Proamerikanë si këta

Postuar në 24 Mars, 2020 21:51

Kosova po eksperimenton së fundmi një shfaqje origjinale të marrëzisë shqiptare në kohë të një krize globale. 
Arsyeja e sulmit për përmbysje të organizuar të qeverisë së Albin Kurtit, frymëzuar dhe dirigjuar nga amerikanët është shndërruar në një sebep gati qesharak. Qeveria ka vendosur kufizim lëvizjeje dhe për gjendjen e jashtëzakonshme ka patur dallim qëndrimesh mes kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm, Agim Veliu i Lëvizjes Demokratike të Kosovës. 

Në një dalje për mediat, Veliu kundërshtoi Kurtin publikisht duke provokuar qartë vendimin për shkarkim, pasi një vendim i kryeministrit nuk mund të sfidohet në këtë mënyrë. 

Veliu u shkarkua dhe hiena e politikës kosovare, Isa Mustafa doli në skenë duke deklaruar mocion mosbesimi për partnerin e vet në koalicion. Përmes një deklarate të bërë tashmë publike, Mustafa ka bërë të qartë se arsyeja kryesore e përplasjes në këtë fazë është antiamerikanizmi i Kurtit, një argument mjeran dhe qesharak që mund të dalë vetëm në vende po kaq mjerane dhe qesharake si Shqipëria apo Kosova. Vetë kryeministri ka replikuar duke thënë se ai ka fituar në një popull që është më proamerikani, ndaj akuza nuk ka sens. 

Por kjo nuk mbaron. Lëvizja ka marrë profilin e një rebelimi të hapur kur presidenti i Republikës, Hashim Thaçi ka çuar në Gjykatë Kushtetuese vendimin e qeverisë për kufizim lëvizjeje, me argumentin se kjo mund të rrjedhë vetëm nga shpallja e Gjendjes së Jashtëzakonshme. Këtu kemi një interes të pastër politik të Thaçit. Ai referon nenin 56 duke anashkalur nga vëmendja publike se Gjendja e Jashtëzakonshme i jep atij të drejtën për të kryesuar mbledhjet e Këshillit të Sigurisë. 

Mund të ecet gjatë në këtë lloj analize aktesh që çojnë në nevojën imediate të largimit të Albin Kurtit nga qeverisja. Ambasadori i ShBA në Kosivë, Kosnett u bë i gjallë pas kaq kohësh duke diskredituar veten teksa shprehu gëzim për seancën e mocionit pasi sipas tij të gjithë duhet të zbatojnë ligjin dhe Kushteutën. 

Është një lojë që luhet në kurriz të shqiptarëve pasi nuk eci bllofi amerikan i largimit të trupave ushtarake. Dhe në kërkim të një zgjidhjeje, amerikanët kanë zgjedhur Mustafën dhe Thaçin ndërkohë që Kurtin e zgjodhën shqiptarët. Njësoj si në Shqipëri, shikoni kush janë miqtë shumëpërdorimësh të amerikanëve. 

Sigurisht, nëse Kurti ka vepruar në shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës ai meriton të largohet sa më parë, por me faturën e një sjelljeje antidemokratike dhe jo me akuzën bajate, karnevaleske të të qenit një çikë kokfortë me amerikanët, apo thënë ndryshe jo aq i shtrirë në këmbët e tyre se mustafët e thaçët e pambarimtë të këtij kombi. 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Asnje nga politikanet kosovare ka vizion per te ardhm,en, sepse ata i mbyt edhe vete klima nacionalisto-folklorike e vete kosovarve! Kjo e ka demtuar politiken kosovare!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.