Fundi i Progresit Ekonomik

Postuar në 14 Maj, 2020 17:48
Francesco Boldizzoni - Norwegian University of Science and Technology

 

John Stuart Mill ishte një kritik më dashamirës i kapitalizmit po ta krahasojmë me Karl Marx. Për të, ekonomia e sipërmarrjes private ishte përgjegjëse për gjenerimin e pabarazive të tmerrshme, por këto pabarazi nuk kishin qenë më pak të rënda në kohët e mëhershme. Për më tepër që ka gjeneruar pasurinë e jashtëzakonshme nga e cila shoqëria Viktoriane(apo të paktën seksionet më të privilegjuara të saj) mund të përfitonin.

Kapitalizmi ka probleme serioze, por ka gjithashtu edhe potencialin për të krijuar pasuri. E meriton një tjetër shans. Ai mund dhe duhet të reformohet siç duhet, në mënyrë që deformimet e shpërndara që e afektojnë atë të minimizohen. Në këtë mënyrë, e gjithë shoqëria do të ishte e aftë të vjelë frutet e tij.

Ndonëse jo një revolucionar, Mill ishte një njeri i ndjeshëm. Reformizmi i tij kishte lindur nga ky konflikt i brendshëm. Kishte hezitimet dhe kontradiktat e tij, por ishte megjithatë autentik. Në të vërtetë, ndonëse Mill i njihte meritat e kapitalizmit, ai u shpreh qartë se në gjendjen e atëhershme, sistemi ishte i papranueshëm. Siç shkruajti në vitin 1852 dhe e përsëriti në botimet e fundit të “Principles of Political Economy”:

Nëse…zgjedhja do të ishte mes Komunizmit me të gjitha mundësitë e tij dhe gjendjes së tanishme të shoqërisë me të gjitha vuajtjet dhe padrejtësitë; nëse institucioni i pronës private dhe pasojat që ajo sjell, pra që produkti i punës duhet të jetë I shpërndarë siç e shohim tani, thuajse në të kundërt me shkallën e punës…nëse ky apo Komunizmi do të ishin alternativa, me të gjitha vështirësitë, të mëdha apo të vogla, Komunizmi as që do të quhej fare

Megjithatë ai shtonte menjëherë më pas: “Por që ta bësh krahasimin të aplikueshëm, ne duhet të krahasojmë Komunizmin në më të mirën e vet, me regjimin e pronës individuale, jo siç është por siç duhet të jetë”.

Kapitulli nga janë shkëputur këto citime “Mbi Pronën” dihet mirë se është më ndër shkrimet më obsesionuese për Mill. Që nga edicioni i parë në vitin 1848 deri në të shtatin në vitin 1871, ai iu nënshtrua rishikimeve dhe rishkrimeve të pafundme. Ndryshimi më i madh(ndonëse pa implikime substanciale) ndodhi në edicionin e tretë të vitit 1852.  Ndryshimi i dedikohet pjesërisht, siç e shpjegon vetë Mill në Autobiografinë e tij, një studimi më të thellë të temës dhe pjesërisht, humorit politik që po krijohej pas ngjarjeve të vitit 1848 në Francë. Ai tani priste që lexuesit të ishin “më të hapur në receptimin e risive në opinion”. Deri atëherë, ai kishte qenë injorues për “komunizmin”. Ai e konsideronte atë të papraktikueshëm në një shoqëri modern, pasi do të shtype incentivat që udhëheqin njerëzit në prodhim dhe për t’u kujdesur për cilësinë e asaj që prodhojnë.  Komunizmi i dukej atij po ashtu i padëshirueshëm. Do të bënte të varfër të pasurit pa bërë të pasur të varfërit dhe në terma afatgjatë, do të çonte drejt një rënieje të cilësive morale.

Nga ana tjetër, nisur që nga viti 1852 e më pas, Mill e bëri të qartë se skepticizmi i tij nuk vinte nga një mosbesim absolut në mundësitë e një sistemit të tillë. Ai i refuzonte pjesën më të madhe të paragjykimeve mbi të. Nuk ishte e vërtetë, thoshte ai, se komunizmi do të inkurajonte dembelizmin dhe oportunizmin. As se sigurimi I mbijetesës së çdo familjeje do të çonte detyrimisht në një sjellje riprodhuese të papërgjegjshme dhe në një rritje të pakontrolluar të popullsisë. Edhe problemi i vështirë i mënyrës sesi duhet të shpërndahej ngarkesa e punës mes anëtarëve të shoqërisë, duke patur parasysh se qoftë punët, qoftë aftësitë ishin të ndryshme dhe jo lehtësisht të krahasueshme, mund të kapërcehej nga “inteligjenca njerëzore e drejtuar nga një sens drejtësie”.

Argumenti përcaktues për ta rrëzuar komunizmin në favor të një kapitalizmi të refromuar ishte në natyrën e vet moral dhe kishte të bënte me ruajtjen e lirisë individuale njerëzore.

Pasi sigurohen mjetet e mbijetesës”, vëzhgon Mill, dëshira për liri individuale “rritet në vend se të zvogëlohet në intensitet”. Ishte e pamundur të njihej a priori “se deri ku do të mund përputhej ruajtja e kësaj karakteristike me organizimin komunist të shoqërisë”. Po çfarë kuptimi kishte komunizmi për Mill? Ai ishte disi i paqartë në këtë pikë. Dallimi mes “komunizmit” dhe “socializmit” duket se qëndron në atë sesa larg shkojnë në ndjekje të barazisë përmes mënyrave të rishpërndarjes së pasurisë.

Ai  përshkruante si socialistë ata që pranonin disa pabarazi për sa kohë që ajo nuk buronte nga fati, por nga meritokracia, apo sepse ky ishte një çmim që duhej paguar për ndjekjen e një të mire më të madhe. Mes alternativave radikale dhe shtegut të moderimit, Mill preferonte qartësisht këtë të fundit. Ai vinte në dukje, sërish pas vitit 1852 sesi “fjala Socializëm…përdoret tani në Kontinent në një kuptim më të gjerë”, jo si fjalë që sugjeron “ndalimin e plotë të pronës private”, por më tepër si posedim i mjeteve të prodhimit nga komunitete dhe bashkime.

Mill përfundonte se më e mira ishte ruajtja dhe përmirësimi i kapitalizmit. Në fund të fundit, argumentonte ai, “parimi i pronës private nuk ka patur në asnjë vend një gjykim të ndershëm”. Shpërndarja e tanishme e posedimit ishte rezultat i “pushtimit dhe dhunës” kryer shekuj më parë – një tezë shumë afër nocionit të Marksit për akumulimin primitiv të pronës. Por ishte i mundur edhe një regjim tjetër pronësie, i bazuar jo mbi forcën apo privilegjin por mbi meritat individuale dhe punës. Përqafimi i këtij parimi do t’i jepte fund rritjes së pabarazisë.

Kur Mill publikoi “Parimet…” rreth mesit të shekullit të 19-të, ai ndjente se një erë e përparimit të paprecedentë të progresit material, që koincidonte me Revolucionin Industrial, kishte arritur kulmin. Ky progres la të hapura probleme serioze të shpërndarjes së pasurisë, por ishte megjithatë i pamohueshëm. Pasuria ishte rritur, popullsia po ashtu, teknika kishte avancuar. Për më tepër Mill, kishte një besim të vendosur në kapacitetin e shpirtit njerëzor për të përmirësuar veten, një besim të cilin e ndante edhe bashkëkohësi i tij dhe korrespondenti Auguste Comte, ndonëse pikëpamjet e tyre filozofike divergonin në shumë drejtime të tjera. Por edhe në këto kushte, Mill nuk mendonte se rritja e pasurisë mund të vazhdonte pafundësisht. Në këtë kuptim, ai shfaqet të jetë më pak modern se shumë të tjera që erdhën pas tij dhe që ngritën në qiell një të ardhme me prosperitet përherë e më të madh, që mund të quhen edhe profetët e rritjes ekonomike vetëmbështetëse.

Ose ndoshta ai ishte më modern sesa ata, përderisa këto siguri janë sfiduar rregullisht gjatë 50 viteve të fundit. Në fakt, Mill vijoi të mbronte idenë se progresi ekonomik ishte i paracaktuar të përfundonte në “gjendje stacionare të kapitalit dhe pasurisë”. Nuk do të ishte çështje regresi apo rënieje, thjesht një rënie e ngadaltë e rritjes, siç do ta quanim sot, derisa pasurimi të arrinte një kufi sipëror. Ky kufi megjithatë, do të duhet të ishte i përputhshëm në ëmnyrë të arsyeshme me standardet e larta të jetesës, shumë më të larta sesa ato të përjetuara para industrializimit.

Në kulmin e erës Viktoriane dukej se regresi i standardeve të jetesës në nivelet paraindustriale, as që vihej në diskutim. Popullsia dhe burimet kishin gjetur një ekuilibër të ri në një vend që ishte më i pasur dhe më i populluar sesa më parë.

E sërish, po ky vend ishte i turbulluar nga bashkëekzistenca e pasurisë ekstreme me varfërinë ekstreme; nga shkatërrimi i natyrës, sakrifikuar në altarin e prodhimit të mekanizuar dhe nga degradimi i jetës njerëzore. Rrugicat e Britanisë u mbushën me “fëmijët e njeriut” dhe Injorancën dhe Dëshirën, njerëz të vërtetë që ishin shëmbëlltyra e karaktereve alegorike të Dikensit. Ata i shihje kudo. Mill pranonte se rritja industriale “mund të jetë një fazë e domosdoshme në progresin e qytetërimit”, ndaj çdo komb mund t’i duhet të kalojë përmes saj. Por ai besonte se të paktën në Britani, kjo fazë po shkonte drejt fundit. Mbërritja e “gjendjes stacionare” mundet ndoshta të shtyhej, por nuk mund të shmangej. Prandaj ai pyeste: “Kur progresi ndal në cilat kushte duhet të presim që do ta lërë njeriun?” Nuk e shtroi si pyetje abstrakte. Me fjalë të tjera ai nuk e trajtonte ezaurimin e progresit material si një problem teknik, por si një problem të lidhur ngushtë me fatin e kapitalizmit.

Mill shpjegoi se gjendja stacionare nuk duhet të shihej me frikë, por të mirëpritej me një lloj lehtësimi:

Unë e pranoj se nuk jam i joshur me llojin e idealit të jetës të ofruar nga ata që mendojnë se gjendja normale e qenieve njerëzore është lufta për të ecur para; se shkelja, shtypja, bërrylat dhe ndjekja e gjurmëve të tjetrit, që formojnë llojin e jetës sociale sot, janë pjesa më e dëshirueshme e njerëzimit, apo çdo gjë tjetër, veç simptomave të papëlqyeshme të një prej fazave të progresit industrial

Gjendja stacionare do të përfaqësonte “një përmirësim shumë të konsiderueshëm” në kontekstin e situatës aktuale. Një ekonomi e avancuar, mendonte Mill, nuk mund të zgjerohet përtej kufijve të vet fizikë. Por ajo nuk ka nevojë të rritet përtej, sepse është tanimë e aftë të prodhojë mjaftueshëm pasuri për të kënaqur nevojat e mbarë shoqërisë. Që kjo të ndodhë duhet të përmbushen dy kushte:

I pari është që burri dhe gruaja të mësojnë sesi të riprodhojnë në mënyrë të përgjegjeshme në mënyrë që të sigurohet një balancë mes popullsisë së përgjithshme dhe pasurisë(këtu Mill i papraprinte diçkaje që duke nisur nga mesi i shekullit të 20-të do të ndodhet thuajse kudo në Perëndim).

I dyti dhe më i rëndësishmi është ai se pasuria duhet të rishpërndahet – jo sipas rastësisë, por bazuar në kritere drejtësie: kushdo duhet të ketë shanse të barabarta në jetë.

Këtu sërish, ne ndeshemi me barazinë e oportunitetit. Në momentin që kushtet përmbushen “shoqëria do të manifestojë këto tipare kryesore: një trupë punëtore të mirëpaguar dhe të begatë; jo pasuri të jashtëzakonshme, përveç atyre të grumbulluara dhe fituara gjatë një jete të vetme; por një grup më i madh njerëzish sesa tani që jo vetëm përjashtohen nga punët më të rënda, por me kohën e duhur të lirë, fizike dhe mendore nga hollësitë mekanike, të kenë mundësi të kultivojnë kënaqësitë e jetës”.

Kjo çështje na kthen në pikën e fillimit, por Mill shpreson se shkon përtej. Situata drejt së cilës shpresohet se do të çojë gjendja stacionare ishte për të “ajo në të cilën, teksa askush nuk është i varfër, askush nuk dëshiron edhe të jetë më i pasur, por edhe ku askush nuk ka arsye të ketë frikë se do të lihet pas nga përpjekjet e të tjerëve për të ecur përpara”.

Edhe kjo po ashtu implikon se ai kishte në mendje një ndryshim në sferën e vlerave. Në fakt, Mill e pa “luftën për pasuri” në shoqërinë Viktoriane si asgjë më shumë sesa si vazhdim me mënyra të tjera i “luftës me armë”. Ishte një hap më para, por që kushtëzonte njeriun me një trashëgimi barbare. Procesi i ndryshimit psikologjik që duhet të ecte dora – dorës me arritjen e pjekurisë ekonomike nuk duhej kuptuar thjesht si përshtatje me kushte më të mira materiale, por si produkt i një përparimi autonom, ndonëse të njëkohshëm, moral. Progresi kuptohej pra nga Mill si përmbushje e qëllimit të “gjendjes më të mirë për natyrën njerëzore”.

Mill e dinte se gjendja stacionare nuk do do të materializohej detyrimisht në një kohë të afërt. Edhe një ekonomi e zhvilluar plotësisht si ajo e Britanisë kishte disa kufij për zgjerim të mëtejshëm. E megjithatë ai dëshironte që kombi të tregohej i mençur mjaftueshëm sa për të bërë një hap pas përpara se të detyrohej ta bënte një gjë të tillë.

Për këtë arsye ai theksonte rrezikun tjetër me të cilin përballej shoqria Viktoriane – kërcënimi ekologjik. Ai nuk gjente arsye se përse një densitet më i madh popullsie do të kërkohej në kurriz të mjedisit. Ai po ashtu besonte se degradimi mjedisor po kishte një ndikim mengativ në psikologjinë njerëzore…Për të ngritur nivelin e mendimit, njerëzit kishin nevojë për momente qetësie soditjeje të “bukurisë dhe madhështisë së natyrës”. Ai eci më tej me një paralajmërim që tingëllon profetik në atë që parathotë:

Nuk mbetet shumë kënaqësi në soditjen e një bote ku nuk është lënë më asgjë për spontanitetin e aktivitetit të natyrës; ku çdo akër toke i është nënshtruar kultivimit…çdo kullotë dhe lëndinë e tharë është lëruar, ku të gjithë gjitarët dhe zogjtë që nuk janë zbuatur për nevojat e njeriut, do të jenë asgjësuar si rivalë për ushqim, ku çdo gardh apo pemë e tepërt është çrrënjosur, një botë ku vështirë se ka mbetur një vend ku mund të rritet një shkurre e egër apo ku mund të rritet një lule

Burimi: Lapham's Quarterly

Përkthimi: ResPublica 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Interesant keto shkrime te Xhon Stjuart Millit mbi sistemet dhe rendet. Fatkeqesi qe ne shqip nuk jane perkthyer librat e klasikeve te shek. XVIII dhe XIX, sic jane perkthyer ne shumicen e gjuheve te Europes.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.