Mendimi po anon nga Testimi masiv. Karantina e zgjatur, njësoj si të ofrosh vetëvrasjen si kurë
Trajtimi dhe reagimi ndaj pandemisë ka ndarë tashmë edhe njerëz të njohur të botës akademike. Askush nuk di me siguri se çfarë duhet bërë, për medikamentet bota mbarë është lëshuar në eksperimentin live mbi pacientët duke mbështetur këtë me sforco të mëdha përmes ventilimit dhe intubimit të pacientëve në gjendje kritike.
Skenari i paralajmëruar është realitet. Progresi i shkencës ngjan tërësisht i mbivlerësuar në sytë e njerëzve të thjeshtë. Përgjigjet që jepen, evazive dhe me një shije gënjeshtre brenda.
Askush – ndoshta përveç solidaritetit të mjekëve në Itali – nuk po ndihmon realisht. Ja dy shembuj. Laureati i çmimit Nobel, Michael Levitt, një profesor në Stanford, thotë se e gjithë zallamahia për Co Vid 19 është e fryrë dhe nuk mbështetet nga shifrat.
Ajo çfarë kemi nevojë është të kontrollojmë panikun. Në skemën e madhe ne do të jemi mirë
thotë ai për LA Times.
Gazeta citon një raport të tij të shkurtit të vitit 2020, ku parashikone se nisur nga të dhënat e mbledhura, epidemia në Kinë do të përfundonte me rreth 80 mijë të prekur dhe rreth 3250 të vdekur. Çka u konfirmua në mënyrë thuajse matematikore.
Sipas tij kurba rënëse ka nisur të duket thuajse në shumë vende të goditura, ndërkohë që për rastin e Italisë ai spekullon se aty ka probleme me mosvaksinimin ndaj gripit sezonal. Rritja eksponenciale e virusit ndodh kur nuk gjurmohet. Këtu vjen në vështrim rasti koreanojugor ndërkohë që sipas Levitt pati rritje kur njerëzit nuk deklaronin se kishin qenë në vende të prekura.
Situata nuk është aq e tmerrshme sa e paraqesin
thotë ai.
Ndërkohë në një shkrim tjetër, profesori i Universitetit të Edinburgut, Devi Sridhar apelon për adoptim të modelit koreanojugor të testimit masiv.
Ai jep pesë arsye për këtë mendim të tijin në publikimin e vet në Foreign Policy.
Së pari sepse njerëzit priren të izolohen me vullnet nëse konfimrohen se kanë virusin, së dyti, për të shkëputur zinxhirin e transmetimit, së treti për të planifikuar saktë nevojat spitalore, së katërti sepse testimi gjurmon bërthamat e infektimit dhe së fundi se edhe raportrimet e OBSh-së nuk i përgjigjen realitetit.
Ka pra dy mendime, sikundër për medikamentet jemi në fushën e spekullimeve dhe eksperimentimit. Edhe në Itali, Corriere della Sera dje sugjeronte se modeli koreanojugor është optimal edhe pse vjen me rrezikun e cenimit të privatësisë dhe në vende si yni krijon premisa të rrezikshme antidemokratike.
Në Shqipëri qeveria teston sipas ankesave dhe ka shpallur karantinën. Numrat po rriten, por duhet thënë se ato janë në kurbën e verifikuar edhe në vende të tjera, ndërkohë që karantina ka funksionuar mirë. Nga kjo pikëpamje, tani që po afron data 3 prill, pra 21 ditëshi i kufizimit, është e udhës që qeveria të ketë një plan tjetër për të vazhduar luftën. Dhe testimi i shtuar, në mos masiv është patjetër një opsion që duhet marrë në konsideratë. Ka edhe një arsye politike tashmë për këtë. Njeriu më i alarmuar në Shqipëri për pandeminë është kryeministri. Ndaj çdo hezitim për të luftuar në mënyrën më optimale pandeminë do të konsiderohej mungesë serioziteti dhe paaftësi në rastin më të mirë, mosveprim me pasoja serioze për shëndetin publik në rastin më të keq.
Testimi eliminon edhe propozimin absurd të opozitës për shpallje të gjendjes së fatkeqësisë natyrore kur është tashmë ekonomia që do të zërë vendin kryesor në sfidat e vendit. Konkretisht kjo po duket kudo, teksa edhe Trump në SHBA ka njoftuar se do të rishikojë strategjinë pas 15 ditësh, duke lënë të kuptohet se njerëzimi nuk mund të arratiset nga një sëmundje duke kërkuar shpëtim te vetëvrasja.
Add new comment