Xhepa: Investimet me fonde publike mund ta bëjnë borxhin të pakontrollueshëm
Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, i sheh si kërcënim për financat publike planet e qeverisë “Rama” për investime kapitale në infrastrukturë. Në studion e lajmeve në TvT, i pyetur në lidhje ndikimin në buxhet të projekteve si tuneli i Llogarasë, autostrada Milot-Fier apo HEC-i i Skavicës, Xhepa tha se ato rrezikojnë që borxhi publik të arrijë nivele të pakontrollueshme.
“Të gjitha llojet e kontratave, HEC-i i Skavicës, nënkuptojnë garanci me fonde publike. Nëse ne vazhdojmë me këtë lloj axhende, borxhi publik mund të bëhet i pakontrollueshëm dhe kërcënim për financiat publike të vendit”, tha Xhepa.
Lidhur me ndërhyrjet në buxhet, Xhepa tha se qeveria duhet të rishikojë shpenzimet e panevojshme.
“Para se të shkojmë në prekje pagash dhe pensionesh, Shqipëria ka nivelet më të ulëta të pensioneve dhe pagave. Qeveria mundet të rishikojë disa shpenzime të panevojshme: shpenzime luksi dhe për disa kontrata. Qeveria duhet të mendoje për të ndaluar të gjitha kontratat PPP dhe koncesionet e shpallura nga kryeministri”, tha ai.
Nismën e qeverisë për heqjen e TVSH-së dhe tatim-fitimit, Xhepa e sheh si një strategji joefektive.
“Në vend që thelbi i politikave fiskale të jetë shëndoshja e ekonomisë, politikat e çarjeve fiskale përmes përjashtimeve krijojnë rrjedhje të mëdha. Ato jo vetëm nuk i shërbejnë përmirësimit ekonomik të vendit. Ajo që thotë FMN është një sistem më i thjeshtë fiskal me një barrë më të moderuar, në mënyrë që të zgjerohet baza e tatimpaguesve”, u shpreh ai.
Add new comment