"Promemoria" e lugës bosh
Zv. kryeministri Erjon Braçe paralajmëron sot biznesin e madh që të mos largojë njerëzit nga puna sepse sipas tij Kodi i Punës mbron këta të fundit. Përmes një postimi në Facebook, Braçe citon ndër të tjera:
Kodi i punës është i tillë:
Unë jam në punë, por nuk kam firmosur kontratë pune, pagën e tërheq në bankë. Pra, Unë jam në punë dhe kam firmosur kontratë pune pa afat. Pronari mund të më largojë nga puna, sepse nuk ka para (Neni 144, Pika 3) por duhet:
Të më njoftojë hap pas hapi që do të më largojë nga puna (Neni 144, Pika 1). Kjo zgjat 1 javë.
Të më paguaje për një periudhë kohe (Neni 143, Pika 1):
5 ditë sepse jam brenda 3 mujorit të parë të punës;
2 javë sepse kam mbi 3 muaj që punoj këtu (nuk kam mbushur ende 6);
1 muaj sepse kam mbi 6 muaj që punoj këtu (nuk kam mbushur ende 2 vjet);
2 muaj sepse kam mbi 2 vjet që punoj këtu (nuk kam mbushur ende 5 vjet);
3 muaj sepse kam mbi 5 vjet që punoj këtu.
Të më japë shpërblim vjetërsie sepse kam mbi 3 vjet që punoj këtu (Neni 145)
Unë përfitoj pagesat për:
5 ditë, kur jam brenda 3 mujorit të parë të punësimit
3 javë, kur jam brenda 6 mujorit të parë të punësimit
1 javë + 1 muaj kur kam mbi 6 muaj punë por nuk janë mbushur ende 2 vjet
1 javë + 2 muaj kur kam mbi 2 vjet punë por nuk janë mbushur ende 3 vjet
1 javë + 2 muaj + 1.5 muaj kur kam mbi 3 vjet punë, por nuk janë mbushur ende 5 vjet
1 javë + 3 muaj + 2.5 muaj kur kam të paktën 5 vjet që punoj këtu
Nëse pronari nuk më njofton, unë kam te drejte ta padis atë ne gjykate! Gjykata do ta detyrojë pronarin të më paguaje nga minimumi 2 paga deri në maksimumi 12 paga (Neni 146, Pika 3). B. Unë jam në punë dhe kam firmosur kontratë pune me afat. Pronari nuk mund të më largojë nga puna përpara përfundimit. Nëse me largon nga puna, unë kam të drejte ta padis në gjykate!
Shqetësimi i ngritur është i dyfishtë.
Së pari me faktin se rrezikohet shtim papunësie, e dyta sepse largimi nga puna ul kontributet në shtet.
Zoti Braçe nuk thotë gjë të re. Luga e tij është bosh si përherë. Sepse nëse ka një shkurtim të numrit të të punësuarve kjo reflekton edhe pasigurinë e krijuar nga paketa e ndihmës së qeverisë. Dhe kjo është përgjegjësi politike.
Nga ana tjetër Kodi i Punës flet për Punën, jo ndalimin e saj për shkaqe që nuk varen nga punëdhënësi. Ndaj nuk është e qartë nëse dispozitat që referon z. Braçe vlejnë në situatën e tanishme që është ndryshuar me vendim të kësaj qeverie.
Nga ana tjeër, z. Braçe tregohet tinzar sepse e di fare mirë se largimi nga puna në këtë moment po bëhet për të shmangur pagesën e detyrimeve në një kohë kur nuk ka punë. Kjo mund të jetë e padrejtë apo gjithçka tjetër, por është manovër jetike për një pjesë të biznesit që do të mbijetojë. Duket sikur biznesi i madh e ka më të lehtë këtë situatë, por në natyrë ka një ligjësi që sistemet sa më të ndërlikuara aq më të brishta janë. P.sh është provuar se bakteret janë më rezistentet edhe në kushte ekstreme.
Nuk mundet që një njeri i qeverisë të apelojë ndaj biznesit duke u bërë zëdhënës cinik i punëmarrësve, ndërkohë që ka pranuar të mbyllë gjykatat dhe më keq, me votën e vet ka paralizuar sistemin gjyësor me një reformë që nuk po i dihet fundi dhe çdo sherr kontrate punëmarrës-punëdhënës do të zgjidhet vetëm në gjyqësor.
Promemoria drejtuar punëmarrësve është në fund edhe një larje duarsh, pasi të gjithë e dimë sesa zgjat një process gjyqësor për çështje si kjo e punës, e që kërkon vendim të shkallës së dytë për t’u ekzekutuar. Ndaj më mirë ai ministri tjetër, Ahmetaj që pranoi se me 4 muaj shkojmë në kolaps. Të paktën të përgatitemi për të keqen pa receta të gënjeshtërta.
Add new comment