Intervistë/Loja manipuluese e Vuçiç në Serbi - pandemia, zgjedhjet, Kosova
Një ndër aktivistet serbe, Biljana Đorđević, e lëvizjes “Ne Davimo Beograd”, asistent pedagoge në Universitetin e Beogradit, sqaron në këtë intervistë për ResPublica sfondin e përplasjes politike në Serbi dhe mënyrën sesi presidenti serb përdori pandeminë për të fituar zgjedhjet. Apo sesi ai luan me kartën e Kosovës në dy plane, por pa shpjeguar qartë ndonjë gjë konkrete për opinionin.
As demokraci, as stabilitet. Në fund kjo është receta e njerëzve si Vuçiç apo Rama, që arrijnë të qëndrojnë në karrige edhe falë një mbështetjeje fajtore të asaj që konvencionalisht quhet “bota demokratike”.
***
Zonja ĐORĐEVIĆ së fundmi në Beograd kemi parë protesta masive pas njoftimit të qeverisë për rivendosjen e kufizimeve lidhur me ecurinë e pandemisë. Presidenti serb i ka përshkruar me terma politikë protestat në fjalë. Mund të na thoni diçka më shumë: përse po protestohet ndaj masave që kanë të bëjnë me një epidemi?
Presidenti dhe qeveria serbe kanë vendosur një komunikim me të vërtetë të keq me qytetarët mbi çështjen e epidemisë – së pari, çështja nuk u mor seriozisht, pastaj krejt papritur, Serbia vendosi masa skajshmërisht të rënda që në mendimin e shumë konstitucionalistëve, apo edhe aktivistëve dhe studiuesve të të drejtave të njeriut, binin ndesh si me Kushtetutën, ashtu edhe me disa të drejta qytetare dhe të njeriut.
Qytetarët u kërcënuan me skenarin italian dhe spanjoll, nëse nuk do të silleshin në përputhje me masat e marra për epideminë. Dhe sapo u pa se do ta kalonim këtë krizë shumë më mirë sesa shpresohej, në terma të numrit të vdekjeve nga koronavirusi dhe funksionimit të sistemit shëndetësor, çdo gjë u lehtësua; ne pamë zhvillimin normal të fushatës elektorale, ndeshje futbolli me stadiumet plot, turne tenisi, gjithçka e normuar si e përshtatshme nisur nga fakti se “ne fituam kundër koronavirusit”. Më e keqja, një ditë pas zgjedhjeve, ne mësuam se baza e të dhënave të CoVid-19 nuk është shumë e besueshme dhe se ka arsye të besohet se kanë vdekur më shumë njerëz nga sa na është thënë.
Pas gjithë kësaj, njerëzit humbën besimin në Shtabin e Krizës pasi u duk qartë se ata e kishin vënë ekspertizën e tyre në shërbim të vendimeve me motiv elektoral. Piku i dytë i valës së parë koronavirusit është tashmë shkatërrimtare dhe jashtë kontrollit. Numri i të infektuarve ka nisur sërish të rritet(ose është sërish thjesht i disponueshëm publikisht) dhe pas kësaj, kur Presidenti njoftoi masa të reja shtrënguese dhe nisi të fajësonte qytetarët për mungesën e disiplinës, njerëzit nuk mund të duronin më. Demonstratat ishin një protestë kundër mungesës së plotë të respektit ndaj qytetarëve dhe shmangies së llogaridhënies. Kjo i përfshin të gjithë.
Ka disa interpretime që shpjegojnë një pjesë të suksesit të z. Vuçiç në zgjedhjet e 21 qershorit me manovrat e bëra me epideminë. Në fakt mund të pranohet se vota është ndikuar kaq shumë nga një ngjarje e tillë e pazakonshme si koronavirusi?
Z. Vuçiç e ka mandatin presidencial deri në vitin 2020 dhe ai zyrtarisht nuk konkuroi pasi këto ishin zgjedhje parlamentare dhe lokale. Por emri i tij ishte në çdo listë zgjedhore të Partisë Progresive Serbe(në shkallë kombëtare dhe lokale) dhe ai bëri fushatë për partinë e tij, ndonëse ka premtuar në të shkuarën se nuk do ta bënte më një gjë të tillë, ndaj duhet t’i kuptojmë ata që thonë se ai i drejtoi në fakt zgjedhjet.
Ai mund të kishte fituar edhe pa krizën e koronavirusit - nuk ka dyshim për këtë - sepse ka elementë të tjerë të abuzimit me pushtetin shtetëror dhe burimet publike nga partia e tij që i bëjnë zgjedhjet jo të lira dhe jo të ndershme, që është edhe arsyeja pse shumica e aktorëve politikë opozitarë, përfshirë lëvizjen “Mos e lini Beogradin të mbytet”(Ne Davimo Beograd), vendosën kohë më parë që të bojkotojnë zgjedhjet.
Por kjo krizë ka treguar se autoritarët shfryëtzojnë kriza të tilla edhe më tej për të fuqizuar pushtetin e tyre dhe Vuçiç sigurisht që e ka bërë një të tillë – ai ishte i gjithëpranishëm gjatë emergjencës që e deklaroi vetë, vinte vërdallë nëpër Serbi pa mbajtur maskë, çonte ventilatorët në qendrat lokale shëndetësore dhe në spitale, ai mendoi se ishte një ide e mirë të jepte për çdo qytetar një ndihmë prej 100 euro, në vend të disa masave të provuara për ata që kishin me të vërtetë nevojë etj..
Në të njëtën kohë në fuqi ishte ndalim - qarkullimi dhe mundësia për subjektet e tjera që të bënin diçka gjatë krizës u minimizuan. Me të gjitha këto, dita e zgjedhjeve vetë, ishte skandaloze në terma të parregullsive.
Ju jeni shprehur në media se protestat e 7-8 korrikut ishin një reagim heterogjen njerëzish të prekur nga fyerjet e presidentit të Serbisë. Do të kishte kuptim të thoshim se sot në Serbi ka një klimë mobindjeje civile?
Kështu dukej gjatë protestave, por për momentin nuk jam e sigurtë nëse duhet ta quaj këtë klimë të një paqëndrueshmërie civile. Ka më shumë një ndjesi të rritjes së pakënaqësisë dhe dëshpërimit mbi shkatërrimin tërësor të sistemit tonë shëndetësor si dhe frikë dhe ankth për atë se me çfarë do të përballemi në vjeshtë, ndërkohë që kriza ekonomike po godet edhe më fort. Së fundmi ka një pyetje për reagimin e ri, jashtëzakonisht shtypës të policisë dhe gjykatave në dënimin e protestuesve, rastësisht dhe në mënyrë disproporcionale. Kjo do të ketë pasoja në të ardhmen, me siguri.
Nëse e sheh nga jashtë situatën në Serbi, gjen shumë analogji me Shqipërinë. Një pushtet i konsoliduar i një partie, mbështetje ndërkombëtare e pakursyer për të, një opozitë e dëshpëruar që ka bojkotuar zgjedhjet dhe nuk di të faktorizohet si alternativë e besueshme dhe që akuzon qeverinë se ka manipuluar zgjedhjet. Si mund të dilet nga kjo situatë, çfarë mund të bëhet për të sjellë ndryshimin?
Unë mendoj se secila parti apo lëvizje politike, siç është ajo anëtare e së cilës janë edhe unë, duhet të forcojë organizimin e saj në mënyrë që, në momentin që krijohet mundësia për ndryshime, ato të përgatiten siç duhet. Të gjithë duhet të shohin thellë brenda vetes, të pranojnë gabimet e së shkuarës dhe të pranojnë nëse kanë aftësi për rritje dhe gjëra të tjera që do të vijnë. Partitë politike në opozitë nuk mund të pretendojnë më se vetëm ato kanë infrastrukturën e duhur politike, sepse është e qartë se po e humbasin atë ndërsa nuk rimarrin besimin e qytetarëve.
Pra, ata kanë një problem me rifitimin e besueshmërisë (dhe për disa, bojkotimi mund të ketë ndihmuar, por kjo nuk është e dhënë), ndërsa aktorët e rinj politikë që nuk e kanë atë problem duhet të ndërtojnë një infrastrukturë dhe të fitojnë në sytë e medias dhe opinionit rolin si pretendentë seriozë. Të gjithë duhet të mobilizojnë elektoratin e tyre. Vetëm atëherë do të kenë kuptim negociatat për pozicione të përbashkëta dhe veprime për çështje të caktuara. Të bësh sforco për këtë tani është thjesht shmangie e një pune të madhe.
Mendoni se Europa dhe Perëndimi në përgjithësi janë dëmtuar në Ballkan me këto qëndrime ndaj njerëzve me prirje autoritare si Vuçiç apo edhe Edi Rama në Tiranë që përfaqësojnë edhe pushtete të akuzuara gjerësisht për korrupsion?
Nuk mendoj se ata janë kalimtarë të pafajshëm; në fakt, ata kanë pjesën e tyre të fajit që me të drejtë u takon për këtë situatë, pasi ata mbështetën autoritarë si Vuçiçi duke menduar se mund të japin zgjidhjen dhe stabilitetin e dëshiruar. Nëse mbështet një autoritar dhe pretendon se nuk po e sheh se çfarë i bën ai demokracisë dhe të drejtave të qytetarëve dhe përfundimisht institucioneve publike, reformimin e të cilave e përkrah, si mund të mos e presësh humbjen e mbështetjes së vetë njerëzve që më parë ishin në favor të bashkimit BE-ja? Shumë euroskeptikë aktualë janë ata që janë zhgënjyer nga sjellja e BE-së dhe toleranca ndaj shkatërrimit të demokracisë dhe bashkëpunimit në rritjen e katastrofës sociale.
Sa vend zë në axhendën e brendshme të z. Vuçiç Kosova dhe trajtimi i çështjes së saj? Është folur për dialog, për një projekt ndarjeje, shkëmbimi territori etj.. A do të sjellë kjo pajtimin në rajon sipas jush?
Vuçiç po dërgon mesazhe të ndryshme rreth Kosovës për audiencën vendase dhe ndërkombëtare. Në Serbi, ai po përpiqet të përgatisë me kujdes publikun, dhe veçanërisht votuesit e tij, për një lloj mbylljeje të çështjes së Kosovës, duke provuar skenarë të ndryshëm (të ashtuquajturat "demarkacion" ose "shkëmbim territoresh"), ne nuk e dimë saktësisht se për çfarë e ka fjalën pasi nuk e ka shpjeguar kurrë qartë; fjala që ai përdor është termi i paqartë "razgraničenje").
Nga ana tjetër, tabloidët që janë në të vërtetë zëdhënësit e tij alternativë, po lëshojnë mesazhe jashtëzakonisht nxitëse kur raportojnë për negociata. Ne si qytetarë nuk e dimë se cila është platforma politike e ekipit tonë negociator pasi mbahemi të painformuar në mënyrë të vazhdueshme. Duke pasur parasysh të gjithë këtë, unë nuk e shoh këtë proces si proces pajtues – popujt e të dy palëve janë të përjashtuar nga procesi dhe po grinden ende me njëri-tjetrin ndërsa elitat po përpiqen të negociojnë diçka që do t'i mbajë ato në pushtet. Kjo nuk mund të jetë pajtuese.
Add new comment