Obsesioni me burgun që po çon në tërheqjen(?) nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut
Qeveria e Shqipërisë duket e vendosur që të miratojë ndryshimet e reja në Kodin Penal që në thelb udhëhiqen nga parimi: burg për ata që shkelin rregullat e vendosura gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
Ndonëse është e qartë se në Kuvend mungon konsensusi për këtë, shtysa kryesore e këtyere ndryshimeve është frika e kryeministrit të vendit. I cili po e fut vendin në qerthullin e një politike penale që as e zbaton dot, as i merr ndonjë benefit, përveçse kryen një akt deklarativ kërcënues ndaj qytetarëve të tij. Dhe e bën këtë gjë ndërkohë që çdo masë që propozoi dhe miratoi në kuadër të pandemisë aktuale, nuk ju kundërshtua aspak nga shumica e qytetarëve. Një arsyetim që sillet rreth kësaj qasjeje është nevoja e shtrëngimeve penale ndërkohë që paralajmërohet lehtësimi i masave. Por zoti Rama e ka provuar ashpërsimin e politikës penale edhe më herët dhe nuk është se ka patur sukses.
Në çdo rast, ajo që ka vlerë janë pasojat që prodhon ky ndryshim sidomos në kuadrin e të drejtave të njeriut. Dhe kritika e parë e organizuar nuk ka vonuar. Në një material të vetin, Fondacioni Soros e kritikon kuadrin e ndryshimeve për një sërë arsyesh që nisin që nga kundërvënia që ato krijojnë “me politikën penale të ndjekur nga Këshilli i Ministrave nëpërmjet miratimit të Aktit Normativ Nr.7, datë 23.3.2020 “Për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi të të dënuarve”.
Vazhdojnë me thirrjet e organizatave të ndryshme për “uljen e popullatës në sistemin e burgjeve, për shkak të rrezikut të shtuar që kanë shtetasit e privuar nga liria në institucionet e mbyllura për t’u prekur nga Covid 19”.
Apo me faktin kushtetues se:
Dënimi me burgim, duke konsistuar në një privim të lirisë, është konceptuar në të drejtën penale, edhe në kuptim të parimit të favor libertatitis, si extrema ratio. Pra, duke qenë se dënimi me burgim passjell sakrifikimin maksimal të lirisë personale të personit, kjo e fundit e mbrojtur nga Kushtetuta, ai është konsideruar nga ligjvënësi si masa e fundit shtrënguese si dhe dënimi më i rëndë ndër dënimet kryesore.
Qëndrimi i mësipërm rekomandohet edhe nga Dokumenti informativ i Këshillit të Europës SG/Inf(2020)11 7 Prill 2020 i cili parashtron se: “Neni 5.1(e) i KEDNJ specifikon se parandalimi i përhapjes së sëmundjeve ngjitëse është një prej arsyeve, për të cilat një person mund të privohet nga liria e tij. Para marrjes së kësaj mase, shtetet pritet të kontrollojnë nëse ekziston një bazë ligjore relevante dhe të shqyrtojnë nëse masat që çojnë në privimin e lirisë janë rreptësisht të nevojshme përkundrejt masave të tjera alternative më pak shtrënguese
Është e dukshme pra se Fondacioni, që është një ndër partnerët e qeverisë në hartimin e kuadrit të refomës së shumëdebatuar në drejtësi, këtu shfaqet kundër saj. Dhe sjell argumente që kryesisht kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, ato të drejta që siç vihet re sakrifikohen në emër të sigurisë.
Le të shohim me kujdes paragrafin e Konventës Kuadër të KEDNj që nënvizon jo pa arsye se burgosja në kushtet e pandemisë, ndonëse është një masë e pranueshme, duhet të aplikohet vetëm nëse është rreptësisht e nevojshme. Jemi në këto kushte në Shqipëri? Deri më tani Jo. Vetëm kryeministri ka deklaruar dashurinë e tij për shqiptarët dhe karantinimin e tyre. Një gjë të tillë e vuri në dukje sot edhe Presidenti kur theksoi në një intervistë televizive se çdo ndyrshim në Kodin Penal duhet të udhëhiqet nga qëllime pozitive dhe të ketë përputhshmëri me KEDNj. Në rrugën e nisur duket se qeveria do të përplaset me klauzolat e KEDNj, të cilën po do ta injorojë përderisa konsideron masa të tilla.
Një ndihmë qeverisë i ka ardhur andej nga nuk e priste. Ish-gjyqtari i Gjykatës së Strasburgut, Ledi Bianku sugjeron në LinkedIn që Shqipëria të bëjë një deklaratë pranë Këshillit të Europës përmes së cilës të njoftojë “derogimin nga disa të drejta në kushtet kur nuk i zbaton dot”.
Kjo thotë Bianku do të shmangte dënimin nga Strasburgu nesër. Çfarë do të bëjë qeveria? Do të rendë drejt amendimeve të Kodit që udhëhiqen nga nocioni Burg, apo ndoshta do të rishikojë me kujdes amendimet për të mos e çuar rendin juridik në kufijtë e ekzistencës së demokracisë për hir të një situate që është e përkohshme.
Vullneti i z. Rama është për këtë të fundit, por nuk ka patur asnjë shtetar të rëndësishëm që të ketë patur si refleks politika penale rënduese. Dhe kjo është një përvojë që na flet shumë për kohën tonë.
Add new comment