Barsoleta e verës/Basha po sillet si kryeministër
Lulzim Basha po sillet si kryeministër. Lulzim Basha po sillet si lider. Këto komente janë nisur të dëgjohen dhe lexohen shpesh nga njerëz pranë Partisë Demokratike, në përpjekje mesa duket për të sugjestionuar opinionin me idenë se tashmë koha e rotacionit ka ardhur.
Dhe meqenëse Basha është gënjeshtari perfekt, dështaku më i suksesshëm në këto 7 vjet, atëherë në lojë ka hyrë gjoja strategjia e korrigjimit të imazhit. Basha lider, Basha kryeministër, një tezë që duket se pranohet edhe nga LSI.
Po ku konfirmohet ky lidership? Kjo sjellje shtetari? Në pranimin e çdo opsioni të Edi Ramës për reformën zgjedhore, në heshtjen e plotë të opozitës ndaj aferave të qeverisë, apo në ushqimin e përditshëm të kauzës së vetme që është dështimi në menaxhimin e pandemisë?
Këto e bëjnë Lulzim Bashën kryeministër? Është qesharake të marrësh seriozisht njerëz të tillë që flasin kështu nisur nga interesa personale. Është po ashtu qesharak vetë z. Basha që mendon se ky aplikim online për kryeministër do të ngjisë në perceptim dhe do të sajojë për atë imazh që ai nuk e krijoi dot vetë.
Dikush mund të thotë se Lulzim Basha po tregon lidership me afrimin e njerëzve si Besnik Mustafaj, apo Genc Ruli. Ata që i njohin këta të dy e dinë mirë se ata nuk përfaqësojnë asgjë tek PD-ja përveç se aftësinë personale për të shërbyer dhe afruar me pushtetin e radhës.
Dikush i sugjeroi Lulzim Bashës të shkonte në Mitrovicë dhe të puthte flamurin e Boletinit, si ilustrim të politikës së ruajtjes së integritetit territorisl të Kosovës dhe një afirmimi të nacionalizmit në politikë. Që andej doli edhe një foto, akti më i sinqertë i atij sajimi politik: Basha duke qeshur që puthte flamurin. Fundja edhe vetë z. Basha e di që nuk e ka dhe nuk i shkon vokacioni i liderit, ndaj edhe i kanë sugjeruar teatrin ku luan kaq shpëlarë.
Do të kemi rast të shohim shumë akrobaci të këtij lideri deri në zgjedhje. Nuk është çudi sigurisht që ai të vijë kryeministër, sepse jeta mundet të jetë edhe një seri aksidentesh fatlume. Sikundër ka qenë një seri fatkeqësish për Shqipërinë.
Demkat e Bashës sot mediatizojnë cilësitë e tij po njësoj si demkat e Edi Ramës dikur. Dhe në të dyja rastet askush nuk besonte në ato që shkruante e thoshte, provë e qartë kjo e përgjegjësisë ndaj një vendi të tërë e atyre që llomotisin nën petkun e intelektualit.
Add new comment