Edhe në Shqipëri ka patur raportime për pneumoni atipike, por nuk provohet lidhja me CoVid -19
Mjeku epidemiolog, Dritan Ulqinaku, thotë se masat kufizuese duket se po mbajnë nën kontroll përhapjen e epidemisë. Në një intervistë në studion e TvT, Ulqinaku tha se numri i rasteve të reja tregon se masat deri tani e kanë dhënë efektin, por ato duhet të vijojnë të ndiqen me përpikmëri.
“Është mirë të kemi frikë, të menaxhojmë frikën, të kontrollojmë sjelljet tona humane. Ne vazhdojmë të kemi raste të reja. Deri tani, masat e kanë dhënë efektin. Që sistemi të mos bjerë në kolaps, duhet të kesh aq raste sa i përballon reanimatori”, tha ai.
Lidhur me gripin e stinës, sipas Ulqinakut, piku ka qenë mesi i shkurtit. Megjithatë, ai theksoi se simptomat e gripit të stinës mund të ngatërrohen me ato të Covid-19 dhe i vetmi që mund të japë përgjigje të saktë është laboratori.“Ka pasur mesatarisht 24 mijë të prekur në javë. Piku ka qenë diku nga mesi i shkurtit”, tha ai.
Ndërsa në lidhje me rastet e pneumonive, të raportuara në numër të shtuar në muajt e fundit të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, Ulqinaku tha se edhe në Shqipëri ka pasur të tilla.
“Ka shumë kolegë që flasin për pneumoni atipike. Por askush nuk mund ta thotë se ato vinin si rezultat i Covid-19. Pra, mbeten hipoteza dhe asnjëherë nuk bëhen teza”, tha ai.
Ulqinaku theksoi rëndësinë e respektimit të masave kufizuese, si mënyra më e mirë për të mbajtur një kontroll të moderuar mbi Covid-19 nga autoritetet shëndetësore, ndërsa shtoi se më vulnerabël për t’u prekur janë ata që e kanë kaluar gripin e zakonshëm.
“Vdekshmëria 3%, Italia e ka 10. Ne fitojmë kohë për të ruajtur sistemin shëndetësor, për daljen e ilaçit të ri që e lufton. Ka shumë kompani në garë për të nxjerrë ilaçin dhe vaksinën. Ata që kanë kaluar gripin janë më të favorshëm për t’u prekur. Mushkëria nuk forcohet nga gripi, ajo dobësohet”, tha ai.
Duke parë përvojën e disa vendeve fqinje, Ulqinaku la të kuptohet se ngritja e temperaturave mund të sjellë njëfarë frenimi të epidemisë.
“Natyra bën mrekulli dhe nganjëherë shkenca nuk arrin ta shpjegojë, si rasti i SARS-it, që nuk u mor vesh nga erdhi dhe si u zhduk. Por është fakt se vendet që kanë temperaturë 5-10 gradë më të lartë kanë një situatë shumë më të qetë”, tha ai.
Add new comment