Garancia sovrane, ose t'i marrësh me një dorë e t'i japësh me tjetrën

Postuar në 08 Prill, 2020 14:17

Presidenti i Kosovës Hasim Thaçi falenderonte sot në Facebook presidentin e Turqisë, Erdogan për ndihmën e dhënë në këtë situatë pandemie. Ndihma është logjistike, njësoj si puna e ambulancave që erdhën në Shqipëri. Pra po flasim për solidaritet për gjëra bazike. Pak ditë më parë u bë e njohur se SHBA i dhuruan Shqipërisë 30 mijë teste për koronavirusin.

Qeveria u detyrua ta pranojë një gjë të tillë, ndonëse preferon të shesë një gjë që nuk e ka: aftësinë për ta përballur këtë situatë me organizimin e vet. Kryeministri Rama i pyetur dje në RTSh për masat e marra dhe ekonominë, preferoi të fliste për të parën, por jo për të dytën. Ai ka miratuar një garanci sovrane që u thotë bankave jepni kredi biznesit të madh për fondin e pagave se dal unë garant. Por vetëm për principalin dhe jo interesin. Pyetja këtu është se përse bankat do bëjnë kasierin e qeverisë, ndërkohë që nuk është e qartë sesi janë të ndërlidhura interesat e aksionerëve të bankave me bizneset që preken më shumë nga kriza. P.sh ta ilustrojmë përmes vendimit të qeverisë për të shpërndarë te bankat fondin e garancisë.

Kur biznesmeni Samir Mane bleu Tirana Banka, u kërkua mendimi i Autoritetit të Konkurencës sepse ndoshta Mane mund të favorizonte veten përmes kredive të ndryshme. Sot fondi i garancisë dhe shpërndarja e tij në formën e kredive për biznese të ndryshme do të monitorohet nga një strukturë e posaçme që ngrihet me urdhër të kryeministrit.

Por vallë nuk po financojmë të gjithë fondin e pagave të të njëjtëve biznesmenë që gjatë gjithë kohës përfitojnë kontrata të favorshme?

Ne e dimë të gjithë se çfarë do të thotë një strukturë e posaçme e ngritur me urdhërin e kryeministrit. Është po ky kryeministër që në Facebook e vet marketonte rrugë dhe projekte me 20 milionë euro kilometri, kurse sot po lyp lart e poshtë maska dhe kite testimi. Duke mos lejuar në asnjë rast nismën e lirë që ta plotësojë këtë boshllëk dhe nevojë. Nga ana tjetër edhe kontratat koncesionare të rrugëve janë me garanci sovrane sepse buxheti i shtetit do paguante këstet çdo vit, e megjithatë bankat nuk u shfaqën të interesuara për të financuar? Pse vallë do ta bëjnë tani një gjë të tillë? Sa është borxhi që qeveria u ka subjekteve private tani që flasim?

Janë pyetje që do të dalin përpara shumë shpejt, por z. Rama i intereson për momentin shfaqja e heroit, e doktor Gjilpërës që shpëton fukaranë, pasi siç e dimë puna e lekëve është shumë private. Ne thjesht shohim të gjithë faktin që dihet se qeveria është e varfër, por jo ministrat dhe kryeministri. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.