Francë, qindra padi kundër autoriteteve për menaxhimin e epidemisë

Postuar në 14 Qershor, 2020 22:02

 

Në Francë, familjarët e viktimave të koronavirusit kanë ngritur disa padi ndaj autoriteteve shëndetësore me pretendimin se sëmundja mund të ishte shmangur.

Më shumë se njëqind padi janë depozituar në të gjithë Francën për "vrasje të pavullnetshme ose plagosje", "rrezikim të jetës së të tjerëve" ose "abstenim vullnetar nga përballja me një katastrofë".

Në përgjigje të këtij fluksi, prokurori i Parisit, Rémy Heitz, njoftoi në 8 qershor hapjen e një hetimi të gjerë për menaxhimin e shumëkritikuar të Covid-19 në Francë, që do të plotësojë hetimet e një komisioni parlamentar të ngarkuar me detyrën për të evidentuar gabimet që u bënë.

Duke e përshkruar si një "situatë historike", Heitz vuri në dukje se është "hera e parë që ngrihen padi ndërsa kriza është ende në zhvillim", ndryshe nga rastet e mëparshme të shëndetit publik, siç janë ato mbi azbestin dhe gjakun e ndotur, kur "drejtësi u bë pas ngjarjes”.

Avokati i Shoqatës së Viktimave të Covid-19, Herve Banbanaste, thotë se pasojat e hetimit do të jenë të jashtëzakonshme.

Një proces gjyqësor mund të shkojë 5-7 vjet, por avokatët e familjeve të viktimave thonë se kjo kohë është e domosdoshme për të kuptuar përgjegjësitë e secilit actor në sektorin e shëndetit publik.

Disa prej padive janë ndaj Jerome Salomon, drejtori i Përgjithshëm i Shëndetit në Francë, Shëndetit Publik të Francës apo Agjencive Rajonale Shëndetësore.

Familjarët e viktimave janë mbledhur një shoqatë të quajtur Collctif 9471, ky i fundit numri i viktimave më 5 mars, kur u themelua shoqata. Pjesë e saj janë edhe të afërm të punonjësve të shëndetit publik që kanë humbur jetën për shkak të pandemisë.

Shoqata profesionale e mjekëve në Francë thotë se rreth 30 mjekë të përgjithshëm kanë humbur jetën nga koronavirusi. Kjo kategori e ka akuzuar ministrin e Shëndetësisë, Olivier Veran, se ka shkelur premtimin për t’i pajisur me maska FFP2, të cilat rekomandohen për mjekët në vijën e parë të betejës me koronavirusin.

Edhe sindikatat e policisë kanë pretendimet e tyre. Ata thonë se autoritetet nuk kanë bërë mjaftueshëm për t’i mbrojtur gjatë kontaktit me publikun.

Të tjerë kanë ngritur padi ndaj qeverisë për mbajtjen e raundit të parë të zgjedhjeve lokale me 15 mars, pavarësisht se virusi ishte në qarkullim.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.