E pazakontë, Presidenti kundërshton procesin vendimmarrës të Kuvendit pa pritur finalizimin e aktit
Presidenti i Republikës ka deklaruar sot përmes zëdhënësit të tij se Parlamenti përbëhet nga deputetë ilegjitimë.
Lidhur me lajmet e fundit për disa ndryshime kushtetuese, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta thekson se Kuvendi aktual ka vetëm 82 deputetë legjitimë, ku përfshihen edhe tre deputetët të cilët nuk pranuan të dorëhiqeshin pas vendimit të Opozitës së Bashkuar
tha zëdhënësi Tedi Blushi.
Çka do të thotë se çdo akt që miratohet me shumicë mbi 82 deputetë për presidentin është jokushtetues.
Mirëpo nëse presidenti ka këtë konsideratë ai në fakt po na thotë se konsideron parlamentin vetë si jokushtetues përderisa sipas tij ai është një institucion që është cunguar në përfaqësim. Në këto kushte kreu i shtetit do të duhet të shkëpuste marrëdhëniet me një institucion të cilin e konsideron si jokushtetues dhe të thërriste tryezën e partive për zgjedhje të reja. Ose të jepte dorëheqjen dhe të niste betejën për rikthimin e normalitetit në vend.
Presidenti nuk bën asgjë nga këto. Ai sillet si një parti politike që ndërron deklaratat sipas midesë. Ai dekreton ligje që kanë votën edhe të atyre deputetëve të cilët nuk i njeh për të tillë dhe befas deklaron se nuk e njeh Parlamentin. Ose se njeh disa deputetë të tij. Sot presidenca nuk ka shprehur mendim mbi një draft apo ligj, por ka shprehur gjykimin mbi një proces vendimmarrës të Kuvendit. Zoti Meta është tërësisht jashtë loje në këtë kuptim qëkurse dekreti i tij për zgjedhje më 13 tetor u injorua, ndonëse që nga ajo kohë ai ia ka dalë të përdorë presidencën për synime politike. Mund të pranohet edhe kjo, por një sjellje publike me dy standarde është e papranueshme për një president. I cili duhet të jepte dorëheqjen me kohë.
Add new comment