Luftë për konvertimin e pakicës sllave në Shqipëri. Heshtje nga Tirana zyrtare, por edhe nga OSBE-ja
Pavarësisht Traktatit të Miqësisë, tensionet në raportet bullgaro-maqedone nuk ndalojnë. Disa media në rajon, përfshirë ato nga Maqedonia e Veriut, raportojnë se Bullgaria po i bën presion Shkupit zyrtar të heqë dorë nga pretendimet se ka një pakicë maqedonase në Bullgari, se ka një gjuhë maqedonase nëse dëshiron të hyjë në Bashkimin Europian.
Ky është një problem që i del përpara Maqedonisë Veriut në formën e një vetoje të dytë pas vetos 30 vjeçare të Greqisë për çështjen e emrit.
Agjencia maqedonase Mia, raporton se Bullgaria po rivendos lidhjet me pakicën sllave në Shqipëri duke propaganduar se ata janë bullgarë. Këtu rol luan edhe lëshimi i pasaportave bullgare që hapin rrugën për lëvizje të lirë dhe punësim në Bashkimin Europian.
Shkupi nuk ka ndenjur duarkryq.
Shoqata Maqedonase “Ilinden” me seli në Tiranë, ka dënuar sfidën e zv.kryeministrit bullgar, Krasimir Karakatsanof, eurodeputetit Andrey Kovachev dhe ambasadës bullgare në Tiranë për dhënien e pasaportave pakicës sllave në Shqipëri
shkruan agjencia në fjalë.
Shoqata në fjalë deklaron se në Shqipëri nuk ka bullgarë dhe se sllavët e Shqipërisë janë në fakt maqedonas të cilët për shkak të situatës ekonomike po kërkojnë pasaporta europiane, të cilat i ofron Bullgaria.
Ne i bëjmë thirrje Parlamentit Europian që të veprojë ndaj Andrei Kovachev i cili ka ushtruar presion ndaj maqedonasve të Shqipërisë qëkurse mori detyrën e tij. Ne dënojmë qeverinë e Sofjes për diskriminimin dhe kërkesat raciste, naziste për mosekzistencën e Popullit Maqedonas, gjuhës maqedonase si të tërë
citohet deklarata.
Mbi këto përplasje që lidhen ngushtë me interesa të sigurisë të vendit tonë, nuk ka asnjë raportim zyrtar. Minoriteti bullgar u njoh zyrtarisht në Shqipëri nga qeveria e Edi Ramës i cili ra dakord ta përfshinte ekzistencën e tij pas një telefonate me kryeministrin bullgar Borisov. Mediat bullgare shkruajtën asokohe se Edi Rama shkëmbeu zyrtarizimin e një minoriteti me mbështetjen bullgare për anëtarësim në BE. Bullgaria mori pakicën, kurse Shqipëria zbaticën e integrimit. Kuptohet z. Rama mund të mburret se ka zhvilluar diplomaci mjeshtërore pasi ka neutralizuar një veto bullgare, por siç thotë fjalë e urtë, “nuk çalon gomari nga veshët”. Nga ana tjetër zotëria këtë vit drejton OSBE-në që ka disa detyra në këtë drejtim dhe ka madje edhe një Komisar për pakicat.
Është për t’u shënuar po ashtu se për raportet shumë delikate Bullgari-Maqedoni e Veriut nuk ka asnjë investim nga BE-ja që kur vjen puna për Kosovën i ka veshët pipëz dhe e konsideron dialogun si proces kyç.
Add new comment