Në Ballkan mungon sërish Europa
Po përjetojmë të gjithë pikën më të ulët të atij që u quajt si procesi europianizues. Është ironike që një gjë e tillë afirmohet në rajonin tonë dhe më tej në Mesdheun Lindor, aty ku dikur u përvijua një kufi. Dhe kjo përsëritje e historisë e bën dramatike përplasjen e tanishme.
Turqia është vendi kryesor që qëndron pas ripërcaktimeve gjeopolitike, një vend me trashëgimi të pasur kulturore, fetare dhe ushtarake, që rrezaton ndjesinë imperiale ende sot. Por nëse këto premisa e kanë bërë Turqinë një partner të vështirë për disa, është dora e Perëndimit ajo që ka ndikuar në konfliktin kryesor të saj sot me Greqinë. Sepse me këtë të fundit Ankaraja zyrtare ndan vetëm pakënaqësinë dhe refuzimin për të pranuar si normale një kufi që iu imponua rajonit nga Perëndimi. Kjo konfirmohet edhe nga fakti se kudo ku Perëndimi vuri dorë në Lindjen e Afërme dhe të Mesme ai gjeneroi konflikte që vazhdojnë dhe që më keq, si të tilla I kundërvihen mënyrës osmane të menaxhimit të hapësirave shumëetnike.
Kriza e tanishme turko-greke mund të marrë gjithfarë drejtimesh dhe për momentin ngjan se opsioni diplomatik sa vjen e humbet terren. Dhe me rënien e këtij opsioni merr fund edhe roli i Europës si aktor që përherë ka predikuar paqen dhe dialogun në zgjidhjen e fërkimeve ndërnacionale.
Vetë Turqia po luan me kartën e një fuqie të madhe, vetëpërmbushëse duke mbajtur në tryezë përherë dimensionin ushtarak. Vizita e para disa javëve në Ankara e Josep Borrell ngjante më shumë si turistike sesa diplomatike, ndërkohë që duket se Borrell mund të ndihet më mirë si spanjoll sesa si europian në Turqinë e sotme.
Greqia, një vend që ka ndërtuar një narrativë viktimizuese në këtë situatë është zbërthyer në kapacitetet e veta duke folur për mbrojtjen territoriale me çdo kusht dhe duke harruar përherë e më shumë fjalët Europë, NATO apo Qipro. Athina zyrtare ka nxituar që të kërkojë aleatë të rinj në këtë përballje. Megjithë përpjekjet e qeverisë Tsipras, ajo nuk e tërhoqi dot në këtë valle administratën Trump që as nuk do të lëvizë gishtin për atë që ndodh jashtë SHBA. Në këto kushte, pasi pranoi Marrëveshjen e Prespës, Greqia ka hyrë në bashkëpunim me Izraelin, një gati armik i Turqisë së Erdoganit, Qipron greke, Egjiptin që kundërshton ambiciet turke në Afrikën Veriore dhe tani Francën, me të cilën e bashkon politika antiturke. Athina lidhi me shpejtësi dy marrëveshje detare me Italinë dhe Egjiptin të cilat përveç se krijojnë një kuadër juridik ndërkombëtar në Mesdhe, e shkarkojnë atë nga barra e tepërt në negociatat me Turqinë. Sepse herët apo vonë të dyja vendet do të ulen për të folur për detin dhe burimet e tij.
Këto zhvillime kanë provokuar një lëvizje me rëndësi dhe që thotë shumë për situatën e përgjithshme në Europë. Në korrik të këtij viti Franca u tërhoq nga misioni i NATO-s në Mesdheun Lindor pas incidenteve me anijet turke që sipas Parisit thyenin embargon e armëve ndaj Libisë. Këtij skenari në zhvillim i duhet shtuar komedia cinike e telefonatave të kancelares gjermane Merkel, e cila mbyll konfliktin duke komunikuar me Erdoganin, me të cilin ka një marrëveshje për bllokimin e refugjatëve sirianë, irakenë dhe afganë që të mos kalojnë në Europë.
E vetmja sprovë e kaluar me sukses nga Bashkimi Europian ishte pandemia dhe solidariteti me Italinë apo vende të tjera, edhe ky pas presioneve përherë në rritje. Përndryshe, edhe Italia, një vend që pati një elitë politike pro-europiane sot po sheh përherë e më ngushtë. Në një shkrim në Messagero, ish-kryeministri Romano Prodi flet për vendin tonë dhe ndikimin e Turqisë këtu, duke apeluar që Italia të kujtohet për Shqipërinë. Ai flet për një politikë mesdhetare që sipas tij do të gjallërojë edhe Jugun italian, I destinuar të ketë marrëdhënie me Shqipërinë. Në këtë lojë hynë edhe Greqia e Veriut dhe nëse sheh ftohtë dinamikën ekonomike dhe propozimin e Prodit, ai nuk është asgjë më shumë sesa një korigjim I vendimeve fatale, dritëshkurtra të shekullit të 20-të që vizatoi me armë një kufi që nuk ka qenë kurrë. Një kufi që shkretoi Shqipërinë e Jugut, Greqinë e Veriut dhe Italinë e Jugut në emër të nacionalizmit fare pa sens. Rigjallërimi i këtyre ndjesive sot konfirmon forcën e rajoneve historike në këtë zonë të Europës, ku kjo e fundit mungon, nuk dëshiron të jetë ose edhe ndihet e huaj. Herët apo vonë gjërat do të shkojnë në vendin e tyre.
Add new comment