Bolton: Ndarja e Kosovës, ide e Thaçit dhe e Vuçiçit
Ish-këshilltari për sigurinë kombëtare i presidentit Trump, John Bolton, thotë se edhe nëse do të zhvillohej, samiti i parashikuar në Shtëpinë e Bardhë mes përfaqësuesve të lartë të Kosovës dhe Serbisë, nuk do të prodhonte asnjë marrëveshje. Takimi që ishte planifikuar të zhvillohej më 27 qershor në Uashington me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell u anulua për shkak se presidenti i Kosovës u thirr në Hagë vetëm disa ditë para tij. Për Bolton, i intervistuar nga korrespondenti i TvT në Nju Jork, Robert Papa, ky takim nuk do të ishte gjë tjetër veçse një mundësi për fotografi.
“Takimi në Ushington mes Serbisë dhe Kosovës nuk do të prodhonte marrëveshje. Do të ishte një mundësi për fotografi dhe vetëm kaq”, shprehet Bolton.
Ai thotë se kanë qenë dy presidentët e dy vendeve, Thaçi e Vuçiç, të cilët në vitin 2018 e hodhën për herë të parë idenë e shkëmbimit të territoreve.
“Vuçiç dhe Thaçi kanë kërkuar të bëhej ky shkëmbim kufijsh. Kisha ndikim sepse duhej të ndërmerreshin hapa në Ballkan dhe Europën Lindore, për të ulur ndikimin rus. Në rastin e Kosovës dhe Serbisë pati ndikime që në vitin 2018 dhe liderët e dy vendeve donin t’i zgjidhnin çështjet mes tyre, sepse e panë sepse nuk mund të arrinin rritje ekonomike dhe stabilitet derisa të normalizoheshin marrëdhëniet”, thotë Bolton.
Add new comment