Letrat e prishjes së Teatrit. Zbardhet komunikimi Fusha-Veliaj-Kumbaro-Agaçi
Një ditë pasi biznesmeni Shkëlqim Fusha pranoi se plani i tij për ndërtime pas zonës së teatrit vijon të jetë aktiv, TvT zbardh korrespondencën mes kompanisë dhe institucioneve lokale dhe qëndrore që u përfshinë në avancimin e projektit për Teatrin dhe kompleksin e ndërtesave pas tij.
Në 16 shkurt të vitit 2018, kompania “Fusha” zyrtarizoi me një shkresë drejtuar Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Kulturës planin e tij për të ndërtuar godina shërbimi në zonën e Teatrit Kombëtar.
Si pjesë e zhvillimit të zonës, Fusha propozoi t’i vendosej në dispozicion trualli me sipërfaqen e plotë të Teatrit Kombëtar në këmbim të rindërtimit të godinës bashkë me një parking nëntokësor, ndërsa pjesa e tjetër e truallit do t’i mbetej për investime kompanisë në fjalë.
Zona e propozuar me interes zhvillimi, është e fundit hapësirë në qendën e Tiranës që ka mbetur pa zhvilluar, duke konsideruar që edhe institucionet shtetërore përreth i janë nënshtruar rikonstruksionit. Për këtë arsye, zhvillimi do të plotësojë si hallkë e fundit, gjerdanin e ndryshimeve që qendra e Tiranës ka pasur gjatë viteve.
Vetëm një javë më vonë, më 23 shkurt 2018, kryebashkiaku Erion Veliaj ia ka përcjellë këtë interesim zyrtar sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, z.Engjëll Agaçi, me këtë shkresë ku i kërkon të vlerësojë këtë propozim.
I nderuar zoti Aga… Bashkia Tiranë, në kuadër të ushtrimit të funksioneve dhe përgjegjësive të saj në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike, si dhe atyre në fushën e kulturës, lidhur ngushtë këto me plotësimin e kushteve bashkëkohore për organizimin e tyre, po ju përcjellim për t’u shqyrtuar dhe vlerësuar nga ana juaj shprehjen e interesit të paraqitur nga ana e shoqërisë “Fusha shpk” dhe marrjen e hapave të mëtejshëm mbi këtë propozim të paraqitur.
Ministria e Kulturës, si një nga institucionet e vëna në dijeni më 29 mars i shpeh sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi mungesën e fondeve për ndërtimin e një godine të re për Teatrin Kombëtar sipas standardeve bashkëkohore, por edhe nevojën për detajimin e statusit juridik të këtyre pronave.
Më datë 14 maj po të vitit 2018, Bashkia e Tiranës i kthen përgjigje Ministrisë së Kulturës ku kërkon hartimin e një ligji të posaçëm për të lejuar legjitimitetin e marrëdhënies mes shtetit dhe privatit për dhurimin e pronës ndaj investitorit të mundshëm “Fusha Sh.P.K”, sipas një forme bashkëpunimi të propozuar nga vetë investitori.
Një propozim konkret i dërguar nga investitori i mundshëm “Fusha Shpk”është rregullimi i kësaj marrëdhënieje me një ligj të posaçëm, të miratuar nga Kuvendi i Republikëës së Shqipërisë, sipas disa praktikave të ndjekura deri më tani.
Një ditë më vonë, Ministria e Kulturës ngre një grup pune lidhur me kërkesën e Bashkisë së Tiranës për zhvillimin e zonës pranë Teatrit Kombëtar. Ky grup u përbë nga shtatë anëtarë, me në krye Drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Politikave dhe Zhvillimit të Kulturës, asokohe Ledion Lako. Pas grupi i punës monitoroi dhe përcolli të dhënat e deriatëhershme, Ministria e Kulturës, më datë 17 maj po të vitit 2018, i drejtohet Këshillit të Ministrave.
Në letërkëmbim, ministria njoftoi se grupi i punës duke parë kompleksitetin në fjalë të çështjes propozon përfshirjen edhe të institucioneve të tjera si Ministria e Drejtësisë, Ministrinë e Financave dhe ajo e Energjisë dhe Infrastrukturës. Në korrik, Kuvendi i Shqipërisë hartoi ligjin e posaçëm në emër të kompanisë “Fusha SHPK”, duke synuar lidhjen e marrëdhënieve mes shtetit dhe privatit për zhvillimin e zonës urbane. Deri më sot, pas afro dy vitesh, rrjedha e çështjes së Teatrit është ndryshuar disa herë për shkakt të kundërshtimit të komunitetit të artistëve.
Kryeministri Rama ka deklaruar se projekti i Teatrit do të zhvillohet pa kulla dhe se godina e re do të financohet nga shteti. Por biznesmeni Shkëlqim Fusha në intervistën ekskluzive dhënë për TvT tha se qëndron në të njëjtin projekt për zhvillimin e pronës së tij private në truallin e Teatrit Kombëtar duke lënë ftesë të hapur për bashkëpunim me bashkinë.
Add new comment