BE-së i duhet një strategji e re për Ballkanin

Postuar në 14 Korrik, 2020 15:11
Aleks Eror

 

Më 27 qershor, presidenti serb, Aleksander Vuçiç, duhej të takohej me homologun e tij kosovar, Hashim Thaçi, në Shtëpinë e Bardhë për bisedime të ndërmjetësuara nga i dërguari special i SHBA-ve, Richard Grenell. Qëllimi i këtij samiti ishte të normalizonte marrëdhëniet midis dy vendeve, të cilat janë në një konflikt të ngrirë qëkur Kosova shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë nga Serbia, në vitin 2008.

Por, vetëm tre ditë para takimit të planifikuar në Uashington, Zyra e Prokurorit Special në Hagë njoftoi se kishte ngritur një aktakuzë prej 10 pikash në Dhomat Speciale të Kosovës. Në bazë të saj, Thaçi, një ish-udhëheqës guerilas, dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që dyshohet se janë kryer nga forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kundër civilëve, përfshirë serbët etnikë, gjatë Luftës së Kosovës në vitet 1998-1999.

Thaçi, i cili ka qenë një figurë e rëndësishme e UÇK-së, e anuloi menjëherë udhëtimin e tij në Shtetet e Bashkuara, dhe mbledhja e Shtëpisë së Bardhë u anulua menjëherë. Në vend të kësaj, Vuçiç dhe kryeministri kosovar Avdullah Hoti udhëtuan në Bruksel për t'u takuar veçmas me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Mënyra sesi këto të dyja përkuan në të njëjtën kohë, ngriti një valë spekulimesh se Bashkimi Evropian po përpiqej në mënyrë aktive të shmangte bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA-të. Normalisht, akuza të kësaj natyre shumë të rrezikshme shkojnë deri në kufijtë e teorive të komplotit, por në këtë rast të veçantë ato janë plotësisht të besueshme: Që nga njoftimi për herë të parë i takimit në mesin e qershorit, ka pasur frikë në kryeqytetet evropiane se Grenell - i cili nuk e e fitoi simpatinë e liderëve të BE gjatë detyrës si ambasador amerikan në Gjermani – po planifikonte të nxiste idenë kontroverse të shkëmbimit të territoreve, që do të zgjidhë ngërçin Serbi-Kosovë duke i rivendosur kufijtë e të dy vendeve përgjatë linjave etnike. Të dy, Vuçiç dhe Thaçi, mbështesin një rezolutë të tillë, por BE-ja i druhet kthimit te dhuna dhe gjakderdhja në Ballkan, pasi mund të nxiten mosmarrëveshje të tjera kufitare sektare në të gjithë rajonin.

Bindja e Serbisë për të njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës është një synim i lartë gjeostrategjik në Ballkan, si për qeverinë e SHBA-ve, ashtu edhe për BE-në, por këto fuqi perëndimore ndahen qartazi për mënyrën se si mund të arrihet kjo. Këndvështrimi kryesor në Bruksel është se kjo duhet të bëhet duke stimuluar Serbinë të pranojë status quo-në dhe me dëshirë të heqë dorë nga pretendimi i saj ndaj krahinës së shkëputur - një qasje që qeveria në Beograd e ka refuzuar vazhdimisht.

Administrata e Presidentit Donald Trump, nga ana tjetër, është shumë më fleksibël dhe ka thënë në të kaluarën se do të njohë çdo "marrëveshje që kënaq të dy palët", e cila mund të përfshijë edhe rishikimin e kufijve. Një marrëveshje e tillë do të shkonte kundër interesave të Brukselit, për këtë arsye disa besojnë se koha kur u ngritën akuzat ndaj Thaçit nuk ishte plotësisht rastësi.

I propozuar për herë të parë në gusht 2018, shkëmbimi i territoreve parashikon transferimin te Serbia të katër komunave me shumicë serbe në veri të lumit Ibër, në këmbim të Luginës së Preshevës, e cila ndodhet përgjatë kufirit lindor të Kosovës dhe popullohet kryesisht nga shqiptarë.

BE-ja e ka refuzuar në mënyrë të vazhdueshme një zgjidhje të tillë, dhe i dërguari special i saj për Ballkanin, Mirosllav Lajçak, përsëriti kundërshtimin e Brukselit ndaj planit në maj, duke i thënë Agjencisë Austriake të Shtypit se shkëmbim i territoreve "nuk është në axhendë dhe duhet të mos jetë në axhendë” dhe se "ne kemi nevojë për një marrëveshje që qetëson situatën ... kjo do të ishte e kundërta. "Në të kundërt, administrata Trump duket se është e gatshme të mbështesë çdo rezolutë që mund të konsiderohet fitore e politikës së jashtme për presidentin përpara zgjedhjeve të nëntorit.

Takimi i Grenellit me Vuçiç dhe Thaçin mund të jetë anuluar për momentin, por fakti që ishte planifikuar të bëhej, duhet të shërbejë si zile zgjimi për Brukselin. Gjatë dekadës së fundit, BE-ja është ndikuar aq shumë nga krizat e saj të mbivendosura, saqë pak kapacitet i ka mbetur për t’u marrë me Ballkanin. Kjo tërheqje ka bërë që ndikimi i Evropës në rajon të venitet dhe ka lënë një vakum pushteti që po plotësohet gjithnjë e më shumë nga shtete si Kina, Rusia, Turqia dhe vendet e Gjirit Persik.

Megjithëse Thaçi u shfaq i hapur për idenë e shkëmbimit të territoreve, plani kryesisht është nxitur nga Serbia. Në të vërtetë, në tetë vitet e tij në nivelet më të larta të qeverisjes, ky është propozimi i vetëm konkret me të cilin Vuçiç ka treguar gatishmëri angazhimi, dhe duket se nuk ka ndonjë urgjencë për të zgjidhur çështjen: Në mars, Vuçiç i tha “Foreign Policy” se, "nëse pyet shumicën dërrmuese të njerëzve në Serbi, ata do të preferonin konfliktin e ngrirë para çdo zgjidhjeje tjetër”.

Edhe nëse Vuçiç nuk identifikohet me atë shumicë, ai pretendon se marrëveshja e vetme që mund t'ua shesë votuesve të vet është ajo që "do të ishte një humbje për të dy palët". Një shkëmbim territoresh i përshtatet këtij kriteri sepse shkon përkundër status quosë aktuale, të cilën shumë në Serbi e konsiderojnë si një zgjidhje të diktuar nga Perëndimi dhe që favorizon padrejtësisht kosovarët. Vuçiç e di se ai nuk mund ta rimarrë provincën e shkëputur, por nëse ai mund të rimarrë një pjesë të vogël të saj dhe të ribashkojë popullsinë e saj etnike serbe me pjesën tjetër të vendit, do të jetë në gjendje ta shesë marrëveshjen e tij si një arritje, në vend të kapitullimit.

Nuk do të jetë e lehtë ta lëvizin Vuçiçin nga ky pozicion. Ajo që shpesh anashkalohet në Bruksel është se presidenti serb nuk ka lirinë të plotësojë kërkesat e Evropës, edhe nëse dëshiron. Kjo sepse, përveç kënaqësisë së elektoratit të tij, Vuçiç duhet të negociojë një marrëveshje që do të miratohet edhe nga Moska.

Rusofilia është e përhapur në Serbi për arsye historike dhe kulturore, por ajo është forcuar më tej vitet e fundit nga mbështetja e palëkundur e Rusisë për Beogradin lidhur me çështjen e Kosovës. Sondazhet e kryera në vitin 2018 treguan se presidenti rus, Vladimir Putin, është lideri më i njohur i huaj në vend dhe, sipas ekspertit Vuk Vuksanoviç, presidenti rus ka fuqinë të fundosë çdo marrëveshje të negociuar nga qeveria në Beograd: "Vuçiç është i vetëdijshëm se, nëse Putini do të vinte veton ndaj ndonjë marrëveshjeje për të cilën Serbia negocion për Kosovën, kjo do të ishte rënia e tij politike, pasi publiku serb do ta perceptonte atë situatë si tregues se lidershipi rus është më i ndërgjegjshëm për interesat kombëtare të Serbisë sesa vetë liderët serbë”, thotë Vuksanoviç.

Basti është i fortë për Vuçiç. Kjo është arsyeja pse BE-ja do të duhet të bëjë presion të konsiderueshëm për ta bërë atë të pranojë në heshtje. Strategjia e Brukselit në Ballkan është mbështetur gjithmonë në përdorimin e perspektivës së anëtarësimit në BE për ta tunduar Serbinë të pajtohet me Kosovën. Sidoqoftë, Vuçiç mund ta shohë ashtu si të gjithë të tjerët se Blloku po vuan nga lodhja e zgjerimit dhe nuk ka gjasa të mirëpresë anëtarë të rinj së shpejti, që do të thotë se ai ka pak nxitje për kompromis.

Por edhe sikur të mos ishte ky rast, presidenti serb pretendon se ai do të refuzonte ofertën e anëtarësimit në BE me koston e pranimit të status quosë: "Ofertës së mundshme [për Serbinë] për të njohur Kosovën dhe për anëtarësimin e Kosovës në OKB, pa marrë asgjë në këmbim, përveç anëtarësimit në BE, ne do t’i përgjigjeshim me jo”, u tha ai gazetarëve përpara se takimi i Uashingtonit të pezullohej.

Do të gabonim nëse e hedhim poshtë këtë koment kapardisja e një politikani që bën lojën e të fortit. Edhe pse ai e portretizon veten si evropian, Vuçiç nuk beson te vlerat evropiane. Gjatë kohës kur ishte në pushtet, ai ka shpërbërë metodikisht demokracinë e Serbisë në një masë të tillë, sa Freedom House së fundmi e zhvendosi Serbinë nga një "demokraci gjysmë e konsoliduar", në një "regjim hibrid" në raportin e tij vjetor “Kombe në Tranzit”.

Pa një reformë serioze politike të brendshme, ka pak shanse që Serbia të hyjë ndonjëherë në klubin evropian. Vuçiç e di se ai së pari do të duhet të dorëzojë autokracinë që ka ndërtuar me përpikmëri gjatë gjashtë viteve të fundit para se Serbia të pranohet ndonjëherë në BE, dhe ka arsye të forta për të dyshuar nëse sheh shumë vlera në anëtarësimin e vendit në Bllok apo jo. Anëtarësimi në BE me siguri nuk është në interesin e tij: Gjatë gjithë kohës së tij në detyrë, presidenti serb e ka qeverisur vendin si një territor personal, duke përdorur pushtetin e tij në dobi të atyre që e rrethojnë, siç është vëllai i tij Andrej, i cili dyshohet se ka qenë figura kyçe e shumë marrëveshjeve të errëta. Do të ishte e vështirë të mendohet se ai do ta dorëzojë këtë privilegj me dëshirë.

Rusia nuk është pengesa e vetme për objektivat evropiane në rajon. Perspektiva e anëtarësimit në BE mund të ketë tunduar liderët serbë në të kaluarën, por prania në rritje e Kinës në Ballkan e ka zvogëluar ndjeshëm këtë kërkesë. Gjatë disa viteve të fundit, Vuçiç ka arritur të krijojë një alternativë të anëtarësimit në BE duke ndërtuar lidhje më të ngushta ekonomike dhe politike me Pekinin - një partneritet që e ka ndihmuar atë të sigurojë rreth 4 miliardë dollarë investime direkte dhe 5 miliardë dollarë kredi dhe projekte të infrastrukturës për vendin e tij.

Ai gjithashtu ka zbuluar se, duke u afruar më shumë me kinezët, mund të nxjerrë përfitime më të mëdha financiare nga BE-ja: Në kulmin e krizës së koronavirusit, Vuçiç përdori një konferencë për shtyp për të kritikuar ashpër Brukselin për ndalimin e eksportit të pajisjeve mjekësore për vendet jo-anëtare të BE-së, duke mos i kursyer lëvdatat ndaj Kinës për dërgimin e ndihmës mjekësore, ndërsa shtoi me zemërim se "solidariteti evropian nuk ekziston. Kjo ishte një përrallë në letër". Kjo shkaktoi në BE panik të tillë saqë Brukseli hartoi një paketë mbështetëse prej 93 milionë eurosh për Serbinë brenda pak ditësh.

Ashtu si ish-udhëheqësi jugosllav, Tito, Vuçiç duket qartë se po përfiton nga mospozicionimi. Duke qëndruar mes Lindjes dhe Perëndimit, ai ia del ta bëjë BE-në t’i frikësohet hyrjes së Kinës në sferën e saj të ndikimit dhe të përdorë lidhjet e tij me Pekinin si levë kundër Evropës për përfitimin ekonomik të Serbisë, një rezultat që ndihmon në kompensimin e disavantazheve të mbetjes jashtë bllokut. Vuçiç duket më shumë se i lumtur me këtë marrëveshje, dhe makineria e tij e propagandës tashmë ka krijuar një perceptim të shtrembëruar te qytetarët serbë, sipas të cilit Serbia merr më shumë ndihmë ekonomike nga Kina sesa nga BE-ja.

Brukseli e ka parë gjithmonë Vuçiçin si një njeri me të cilin mund të bëjë biznes, por po bëhet gjithnjë e më e dukshme se presidenti serb po saboton në mënyrë aktive qëllimet e BE-së në Ballkan. Strategjia e tanishme e tërheqjes ka dështuar qartë, dhe nëse Evropa vërtet dëshiron të marrë rolin e saj në çështjen e Kosovës, ajo duhet të ndalojë mbështetjen ekonomike dhe politike për Vuçiç dhe qeverinë e tij dhe ta ridrejtojë atë mbështetje te grupet e shoqërisë civile.

Një propozim i kohëve të fundit nxjerr në pah agjenci të tilla si Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit si një model për t’u imituar: "Me krijimin e agjencive të tilla, BE-ja gjithashtu do ta kishte më të lehtë t’i kanalizonte më parë fondet, të themi, te kryetarë reformatorë bashkish apo spitale, sesa te qeveritë e keqmenaxhuara", shkruan autorët. Kjo do t'i lejonte Brukselit të ushtrojë presion ndaj qeverisë serbe, ndërsa mbështet ende evropianizimin e shtetit serb.

Siç janë gjërat, mospozicionimi i qartë po funksionon shumë mirë për Vuçiçin; Brukseli duhet ta vendosë atë në një pozicion që e detyron të ulet në të njëjtin nivel me popullin serb dhe të marrë një anë.

Foreign Policy / TvT

Përktheu: Gazmira Sokoli/ 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.