Teatri si sahan qensh

Postuar në 20 Maj, 2020 03:01
Erjus Mezini

 

Qentë janë kafshë shtëpiake, lozonjarë të këndshëm, ndihmës të mirë dhe, mbi të gjitha, besnikë ndaj të zotit. Mirëpo këto veti të shkëlqyera të qenve supozojnë plotësimin e një kushti thelbësor: qentë janë ushqyer mirë. Në rastin e kundërt, kur qentë nuk kanë ushqim të mjaftueshëm, harrojeni çdo veti të mirë të tyre dhe përgatituni për të parë versionin më të keq të qenit: lehjet pa fund, egërsimin, tërbimin, dhëmbët që kafshojnë qentë e tjerë, por edhe të zotin, luftën e egër për mbijetesë.

Këto veti të këqia të qenve më erdhën në mendje kur pashë imazhet e shembjes së Teatrit Kombëtar. Të gjitha skenat që u shpalosën përpara ekranit më ngjanë më shumë me një luftë qensh të mbledhur rreth sahanit, si në ato vitet kur isha fëmijë dhe skena të tilla shikoja sa herë që unë dhe kalamajtë e tjerë luanim me kopetë e uritura të qenve që endeshin vazhdimisht në fushat e papunuara të Kombinatit dhe Yzberishtit. Pikërisht, mënyra si u shemb godina e teatrit dhe protestat e shoqëruara me dhunën e përgjakur policore vetëm me luftë qensh të uritur mund të krahasohen. Ashtu siç ndodh me qentë, ku më të fortët shtrëngojnë sahanin dhe të tjerëve u tregojnë dhëmbët dhe kur e do nevoja u kafshojnë ndonjë vesh a ndonjë kofshë, ashtu mu ngulitën në mendje veshi i prerë dhe kofshët e përgjakura të qenve të dobët, të artistëve të uritur e të papunë që nuk u ka mbetur gjë tjetër veçse të mblidhen rreth sahanit dhe të tentojnë të shkëpusin ndonjë thelë a ndonjë kockë nga qentë e fortë të parisë postkomuniste –të vetëshpallurit artistë, rilindas dhe “Çuna Tirone”, por që në mendjen e shqiptarëve të diasporës nuk janë gjë tjetër veçse “Çunat e Revolucionit Kinez”.

Lexuesit duhet t’i thuhet, doemos, se ato ngjarje që pa në ekran nuk kanë të bëjnë as me artin dhe as me monumentet e kulturës. Ato janë thjesht përpjekje të pashpresa në një luftë të ashpër për mbijetesë. Gjaku dhe dhuna që u shpalosën dje në qendër të Tiranës ishin thjesht kulmi, akti i fundit, i një beteje të nisur prej vitesh midis mbrojtësve dhe sulmuesve të sahanit. Arti dhe Teatri Kombëtar nuk kanë asnjë lidhje me këtë betejë, nuk janë ato shkaku përse kaq njerëz u revoltuan dhe u sakatuan më 17 maj. Që të bëhem i qartë, lufta për Teatrin Kombëtar, artin dhe kulturën kombëtare, është humbur me kohë. Me sa më thonë miqtë e mi dramaturgë ka e pakta dhjetë vjet që asnjë dramë shqipe nuk vihet në skenën e një teatri të quajtur kombëtar dhe të financuar nga taksat e shqiptarëve. Ka vite po ashtu që dramaturgëve shqiptarë u janë mbyllur dyert e Teatrit Kombëtar dhe Ministrisë së Kulturës. Nëse lexuesi i vë në dyshim këto dëshmi, le ta provojë njëherë vetë dhe t’i nisë ndonjë e-mail ose t’i bëjë ndonjë telefonatë Teatrit Kombëtar dhe Ministrisë së Kulturës. Nëse merr përgjigje për kërkesat me shkrim a me gojë, atëhere unë jam duke gënjyer.

Teatri Kombëtar i Shqipërisë ekziston për të mbajtur ca njerëz me rrogë dhe për t’u shërbyer interesave të grupeve të caktuara, grupe që në diasporë i njohim si Çunat e Revolucionit Kinez. Të njëjtën gjë pak a shumë bën edhe Ministria e Kulturës. Konkurset shpallen dy javë përpara se të skadojë afati (ka edhe nga ato raste kur lexon emra fituesish për konkurse të pashpallura), lekët u jepen të njëjtëve njerëz, llogari nuk i jepet askujt, linjat e telefonit dhe adresat e e-maileve ekzistojnë kot, komisionet e vlerësimit të veprave përbëhen nga Çunat dhe Gocat e Revolucionit Kinez, po nuk ke adresë në Bllok nuk ekziston (as që mund të jesh autor), impakti i konkurseve as që vlerësohet, lekët i merr era dhe ata që emëron partia marrin gjithmonë rrogën.

Më këto dhe të tjera rrethana askush nuk duhet të ketë iluzionin se shqiptarët dhe shteti i tyre po djersiten për kulturën dhe artin. Hera e fundit kur në Shqipëri disa njerëz u djersitën vërtet për kulturën dhe artin ishin vitet 1970, kur Revolucioni Kulturor Kinez arriti Tiranën. Që atëhere, domethënë mbasi krijuam brezin kinez të Bllokut, kultura dhe arti janë lënë si ato fushat e papunuara të Kombinatit dhe Yzberishtit, ku qentë e fortë dhe të dobët enden dhe kafshojnë shoshoqin vazhdimisht. Shteti shqiptar, Ministria e Kulturës dhe vetë drejtuesit e Teatrit Kombëtar sot nuk kanë asnjë vizion për kulturën dhe artin. Shteti Shqiptar, Ministria e Kulturës dhe Teatri Kombëtar ekzistojnë vetëm për të mbajtur grupe njerëzish me rroga, jo për të edukuar shqiptarin apo për të mbrojtur kulturën kombëtare (që sillet si detyrë themelore në Kushtetutën e Shqipërisë, Neni 3).

Nëse me këto që përmenda kam qenë i drejtë, atëhere pyetja sot nuk është se çfarë do të bëhet me godinën e teatrit. Pyetjet sot janë: A kanë vizion njerëzit që drejtojnë teatrin? A ia vlen të quhet Teatër Kombëtar një vend ku autorin shqiptar nuk e lexon dhe nuk e vlerëson askush? A duhet buxheti publik të rëndohet me një institucion që ekziston vetëm për të dhënë rroga te miqtë e partisë?

 

Teatri, ashtu si e njoha unë, nuk ka lidhje fare me Teatrin Kombëtar të Tiranës. Teatri Kombëtar i Tiranës më shumë ngjan me një shkollë artistike, ku drejtuesit trajnojnë miqtë e farefisin dhe vënë në skenë drama që në botë vihen vetëm në shkolla artistike (për të mbushur biografitë e stazhierëve). Teatri që njoha unë, ai i mbeturi në rrënojat e Athinës, ishte institucioni më i lartë dhe më i shenjtë i demokracisë. Aty shpreheshin, brohoriteshin dhe mishëroheshin frikat dhe shpresat më të larta të brezave. Perënditë e lashta, artistët dhe publiku bashkoheshin të gjithë në teatër, në ditët e shenjta kur çdo punë pezullohej dhe shfaqja e radhës ishte lajmi më i madh i ditës. Kurse në Teatrin Kombëtar të Tiranës luhen shfaqje të shkruara pesë shekuj më parë, aktrojnë pleq dhe kalamajtë e tyre, producentë dhe regjisorë janë gjithmonë Çunat e Revolucionit Kinez, perënditë i kanë vënë në gjumë dhe shfaqjet organizohen vetëm në ditë pune (që të ndahen rrogat pa probleme). Të gjithë sot po qajnë hallin se çfarë do të bëhet me godinat dhe rrogat e Teatrit Kombëtar dhe pak veta pyesin se çfarë do të bëhet me edukatën demokratike dhe me kulturën kombëtare të një kombi që udhëton i sigurt drejt rrënimit. A ofron Teatri Kombëtar ndonjë kurë për edukatën dhe kulturën kombëtare? A janë të aftë drejtuesit e teatrit për këtë mision të shenjtë, edukimin e qytetarit?

 

Në mbyllje, le t’i rikujtoj lexuesit që në Greqinë e Lashtë ekzistonin një mijë qytete dhe pothuajse në çdo qytet helen, përfshi Butrintin dhe Apolloninë, ekzistonte teatri. Mirëpo nga gjithë këto vende ku organizoheshin festa dhe shfaqje, vetëm një, Athina, na ka lënë tekste të shkruara teatrale (veprat e Eskilit, Sofokleut, Aristofanit dhe Euripidit). Në nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë qytetet e tjera, tekstet (nëse ekzistonin) u zhdukën bashkë me qytetin.

Nëse dikush sot më pyet përse nga një mijë qytetet e Greqisë së Lashtë vetëm Athinës i shpëtoi drama, unë i përgjigjem: sepse aty lindi demokracia dhe teatri që i jep zë demokracisë (ai teatri i çliruar nga tiranët, mishërues i shpirtit të lirë të një kohe) është i vetmi që ia vlen të merret në konsideratë nga brezat

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.