Pandemia si parashikim
David Quammen është autor i librit “Spillover. Evolucioni i pandemive”. I botuar 8 vjet më parë, ky libër përmend një koronavirus si një prej kërcënimeve më të mëdha për qeniet njerëzore. Bëhet fjalë për një koronavirus që ka bërë një kapërcim speciesh dhe që është përhapur nga një treg me lagështirë në Kinë. Pyetja që ngrihet menjëherë është si ia doli autori të parashikojë në mënyrë kaq të saktë atë që do të ndodhte disa vite më pas? Në një intervistë të botuar në “Avvenire”, Quammen shpjegon më shumë në lidhje me ato që sot mund të konsiderohen parashikime në librin e tij si edhe mbi marrëdhënien e njeriut me natyrën.
***
Unë nuk kam pasur vizione, nuk isha profet, por kisha ndjekur me kujdes një grup të kufizuar ekspertësh që hetonin sëmundjet, dhe shkencëtarët thoshin saktësisht të njëjtën gjë. Shkenca e dinte që do të vinte një pandemi, e cila do të shkaktohej nga një virus i ri që vinte nga një kafshë e egër, që me shumë mundësi do të ishte një koronavirus - sepse koronaviruset përshtaten shpejt - dhe se kjo do të ndodhte në një vend ku njeriu është në kontakt me kafshët e egra si p.sh. një treg i lagësht. Kur dikush më pyet se si është të jesh njeri me vizione, përgjigjem fillimisht që nuk jam i tillë, por se shkencëtarët kanë pasur vizione; përgjigjja ime e dytë është se po të kisha vizione do të preferoja të gaboja. Por ja ku jemi, ndodhi.
Çfarë mendon se duhet të na sugjerojë raporti ynë me botën?
Kjo reflekton marrëdhëniet tona me botën e natyrës. Kjo pandemi globale nuk është një event i pavarur që po na ndodh si një fatkeqësi e madhe; ajo është pjesë e një panorame të gjerë të ngjarjeve të shkaktuara nga ajo çka bëjnë qeniet njerëzore, nga mënyra se si ne jetojmë në këtë planet. Sot jemi 7.8 miliardë, kemi inteligjencë të madhe, shumë uri: uri për burime të të gjitha llojeve - mish, kafshë të egra, dru, minerale, ekosisteme të ndryshme, lëndë djegëse fosile ... prandaj të gjitha zgjedhjet që ne bëjmë kanë ndikim në pjesën tjetër të natyrës. Dhe unë jam i kujdesshëm të mos them se ajo ka ndikim në botën e natyrës, sepse ne jemi pjesë e botës së natyrës: nuk ka botë të natyrës dhe botën e qenieve njerëzore, ekziston vetëm "bota". Megjithatë ne jemi "mbret dhe mbretëreshë", ne ndihemi të tillë në këtë planet dhe ndiejmë se kemi të drejtën të marrim burimet e pjesës tjetër të botës së natyrës, për t’i përdorur vetë, për t’i konsumuar vetë. Dhe, duke konsumuar gjithnjë e më shumë burime, tërheqim gjithnjë e më shumë viruse ndaj nesh, në mënyrë paradoksale u ofrojmë atyre mundësinë për t’i shpëtuar shfarosjes. Pra, kur t’i kemi dhënë fund, ose më saktë kur ta vëmë nën kontroll Covid-19, do të duhet ta trajtojmë këtë ngjarje të tmerrshme si një mundësi për të rivendosur marrëdhëniet tona me botën e natyrës.
Gjatë pandemisë, ne shpesh kemi dëgjuar zërat e shkencëtarëve dhe ekspertëve të komunikimit shkencor, të cilët na kanë paralajmëruar për pasojat që sapo shpjeguat. Megjithatë kam përshtypjen se njerëzimi vazhdimisht nuk ia ka dalë të korrigjohet në rrugën që ndjek, përballë luftërave, shtypjes, shfrytëzimit të burimeve, katastrofave ekologjike, diktaturave politike; këto gjëra kanë ndodhur shumë herë në histori dhe, po, ne po përmirësohemi, por shumë ngadalë, dhe nuk duket se jemi në gjendje të mësojmë shumë nga ngjarjet traumatike. Pra, pyetja ime është: frika dhe faji nuk duken se janë një mënyrë e mirë për të motivuar njerëzimin, për të arritur atë që ju sugjeroni, pra zvogëlimin e ndikimit tonë, rishpërndarjen e pasurisë; Pra, cila mendoni se mund të jetë një nxitje pozitive, çfarë mund të bëjmë për t'i bërë këto gjëra të bëhen të rëndësishme për ne, të ngjallin interes, të kenë një vlerë për ne që tejkalon frikën e thjeshtë të zhdukjes?
Nuk e kam përgjigjen që doja t'u jepja, është diçka për të cilën mendoj çdo ditë. Unë mendoj se si ta bëj sa më mirë punën time për të treguar historinë, jo vetëm të shkencës, por edhe për mbrojtjen e këtij planeti, të botës së natyrës, të asaj që po humbasim. Në këtë drejtim, ne po përballemi me tre probleme të mëdha në këtë planet: kërcënimin e një sëmundjeje pandemike, e cila shkakton vuajtje të mëdha dhe vdekje te njerëzit; ndryshimin e klimës; humbjen e biodiversitetit, një tragjedi në vetvete që gjithashtu bie mbi ne. Këto janë tre problemet e mëdha. Nuk është asnjëra shkak i tjetrës, në realitet ato eci në paralel, por shkaqet përfundimtare janë të njëjta: madhësia e popullsisë së botës, konsumi i njerëzve, ndikimi njerëzor. Çdo ditë mendoj se si të bëj më shumë për t’i bindur njerëzit, të tjerët dhe veten time që të veprojmë në mënyrë drastike, të ndryshojmë, të zvogëlojmë ndikimin; pasi ju thoni se duhet të ketë një theks pozitiv, si dhe një theks negativ, nuk mund të jetë vetëm kërcënimi i një pandemie, megjithëse kërcënimi i një pandemie tashmë është më mirë sesa kërcënimi i ndryshimit të klimës, sepse tani e kuptojmë se një sëmundje pandemike ndodh shpejt dhe godet fort, ndërsa ndryshimi i klimës është shumë i ngadaltë dhe gradual dhe është më abstrakt. Prandaj mendoj se kjo ngjarje e tmerrshme është një mundësi për të bërë ndryshime që do të na ndihmojnë gjithashtu në probleme të tjera; sepse, ndryshe nga problemet e tjera, kjo ka ndodhur shpejt dhe në mënyrë dramatike dhe i ka prekur të gjithë, kështu që mbase mund të na ndihmojë të ndryshojmë. Dhe kjo në lidhje me anën negative. Në anën pozitive, kthehem dhe pyes veten: si ta rizbulojmë te vetja mahnitjen nëse jemi të verbër dhe të shurdhër ndaj sublimes?
Kam një pyetje të fundit që do t'jua bëj dhe që shpresoj se përgjigjja do të ketë të bëjë me shpresën dhe paralajmërimin. Duke qenë një "profet" i shkëlqyeshëm - e di nëse ky është përkufizimi që do të donit - çfarë mendoni se do të ndryshojë pas pandemisë? Jo vetëm në mënyrën se si ne zbatojmë politika që mund të ndihmojnë marrëdhënien tonë me natyrën, por në mënyrën në të cilën në një sens të caktuar ne rizbulojmë veten si qenie njerëzore në këtë periudhë të vështirë e cila, megjithatë, na ka dhënë shumë gjëra për të cilat duhet të mendojmë.
Unë mendoj se do të ketë shumë gjëra - disa prej të cilave ndoshta do të ndodhin - që do të rivendosin raportet tona me botën e natyrës; njohjen e faktit që ne jemi pjesë e saj, që kemi brenda nesh një ADN virale që nuk është vetëm infektive. Por ka edhe gjëra të tjera që me siguri do të ndodhin, gjëra shumë pozitive. Ne do ta vlerësojmë - kur e gjithë kjo është nën kontroll, kur kemi një vaksinë për Covid-19 dhe kur pandemia është zvogëluar në një sëmundje endemike të cilës duhet t'i kushtojmë vëmendje duke u vaksinuar dhe duke marrë parasysh zbulimet që do të shfaqen -, kur do të jemi në atë pikë do të vlerësojmë siç nuk kemi bërë kurrë qoftë edhe një përqafim, do t’ia dimë vlerën një shtrëngimi duarsh, kontaktit njerëzor me miqtë tanë, me të huajt dhe me njerëzit e tjerë, do t’ia dimë vlerën grumbullimit në një turmë në sheshin e “Shën Pjetrit”, të qëndruarit bashkë në një mënyrë që tani është e kemi të pamundur. Unë mendoj se nuk ka asgjë që më shumë se kjo që ndodhi mund të na nxiste t’i vlerësonim këto. Unë besoj se kjo do të jetë një nga aspektet pozitive të kësaj situate, jam i bindur se kushdo që e ka provuar gjithë këtë, nuk do ta harrojë vlerën dhe kënaqësinë e një përqafimi njerëzor.
Burimi Avvenire.it
Në shqip nga TvT
Add new comment