Jemi vetëm në fillim të pandemisë. Do të ketë shumë njerëz me probleme kronike
Peter Piot, një ndër virologët më të njohur në botë flet në revistën “Horizon” për epideminë aktuale të koronavirusit, nisur nga perspektiva shkencore, ajo klinike, por edhe si një pacient. Piot u prek në muajin mars nga CoVid-19 dhe deklaron se edhe pas më shumë se 3 muajsh nuk është normalizuar ende. Në intervistën e tij ai flet për pasojat e virusit që duket se ende nuk po vlerësohen si duhet dhe që janë me të vërtetë shqetësuese. Vetë Piot kaloi në pneumoni virale për shkak të koronavirusit, mbivendosur me një pneumoni bakteriale, ndërkohë që u testua negativ në këtë moment. Tipike e CoVid-19, thotë ai. Një mësim ky edhe për të gjithë personelin mjekësor që ecin me parimin e sigurisë së testimeve.
Përvoja më tregoi se CoVid-19 është më shumë sesa thjesht grip apo se 1% e atyre që hyjnë në terapi intensive. Ka shumëçka në mes të këtyre të dyjave
shprehet ai.
Duke sqaruar tipologjinë e sëmundjes, Piot shton se edhe raportimi i institucioneve po injoron aspektin më të rëndësishëm, atë njerëzor.
Së pari, kjo krizë është për njerëzit. Pjesa më e madhe e komunikimit zyrtar për CoVid-19 flet për sheshimin e kurbës dhe thuajse fare për njerëzit.
Së dyti, në terma të njohjes nga brenda, fakt është se ky nuk është lloji i gjësë që varion mes “gripit apo terapisë intensive”. Do të ketë shumë njerëz me probleme kronike
thotë Piot.
Cili është dimensioni i kësaj krize që po kalojmë? Një pyetje që mund t’u drejtohet jo vetëm virologëve. Por parë në perspektivën e tyre, ajo është patjetër kriza më e madhe sociale në kohë paqeje krahas gripit spanjoll dhe HIV-AIDS.
Shpresoj që e ashtuquajtura valë e dytë të mos jetë një cunami, por pak a shumë si shpërthimet që kemi parë deri më tani. E vërteta është se ne jemi vetëm në fillim të pandemisë. Sa kohë të ketë njerëz të ekspozuar për t’u infektuar, virusi do të jetë i lumtur sepse ai ka nevojë për qelizat tona që të mbijetojë
vijon Piot.
Sipas tij pandemia do të vazhdojë disa vjet dhe vaksina edhe nëse del së afërmi, mund të vendosë nën kontroll sëmundjen, por ajo nuk ka për të qenë 100% efektive.
Add new comment