Komunikatë/Ranë dakord. Edhe ambasada vazhdon të jetë në krah të popullit shqiptar
Ramë dakord për zvogëlimin e periudhës zgjedhore, përkatësisht në datat 15 prill-15 maj, ose 15 tetor- 15 nëntor. Është një periudhë shumë e mirë për të bërë zgjedhje në Shqipëri, pasi edhe klima është më e mirë. Pjesëmarrja sa më e lartë në zgjedhje do të jetë një gjë shumë e mirë.
Ramë dakord edhe për parimin e kuotës gjinore, që një në tre emra të jetë nga gjinia femërore, të shoqëruar dhe me sanksionet përkatëse. Nisur nga ky parim duhet të shihet si të eliminohen disa shqetësime.
Ramë dakord që të kemi dhe financimin miks, pra financim nga qeveria, dhe pjesa tjetër nga donacionet, por duke e ulur në një raport më të pranueshëm. Qeveria ka marrë përsipër të shtojë vlerën totale që do të jepet për fushatën e ardhshme zgjedhore. Kapitulli i financimit të fushatës ka marrë dakordësim
Këto ka thënë sot Damian Gjiknuri. Në Këshillin Politik kanë rënë dakord. Nëse sheh pikat e mësipërme njeriu nuk arrin dot të kuptojë se përse nuk ka patur dakordësi për kësi gjërash dhe tani shpallen si maja e kulturës së konsensusit. Këto ka përsëritur edhe kolegu i Gjiknurit, demokrati Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili i LSI-së.
Komedia e konsensusit dhe progresit vazhdon me ambasadoren e SHBA-së në Tiranë, që është bërë si shkesa e reformës në drejtësi për një martesë problematike. Ja lajmi që duhet të na lumturojë të gjithëve. Ambasada ka dalë me një deklaratë:
Shtetet e Bashkuara mbeten vendosmërisht të përkushtuara ndaj reformës në drejtësi, e cila është kërkesë e popullit shqiptar. Në përgjigje të kësaj kërkese, në vitin 2016, Parlamenti miratoi unanimisht ligjet themelore për reformën. Prej atëherë, janë ngritur institucione kyçe dhe zbatimi vazhdon për t’i bërë ato funksionale. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe e papërsosur por është e nevojshme.
Reforma në drejtësi po ecën përpara dhe duhet të vazhdojë, në mënyrë që Shqipëria të bëhet anëtare e plotë e familjes europiane. E gjithë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vijojë të mbështesë synimin e popullit shqiptar.
Ne nuk duhet të humbasim përqëndrimin, ne nuk duhet të çorientohemi – synimi është i qartë, populli shqiptar foli dhe reforma në drejtësi duhet të ecë përpara, hap pas hapi
Ne nuk kemi votuar për SHBA në ndonjë moment të historisë sonë, por SHBA ka marrë mandatin vetë që të përmbushë një aspiratë tonë. Atë për pak drejtësi. Dhe e bën këtë me paratë e taksapaguesve amerikanë dhe me një këmbëngulje të habitshme. Na mbetet vetëm të gëzohemi dhe të admirojmë këtë dhuratë se qelepir e kemi.
Add new comment