PD-ja propozon Parlament me dy dhoma
Partia Demokratike ka vendosur më në fund në tryezë një propozim konkret për reformën zgjedhore. Në një takim me të rinj dhe intelektualë kryetari i saj, Lulzim Basha ka prezantuar platformën për reformimin e sistemit që përfshin edhe krijimin e një parlamenti me dy dhoma.
Ndryshimi i parë, kontroll të plotë kushtetues dhe ligjor mbi kandidatët, që të jenë të pastër dhe me integritet. Kontrolli të bëhet nga një organizëm i pavarur. Ndryshimi i dytë, tolerancë zero për ata që përfshihen në shitblerjen e votës. Edi Rama i ka mbrojtur dhe promovuar, ne do t’i çojmë në burg. Ndryshimi i tretë, financimi i partive, që ato të mos varen nga biznese dhe individë të pasur.
Politikanët të varen nga njerëzit dhe të kontrollohen prej tyre. Kush financon partitë, përjashtohet nga marrja e tenderave publikë pas zgjedhjeve, që të mos përfitojnë për shkak të donacioneve për partitë. Ndryshimi i katërt, identifikim, votim dhe numërim elektronik. Do t’i bëjë zgjedhjet më të ndershme dhe rezultatin më të shpejtë. Ndryshimi i pestë, sistemi. Ne duam një sistem të thjeshtë, të qartë, përfaqësues. Një sistem, që i kërkon llogari qeverisë”, theksoi Basha.
Parlamenti me dy dhoma nuk rrit koston për qytetarët, por ndryshon mundësinë për t’u shërbyer njerëzve në mënyrë pozitive. Arroganca dhe presioni i qeverisë nuk do të funksionojnë më për një parlament të fuqizuar me dy dhoma. Qeveria duhet të kërkojë konsensus me të dy dhomat
tha ai.
Po kështu Basha ka kërkuar që deri në momentin e anëtarësimit në BE, zgjedhjet në Shqipëri t’i administrojë një qeveri kujdestare që krijohet 100 ditë para datës së votimit. Një propozim i tillë do të thotë edhe shkrirje e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Add new comment