Epidemiologu: CoVid-19 në janar, ndoshta raste sporadike. Skaneri vetëm nuk përcakton dot diagnozë
Në Shqipëri, rastet e para të koronavirusit u konfirmuan më 9 mars. Megjithatë, shpesh janë hedhur hipoteza se raste të të infektuarve me këtë virus ka pasur edhe më herët. Në studion e TvT, mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti, nuk e përjashtoi këtë mundësi. Ai u shpreh se raste sporadike mund të ketë pasur që në janar, por si të tilla, ato nuk janë reflektuar në shërbimin spitalor.
“Potencialisht gjithçka është e mundur. Ajo që dimë me siguri është që në Kinë, rasti i parë ishte më 17 nëntor. Dimë edhe që bota është shumë e vogël dhe fluturimet bëjnë të mundur udhëtime nga njëri cep i botës në tjetrin brenda ditësh. Nuk do të ishte çudi që rastet të kenë filluar që më përpara. Mundësitë janë që të ketë pasur ndonjë rast, por kjo nuk do të thotë që kemi pasur raste masive, sepse kjo do të ishte ndier në shërbimin spitalor. Raste sporadike mund të ketë pasur që në janar”, tha ai.
Sipas Alimehmetit, për të konfirmuar këtë hipotezë duhen një sërë vlerësimesh nga ekspertët.
“Vetëm me imazherinë nuk vendos dot diagnozë. Ka korrelacion me diagnostikimin klinik dhe laboratorik dhe vendoset diagnoza. Çdo shtet ka protokoll, por ka njëfarë unifikimi. Për të thënë që një rast i janarit ishte Covid-19, nevojitet të shihen kartelat dhe të dhënat laboratorike dhe imazherike. Ndonjë rast mund të jetë pozitiv, por jo aq masiv sa ne të bëjmë një diskutim të tillë”, tha ai.
Lidhur me mundësinë e rënies së virulencës së Covid-19, Alimehmeti tha se pavarësisht raportimeve, nuk mund të flitet me siguri nderi në daljen e studimeve që e provojnë atë.
“Ajo që ne mund të shohim qartë është që numri i të infektuarve totalë është në rënie kudo në zonat e prekura. Pra kurba e epidemisë ishte rreth 10 javë, dhe ngrohja e motit ndikon jo pak. Pritej që do të binte. Sa i përket simptomave më të lehta te pacientët e rinj ka raportime sporadike nga Italia, zona e Marche, ku deklarojnë se muajin e fundit nuk ka pasur asnjë pneumoni intesticiale të diagnostikuar. Ata hedhin hipotezën se mund të kemi një ulje të virulencës, por merreni me rezerva, pasi nuk ka studime që e provojnë këtë”, tha ai.
Sipas tij, ecuria e pandemisë në Shqipëri nuk jep shumë informacion, por sidoqoftë, shifrat tregojnë zbutjen e saj.
“Në Shqipëri, kurba nuk është shfaqur kurrë. Shifra ka qëndruar mesatarisht nga 10 deri në 30 të infektuar në ditë. Është një ecuri e rrafshët, që nuk na informon shumë. Por fakti që kemi kaq pak raste është një lajm i mirë. Por nuk është ky indikatori që duhet të shohim, është numri i të sëmurëve rëndë, sa kemi në shërbimin intensiv. Në këtë shërbim ka shumë pak dhe ka 10 ditë pa raste vdekjeje. Kjo tregon për zbutjen e numrave totalë”, tha ai.
Add new comment