Pandemia nuk merr fund me vaksinën

Postuar në 18 Korrik, 2020 14:20
Intervistoi: James Paton

 

Një ish-zyrtar i lartë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Klaus Stohr, më vonë virolog në Novartis, paralajmëron një skenar të zymtë për pandeminë që po kalojmë. Sipas tij virusi do të largohet kur të ketë përshkruar mbarë njerëzimin, ndërkohë që vakisna paraqet probleme sigurie që nuk janë adresuar, por edhe për shpërndarjen e saj. Stohr thotë se e mira e kësaj pendemie do shpresuar të jetë mësimi për të ardhmen.

Kur parashikoni se vaksina do të jetë e disponueshme?

Vende si Gjermania mund të kenë një sasi të konsiderueshme në fillim të vitit që vjen dhe një aplikim që mund të kërkojë 4,5,6 muaj për të moshuarit. Strategjia mund të jetë e ndryshme për vende si Brazili, Argjentina apo Kili, që mund të mos marrin as edhe një dozë të vetme vaksine, e sërish duhet që t’ia dalin. Bota do të ndahet në dy grupe, ata me vaksinë dhe ata pa vaksinë.

Si e parashikoni rritjen e imunitetit në shkallë botërore teksa kemi vaksinën dhe sëmundjen që përhapet?

Do të hamendësoja se nga mesi i vitit tjetër një pjesë e madhe e popullsisë së botës do të ketë antitrupa. Kjo do të rritet me kalimin e kohës. Pastaj do të jetë një valë e tretë dhe kur të mbarojë, do të mendoja se 80% e botës mund të kenë antitrupa, nëse nuk zbatohen karantinimet, çka e dyshoj.

Çfarë do të thotë kjo për vaksinat që janë duke u zhvilluar?

Në jemi në një gjendje që ka shumë pikëpyetje. Ne duhet të përdorim të gjitha burimet që kemi në zhvillimin e një vaksine. Nga ana tjetër, unë besoj se logjika na thotë se vaksina nuk do të jetë e disponueshme për pjesën më të madhe të botës.

Nga fundi i këtij viti, apo fillimi i vitit tjetër, mund të ketë 500 milionë doza të disponueshme. Popullsia e botës është 7.5 miliardë. Sidomos në vendet që kanë infrastrukturë të pamjaftueshme, kanë popullsi shumë të madhe dhe sistem shëndetësor poshtë standardeve, çfarë vaksine mendoni se do të kenë këta?

Një numër organizatash, përfshirë OBSH, po përqendrohen në të drejtën e barabartë për vaksinën. Nuk do të ndihmojë një gjë e tillë mendoni ju?

Do të ishte e papërpgjegjshme të mos bëhej asgjë. Megjithatë, shumica e popullsisë së botës nuk do të marrë vaksinën. Virusi do të vazhdojë të përhapet dhe mund të duhen 2-3 vjet përpara se ai të ketë prekur një pjesë të madhe të popullsisë. Nuk është vaksina që do t’i japë fund pandemisë. Është virusi që do të zhduket vetëm kur të jetë prekur edhe personi i fundit. Ndaj pyetja është se çfarë roli do të luajë vaksina më pas.

Dukeni optimist se kërkuesit do ja dalin të realizojnë një vaksinë. Si i vlerësoni mundësitë dhe rreziqet e mundshme?

Koronavirusi nuk është veçanërisht i vështirë për t’u menaxhuar. Edhe vaksinat konvencionale mund të bëjnë ndryshimin dhe ne kemi qasje të ndryshme, vaksinat vektor(që përdorin virusin e dobësuar për të rritur imunitetin) dhe mRNA. Kjo është shumë premtuese. Në të shkuarën, kur prezantohej një vaksinë, kishe një rritje graduale të përdorimit të saj, rritje në numrin e njerëzve të imunizuar dhe nëse nuk kishte të papritura, edhe ngjarje shumë të rralla do të njoftohen herët. Në këtë rast vaksina do të përdoret në sasi të mëdha, ndoshta qindra milionë doza në një periudhë të shkurtër kohe, 6 muaj apo një vit. Kështu që pyetja është nëse ka diçka te vaksina që mund të mos gjurmohet në testet finale gjatë procesit të miratimit të saj. Mund të godasë shumë, shumë njerëz. Nëse imunizon 500 milion njerëz dhe vetëm 1 në 1 milion preket, sërish do të kemi një numër të madh njerëzish që do të kenë probleme dhe kjo është diçka që duhet adresuar. Po ashtu duhet balancuar shqetësimi rreth impaktit të sëmundjes përballë shqetësimeve për impaktin e mundshëm përdorimit të vaksinës.

Ju keni thënë se shtetet duhet të përshtasin strategjitë e tyre. Cila është qasja më e mirë që duhet të adoptojnë qeveritë?

Ne duhet të gjejmë një mënyrë hapjeje të komunitetit tonë në funksion të mbështetjes së një synimit tonë afatgjatë mjekësor, që është sa më pak viktima në hapësirën kohore duke patur parasysh se nuk mund të shmangësh përhapjen e infeksionit. Nuk ka mjet tjetër të vlefshëm. Nëse ke një problem mjekësor, shkon për ski, thyen këmbën, ke problem me ligamentin, shkon te doktori dhe e rregullon problemin. Këtu nuk kemi mundësi rregullimi. Ne duhet të jetojmë me virusin dhe duhet gjejmë mënyrën e duhur për t’u siguruar që kur të jemi në mes të problemit të kthejmë kokën pas e të themi se bëmë më të mirën për të parandaluar vdekjen dhe sëmundjen. Por ne nuk mund të  fusim kokën në rërë si struci dhe të shpresojmë se do të ndodhë ndonjë mrekulli dhe virusi do të zhduket. Nuk ka një strategji perfekte.

Ju keni trajtuar viruse të tjerë që nga SARS, gripi i shpendëve. Ka mësime të vlefshme nga këto përvoja?

Që nga viti 2003 ne kemi folur për planfikimin pandemik. Disa vende i kanë zhvilluar këto plane dhe i kanë përdorur. Besoj se ato vende që kanë patur një plan të vërtetë pandemie, kanë qenë disa hapa para. Por ka ende vend pa plane. Mësimi është që të përgatisësh planin e pandemisë. Mund të jetë e qartë se vetëm ata që do të kenë vaksinën në vendin e tyre do të kenë akses gjatë pandemisë. Shpresoj të mos vijë puna deri këtu, por kam frikë se kështu do të shkojë. Shpresoj se kjo do të çojë në më shumë investime në përgatitjet për pandeminë dhe vaksinës në vitet që kemi para, kështu që pandemia e radhës të adresohet më mirë sesa kjo e tanishmja.

Burimi: Bloomberg

Përkthimi: ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.