Mbreti i Spanjës heq dorë nga trashëgimia. I ati fsheu fonde në parajsa fiskale

Postuar në 16 Mars, 2020 15:14

Mbreti Felipe VI i Spanjës hoqi dorë nga trashëgimia e ardhshme personale nga babai i tij dhe i hoqi atij  shtesën e pensionit, pas dyshimit se ish-monarku ka fshehur miliona euro në parajsat fiskale. Mbreti Felipe vendosi "të heqë dorë nga çdo trashëgimi që i takon nga Juan Carlos, si dhe çdo aksion, investim ose strukturë financiare, origjina, karakteristikat ose qëllimi i të cilit mund të mos jenë në përputhje me ligjin", thuhet në një deklaratë të publikuar online nga pallati mbretëror.

Mbreti Felipe ka mohuar të ketë njohuri se mund të jetë përfitues financiar i një fondacioni të quajtur "Zagatka" ose se ka pasur ndonjë lidhje me një fondacion tjetër, të quajtur "Lucum", siç raportohet nga gazeta britanike “Daily Telegraph”. Kjo e fundit më 14 mars raportoi se Felipe ishte përfitues i një fondi të regjistruar offshore prej 65 milionë eurosh (73 milion dollarë), që Arabia Saudite i dha Juan Carlos kur ishte në fron.

Vendimi i Felipe është një tjetër goditje për reputacionin e dëmtuar tashmë të babait të tij dhe sinjalizon shqetësimet e pallatit për mënyrën sesi biznesi i tij mund të dëmtojë monarkinë. I cilësuar si hero në rezistencën ndaj një grushti shteti kundër demokracisë së re në Spanjë në vitin 1981, Juan Carlos është kritikuar shpesh gjatë viteve të fundit të mbretërimit të tij. Ishin akuzat për korrupsion kundër bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, që çuan në heqjen dorë nga froni në 2014.

Fondi Saudit nxiti spekulimet në Spanjë, ku u tha se vetë mbreti kishte marrë pagesa të paligjshme.

Motra e Felipe, Cristina, në vitin 2014 ishte e para nga familja mbretërore që u përball me akuzat penale në gjykatë që nga rikthimi i monarkisë në 1978. Ajo u mor në pyetje në lidhje me dijeninë që kishte mbi çështjet financiare të bashkëshortit të saj, Inigo Urdangarin, një ish-lojtar olimpik dhe drejtues në Telefonica SA. Ai tani është në burg për përvetësim të fondeve publike.

Popullariteti i Juan Carlos pësoi goditje të madhe në prill 2012, kur u raportua se ai kishte shkuar në Botsvana për gjueti elefantësh, në një kohë kur vendi ishte në krizë financiare. Ai u detyrua t'i kërkonte falje popullit spanjoll në një transmetim televiziv.

Presioni ndaj tij u rrit pasi dolën lidhjet midis aktiviteteve të biznesit të dhëndrit të tij dhe udhëtimit të tij në Botsvana. Ish-mbreti shoqërohej nga Corinna zu Sayn-Wittgenstein, një aristokrate gjermane që tha në një intervistë në gazetë se ajo kishte një "miqësi intime" me mbretin. Ajo gjithashtu tha që Juan Carlos i kishte kërkuar asaj t’i gjente një vend pune për dhëndrin.

Ish-mbreti u tërhoq nga jeta publike vitin e kaluar. 

Bloomberg/TvT 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.