do të isha kaq disfatist, por është e qartë se po lind një erë e re. FED(Banka Federale Amerikane) po e shtrëngon edhe më tej lirinë e BQE-së për të manovruar.
Si kështu?
Banka Federale është kujdesur përherë që ta mbajë inflacionin dhe paunësinë nën kontroll përmes politikës së vet monetare. Kjo gjë ka mbaruar tashmë. Për shkak të pandemisë, papunësia është rritur shpejt dhe në të njëjtën kohë, inlfacioni ka qenë shumë i ulët për 10 vjet. Ka arsye për këtë, por nuk kanë të bëjnë fare me bankat qendrore.
Cilat janë arsyet?
Njerëzit janë lodhur duke kurser. Dixhitalizimi po mbulon kërkesat e kompanive për kapitale. Globalizimi ka integruar miliona njerëz në tregun e punës, çka ka sjellë ulje të pagave. E gjitha kjo ka ngadalësuar inflacionin. Tani e tutje, lufta ndaj inflacionit nuk është më synimi më i rëndësishëm i FED. Dhe në Europë po ashtu shkalla e inflacionit është po ashtu shumë e ulët.
Nëse inflacioni nuk është më një problem, atëherë pse vendimi i FED për të toleruar çmime më të larta konsumi është kaq i rëndësishëm?
Sepse inflacioni nuk është zhdukur, por mund të rikthehet si rrezik real nisur nga borxhi i qeverive krijuar nga shpenzimet e bëra në luftën kundër pandemisë. Bankat qendrore duhet të jenë gati për të luftuar rritjen e inflacionit. Por ato po e braktisin këtë luftë.
Për çfarë shkalle po flasim? Janë disa që besojnë se ekonomia e botës po drejtohet te hiperinflacioni i 1920-ës.
Mendoj se ky është një gjykim i ekzagjeruar tërësisht. Nëse industria rimerr veten nga shoku i koronës, çmimet do të rriten me mbi 2%. Kjo është shumë mirë për politikanët, sepse nëse çmimet rriten, edhe prodhimi i brendshëm bruto, rritet po ashtu. Deh për sa kohë që ai rritet më shpejt se borxhi, niveli i borxhit sovran do të tretet thuajse automatikisht.
Që do të ishte një gjë e shkëlqyer për ministrat e financës…
…por do të shoqërohej me padrejtësi sociale. Ata që zotërojnë shtëpi apo kanë aksione janë të lumtur, sepse të dyja këto marrin vlerë të shtuar me inflacionin. Por ata që nuk kanë asete dhe jetojnë me qira, e ndjejnë rritjen e çmimeve më tepër dhe drejtpërdrejt. Hendeku sa vjen e shtohet, çka në këmbim i ndihmon populistëve. Ne po e shohim këtë të ndodhë qysh tani.
Kritikët thonë se shporta e mallrave dhe shërbimeve të përdorura nga BQE për të matur shkallën e inflacionit, që nga ana e vet përdoret si bazë e politikës së vet monetare, përllogaritet jo saktë. Jeni dakord me këtë kritikë?
Mendoj se po. Inflacioni real është më i lartë. Siç e thashë: çmimet e banesave, përfshirë qeratë, janë përcaktuese për koston e jetesës dhe shporta e konsumit nuk e reflekton një gjë të tillë. Por nuk është ky problemi real.
Cili është?
Politizimi i bankave qendrore. Strategja e re FED është shenja më e fortë se bankat qendrore po marrin përherë e më shumë detyra për të cilat përgjegjës janë politikanët, siç është lufta kundër papunësisë. BQE-ja, që synon të paraqesë strategjinë e vet të re në 2021, do të ndjekë hapat e Bankës Federale Amerikane. Ne po dëshmojmë fundin e bankave qendrore të pavarura – që ishte edhe kështu pjesërisht një mit.
Nuk kanë qenë tërësisht të pavarura?
Që nga njoftimi i FED ky mit është shkatërruar. Bankat qendrore janë politizuar më shumë sesa kanë qenë për dekada të tëra. Në Japoni, kështu ka qenë për një kohë të gjatë. Në Europë, presidenti francez, Emmanuel Macron u bë shembull në këtë kuadër duke kapur në befasi kancelaren gjermane, Angela Merkel me caktimin në krye të BQE-së të Christine Lagarde.
Pra ne kemi një situatë në të cilën inflacioni është më i lartë nga sa deklarohet zyrtarisht, të cilin bankat qendrore e tolerojnë – së pari në heshtje, por tani zyrarisht. Dhe kjo është një mënyrë për të mbështetur shtetet kombe? Akuza se bankat qendrore sigurojnë financimin e shteteve është një nga më të rëndat që mund të bëhet.
Është më komplekse se aq. Në përgjithësi, është e drejtë që bankat qendrore të mbështesin objektivat e vendosura nga politika. Por ato nuk duhet të humbasin aftësinë të bëjnë të kundërtën kur është e nevojshme, p.sh kur inflacioni rritet. Bankat qendrore nuk duhet të lejojnë qeveritë të përdorin inlfacionin si një armë kundër borxhit.
A u dorëzua kreu i FED, Jerome Powell, para Donald Trump? Presidenti ka disa kohë që poston mesazhe në Twitter se FED duhet të lehtësojë kontrollin për të lejuar rritje më të madhe ekonomike.
Nga njëra anë, Powell ka përshtatur strategjinë me realitetin. Në të njëjtën kohë, presioni kolosal publik që Trump ka ushtruar ka patur një efekt. Kur Trump e thirri atë në Shtëpinë e Bardhë në fillim të vitit 2019, Powell duhet të thoshte:
Merr sekretaren time që të të lë një takim, por jo përpara 6 muajve
Sigurisht, ai nuk e bëri një gjë të tillë.
Politika monetare nuk është asnjëherë statike, si politika në përgjithësi. Pasardhësi i Powell mund të ndryshojë strategjinë sërish nëse inflacioni rritet shumë.
Dhe ai do ta bëjë një gjë të tillë. Dhe do të jetë më e lehtë për Rezervën Federale të SHBA sesa për Bankën Qendrore Europiane – një problem shumë i madh.
Pse?
Sepse shtetet anëtare të Eurozonës po rriten me shpejtësi shumë të ndryshme. Gjermania mund të tolerojë një normë inflacioni 3-4%, vetëm nëse redukton surplusin në eksporte. Por kjo do të ishte praktikisht këmbana e vdekjes për konkurencën italiane. Eurozona nuk ka një ministër Finance apo një ministër Ekonomie sepse nuk ka një bashkim politik. Ky është një defekt në lindje i unionit monetar.
Presidentja e BQE-së, Lagarde po bën thirrje ndaj shteteve anëtare të Eurozonës që të shpenzojnë më shumë sepse BQE-ja nuk është e gjithëfuqishme. Mos është pak vonë për këtë?
Po, politika monetare e BQE-së ishte shumë e ngadaltë për një kohë të gjatë, politika fiskale e shteteve anëtare të Eurozonës, sidomos e Gjermanisë, shumë strikte. Për fat të mirë kjo ndryshoi si pasojë e shokut të koronës. Fondi i rimëkëmbjes së BE-së ecën në drejtimin e duhur. Shyqyr që ne britanikët, opozitarët e përjetshëm, ikëm. Ne me gjasë do ta kishim ndaluar krijimin e vetë fondit.
A nuk është e rrezikshme për qeveritë që të financojnë programet e tyre të ndihmës me para të gjeneruara nga bondet që BQE blen në treg?
Është. Gjermania është shumë e ndjeshme për këtë lloj të financimit publik. Kjo rrezikon kohezionin e Eurozonës.
Çfarë duhet të bëjë BQE?
Të njoftojë në një mënyrë të ndjeshme, por të vendosur, se do të ndalë së bleri bonde qeveritare duke nisur nga mesi i vitti 2021 nëse ekonomia është rimëkëmbur mjaftueshëm dhe nëse nuk ka më valë të tjera të infeksionit. Ajo duhet me urgjencë të sinjalizojë se po konsideron politikën monetare të normalizimit. Më pas, ajo mundet po ashtu të jetë më fleksibël në lidhje me inflacionin. Nuk duhet t’u japë përshtypjen ministrave të financës se është përherë aty sa herë ata kanë nevojë. Lagarde kishte të drejtë të vepronte me gjithçka mundte gjatë pandemisë. Por në termat e kohezionit politik të Eurozonës, BQE-ja duhet të marrë parasysh dëshirat e vendeve si Gjermania.
Nëse BQE ndalon së bleri bonde sovrane, dy gjëra do të ndodhin: çmimi i bondeve do të bjerë dhe norma e interesit do të rritet. Do të ishte shumë më e shtrenjtë për vende me borxh të madh si Italia, Franca dhe Spanja që të marrin borxh të ri. Alternativa do të ishte aplikimi i programeve drastike të kursimit. Është diçka që Macron do të duhet ta ndalojë nëse dëshiron të rizgjidhet në zgjedhjet e reja presidenciale të vitit 2022.
Pavarësisht vështirësive e krijuara nga vendimet e FED, BQE-ja duhet të zbatojë strategjinë e saj me rigorozitet dhe mirëkuptim. Përndryshe ka rrezik që të bëhet kokë turke për gjithçka që shkon keq.
A nuk është vonë tashmë?
Ende jo. Vonë do të ishte vetëm nëse blen bonde qeveritare drejtpërdrejt nga qeveritë apo nëse shumica e drejtuesve të bankave qendrore të ishin ish-ministra finance si Lagarde. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme të shihet se kush do ta pasojë Yves Mersch në Luksemburg në Bordin Ekzekutiv të BQE-së në fund të vitit 2020. Nëse do të jetë ndonjë politikan, kjo do të nënkuptonte kalimin e vijës së kuqe.
…
Mendoni se Eurozona do të mbijetojë?
Gabimi i bërë me moskrijimin e një bashkimi politik duhet të korrigjohet. Ka vetëm dy rrugë për të dalë nga ky impas:
Ose bashkimi monetar tkurret, ose ai ndryshon në një bashkim transferimi për të cilin gjermanët në veçanti duhet të paguajnë – me rrezikun se do të tejkalojnë veten. Një nga këto dy opsione ekstreme do të mbizotërojnë, me gjasë bashkimi i transferimit. Thjesht duke u zvarritur nuk funksionon më
Gjermanët përfitojnë më shumë nga të gjithë nga Eurozona si një treg eksporti. Pse do ta tejkalonin veten ata?
Nëse do të ishte kaq e qartë se efekti neto është pozitiv, atëherë çdo gjë do të shkonte shumë mirë. Por siç ndodh shpesh, kjo varet më shumë nga perceptimi sesa nga realiteti. Kancelari tjetër do të duhet të marrë përgjegjësi për këtë gjë. Do të duhej një kancelar me aftësi të jashtëzakonshme komunikimi që mund të përcjellë qartë në popullsi përfitimet nga Eurozona. Që nga Helmut Schmidt, Gjermania nuk e ka patur një politikan të tillë. Ajo çfarë duhet është një Macron gjerman, por pavarësisht sesa larg dhe gjerë përpiqem të shoh, nuk e dalloj që të vijë një i tillë.
Përkthimi dhe titulli shqip: ResPublica
Add new comment