Ndoshta të gjithë fituan diçka. Po Isa Mustafa dhe LDK, çfarë fituan?
Kryeministri i rrëzuar i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar sot se mocioni i djeshëm provokoi një rënie të domosdoshme.
Ishte kjo një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme. Pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje. Jo se e kemi ditur, gjithsesi e morëm vesh.
Mbledhja e djeshme e kuvendit do të ishte mirë të mbahej mend gjatë. Mirëpo, nuk do të ndodhë kështu, sepse ne do të fitojmë. Pra, e ardhmja është e jona, ndërkohë që do ta humbim një tragjedi.
Ky kuvend nuk e beson këtë qeveri sepse i nënshtrohet qeverisë si të tillë. Qeveria jonë nuk e beson këtë kuvend sepse e dashuron kuvendin si të tillë.
Saktë e kishte thënë mbrëmë Prof. Enver Hasani: mosbesimi ishte koniuktural. Kur përfaqësimi demokratik bie në koniukturë politike, tjetërsimi bëhet normë.
Qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes. Ndërkaq kuptimi i mosbesimit ishte porosia ambasadorit Grenell: në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial.
Do të vazhdojmë si qeveri në detyrë. Jemi qeveri me detyra dhe jo qeveri e detyruar.
Para së gjithash, duhet ta luftojmë bashkë pandeminë Covid-19. Mbi të gjitha, le t’i rrimë popullit afër se Kosova është shtëpia jonë
shkruan Kurti.
Ai ka lënë të kuptohet se tashmë beteja elektorale është e hapur dhe se aleanca e panatyrshme me një parti vegjetative si LDK-ja, e cila nuk përfaqëson më asgjë veç kujtimit të të ndjerit Rugova, nuk kishte të ardhme. Pyetja që bëhet sot është: çfarë fitoi Kosova me këtë që ndodhi? Ndoshta një të ardhme pa establishmentin e banditëve që e kanë qeverisur këto vjet?
Fitoi ndoshta edhe një shans për Vetëvendosjen që të mos e shohë shtetndërtimin si aventurë ideologjike, ndërkohë që pyetja që vështirë se merr përgjigje është: Po LDK-ja, Isa Mustafa çfarë fituan? Një rrahje shpatullash nga ambasadori amerikan, e ndonjë telefonatë nga Grenell. Kaq e marrim me mend. Ja dhe shkeljen e syrit të Thaçit se ai do mandatohet për krijim qeverie. Po çfarë qeverie do të jetë ajo?
Add new comment