Arkivat/Vatikani ndihmoi arratisjen e nazistëve pas Luftës së Dytë Botërore
Lufta e Dytë Botërore kishte vetëm tre vjet që kishte përfunduar, në Gjermaninë Perëndimore në vitin 1948 hyn në fuqi plani Marshall, kur njëri nga kriminelët më të mëdhenj nazistë arrin të arratiset nga burgu në Linc të Austrisë: Franz Stangl, ish-drejtues i lartë i forcave SS dhe komandant i kampit të shfarosjes së hebrenjve në Sobibor dhe Treblinka, përgjegjës për vdekjen e afro një milion hebrenjve. Stagl marshon në këmbë nëpër Grac e Merano për në Firence. Destinacioni i tij është 300 kilometra më në jug: Roma, kryeqyteti i Italisë, por mbi të gjitha selia e Vatikanit. "Ju duhet të jeni Franz Stangl, jam duke ju pritur", e përshëndet atje peshkopi i Romës Alois Hudal dhe e pajis Stangl-in me dokumente false. Me to Franz Stangl ikën për në Siri, ku tërheq edhe familjen, dhe në vitin 1951 kalon nga Damasku në Brazil. Njeriu, që perfeksionoi vrasjet masive në kampet e përqëndrimit, për vite me radhë monton automobila tek Volkswagen në afërsi të Sao Paulo.
Franz Stangl
Austriaku Franc Stangl është një prej mijëra kriminelëve dhe kolaboratorëve nazistë të luftës, që arrijnë të arratisen me ndihmën e kishës. Përmes së ashtuquajturit tuneli i minjve: Nga Innsbruku nëpër Alpe për në Merano apo Bolzano për në Tirolin e Jugut, pastaj në Romë dhe që andej në qytetin port italian Gjenova. Stangl zgjedh rrugën përmes Sirisë, shumica e nazistëve ikin me anije në Amerikën e Jugut, në rradhë të parë në Argjentinë – "Kepi i shpresës së fundit" për nazistët, siç shprehej autori dhe i mbijetuari i Holokaustit Simon Wiesenthal.
Jo një plan i përpiktë, më tepër një bashkëpunim spontan
"Shtegu i minjve nuk ishte një sistem i mirëstrukturuar, por përbëhej nga shumë komponentë të veçantë", thotë historiani Daniel Stahl nga katedra e historisë së re dhe moderne të Universitetit Friedrich-Schiller në Jena. "Ai ishte më shumë një bashkëpunim spontan i institucioneve të ndryshme, që është zhvilluar pak nga pak pas Luftës së Dytë Botërore." Aty hyn fillimisht arratisja për në Itali përmes Alpeve, strehimi për 90 përqind të vrasësve nazistë. Pastaj ndalesa e parë Tiroli i Jugut – në manastirin e urdhërit gjerman në Merano, në manastirin e kapuçinëve françeskanë në Brixen (Bressanone), apo në manastirin françeskan pranë Bozen (Bolzano) – për këtë arsye shtegu i minjve quhet edhe shtegu i manastireve – kriminelët e luftës shpesh fshihen për disa vite, mbledhin para për arratisjen përtej oqeanit. Atje ndodhin nganjëherë edhe situata absurde, autorët e krimeve janë të vendosur direkt pranë viktimave të nazizmit: hebrenj, që duan të shkojnë në Palestinë.
Dhe që andej rruga vazhdon për në Romë – nëse paraqet një letër të kishës katolike për identitetin, pasaporta prej Komitetit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar (ICRC), i cili deri në vitin 1951 lëshon rreth 120.000 dokumente, është vetëm diçka formale. "Vazhdimisht qarkullon rrëfimi, se qysh para fundit të Luftës së Dytë Botërore ekzistonte një plan i menduar mirë dhe i hollësishëm për arratisjen e nazistëve. Por kjo është e gabuar. Edhe një si Franc Stangl u vërdallis fillimisht nëpër Romë, pa e ditur se çfarë do të bënte më tej", shpjegon Stahl. Informacionet përhapen gojë pas goje. Shpesh përmendet shpesh emri i Alois Hudal, i cili më vonë kujton, se shumë nga të përndjekurit kanë qenë "fare të pafajshëm", prandaj ai „ia ka hequr ata nga duart torturuesve të tyre me dokumenta fallso."
Berlini në vitin 1945
Pra i njëjti peshkop austriak dhe ndihmës, i cili gjatë Rajhut të Tretë ishte pozicionuar qartë si simpatizant i nazistëve. Çfarë do të kishte ndodhur, sikur kisha katolike të mos e kishte mbajtur dorën e saj mbrojtëse mbi shumë kriminelë nazistë të luftës? "Për Stangl dhe të tjerët do të kishte qenë shumë më e vështirë për t‘u arratisur", thotë me bindje historiani Daniel Stahl.
Një listë e gjatë e kriminelëve nazistë të luftës, që arratisen përmes shtegut të minjve
Dhe kështu shtegu i minjve me një tjetër ndalesë në Gjenova bëhet një vijë arratie, të cilën më vonë e përdori edhe shërbimi sekret amerikan për të futur spiunë në Bashkimin Sovjetik. Lista e vrasësve masivë, të cilët shkojnë sidomos në Argjentinë (që ishte vendi i fundit në botë, që i kishte shpallur luftë Gjermanisë më 27 mars 1945) është e gjatë:
Adolf Eichmann
Organizatori i Holokaustit arratiset në vitin 1950 me emrin Riccardo Klement nga Bolzano në Argjentinë dhe tërheq më vonë edhe familjen. Madje në shenjë falenderimi për ndihmën e Vatikanit për t‘u arratisur, protestanti Eichmann bëhet anëtar i kishës katolike. Ai punon një farë kohe si elektriçist në një fabrikë kamionësh të Daimler-Benz-it. Në vitin 1960 ai rrëmbehet në një aksion spektakular të shërbimit të fshehtë izraelit Mossad, nxirret para gjyqit në Izrael dhe ekzekutohet në natën e 31 majit duke u gdhirë 1 qershori 1962.
Procesi kundër Adolf Eichmann, Izrael 12 prill 1961
Josef Mengele
Mjeku sadist i kampit të përqëndrimit Aushvic arratiset në Tirolin e Jugut në vitin 1949, ku ndihmësit i sigurojnë një pasaportë të re. Identiteti i ri: Helmut Gregor, 38 vjeç, katolik, mekanik. I lindur në qytetin e verës Tramin (Tremeno) në Tirolin e Jugut. Me këtë identitet Mengele plotëson kushtin më të rëndësishëm për të dalë nga vendi: Si tirolez i jugut, ai konsiderohet gjerman, person pa shtetësi dhe për këtë arsye ka të drejtë për një pasaportë nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC). Mengele qëndron deri sa vdes i patrazuar në Amerikën e Jugut, jeton në Argjentinë, Paraguai dhe Brazil. Më 7 shkurt 1979 ai pëson një infarkt duke bërë not në vendpushimin brazilian Bertioga dhe mbytet.
Klaus Barbie
"Ish shefi i Gestapos i qytetit francez të Lionit, i njohur si „kasapi i Lionit" vendoset nga Rumania në Amerikën e Jugut me emrin Klaus Altmann. Barbie merr me ndihmën e CIA-s në vitin 1951 një vizë për Bolivi dhe merr edhe më tej detyra nga agjencia e inteligjencës së huaj të SHBA dhe nga shërbimi gjerman i inteligjencës BND. Që prej vitit 1970 vendndodhja e tij bëhet e njohur për publikun. Në vitin 1983 Bolivia ia dorëzon atë Francës, ku ai dënohet me burgim të përjetshëm dhe vdes nga kanceri në burg me 25 shtator 1991.
Erich Priebke
Kapiteni SS, i cili ishte bashkëpërgjegjës për masakrën ndaj 335 pengjeve në shpellat Ardeatine afër Romës në vitin 1944, arratiset nga Letonia në Bariloche në Argjentinë me emrin Otto Pape. Autoritetet argjentinase e dorezojnë atë në Romë në vitin 1995, ku tre vjet më vonë dënohet me burgim të përjetshëm dhe vdes në arrest shtëpie më 11 tetor 2013.
Walther Rauff
Rauff ishte shpikësi i makinave për vrasjet me gaz, në të cilat gazrat e makinës shkarkoheshin në brendësi të saj. Sipas urdhrit të arrestit, ai ka kryer të paktën 97.000 vrasje. Në vitin 1949 ai shpëton me gruan dhe dy fëmijët përmes shtegut të minjve duke shkuar në Quito, Ekuador, dhe më pas në Kili. Kërkesa për ekstradim e Republikës Federale të Gjermanisë refuzohet në vitin 1963, sepse krimeve, për të cilat Rauff akuzohej, sipas ligjit kilian u kishte kaluar koha e dënimit. Rauff vdiq nga një infarkt në zemër më 14 maj 1984 në Las Condes, Kili, si fabrikant i pasur i konservave ushqimore.
Çfarë dinte Papa Piu XII për shtegun e minjve?
Historianët kanë grumbulluar shumë fakte për rrugën e minjve, por një pyetje nuk ka marrë përgjigje të qartë edhe sot 70 vjet më vonë. Sa ishte Papa Piu XII në dijeni për këtë? Italiani Eugenio Maria Giuseppe Giovanni Pacelli, që u bë Papë me 2 mars 1939, pak para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore dhe qëndroi Pontifex derisa vdiq me 9 tetor 1958.
Hubert Wolf do që ta zbulojë. Historiani i kishës shkon me 29 shkurt në Romë dhe disa ditë më vonë do të nisë të gërmojë për katër muaj rresht në arkivat e Vatikanit së bashku me dhjetëra kolegë të tjerë nga e gjithë bota. Sepse shteti papal do të hapë me 2 mars të gjitha dosjet e periudhës së Piut. „Është një mundësi e madhe për t'u dhënë përgjigje shumë pyetjeve nga kjo kohë dhe është nje sfidë e madhe. Sepse këtu bëhet fjalë për 300.000, 400.000 njësi arkivore me nga 1.000 faqe secila", thotë profesori për historinë kishtare në Universitetin e Münster-it.
Josef Mengele
Për Wolf një detyrë e tillë herkuliane nuk është gjë e re. Ai ka qëmtuar në arkivat e inkuizicionit dhe indekskongregacionit. "Në krahasim me 400 vjetët e censurimit të librit, 20 vjetët e Piut është e lehtë të shqyrtohen", shpjegon historiani i kishës. Ndodh edhe që tri javë të mos gjesh asgjë të rëndësishme, e të ndeshesh pastaj në një kuti, që është një minierë e vërtetë ari.
Historiani i kishës Wolff shpreson të gjejë përgjigje për shumë pyetje
Hubert Wolf kërkon megjithatë durim. Për një vlerësim të përgjithshëm serioz të arkivave duhen disa vjet. Por disa përgjigje të pyetjeve për tunelin e minjve ai shpreson t'i marrë, sidomos se si zhvillohej komunikimi i brendshëm në kurie: "A ka dhënë Papa udhëzime të drejtpërdrejta, apo mbetej te sugjerimet e përgjithshme, për shembull, që duhet të ndihmojmë njerëzit, që ndodhen pa dokumente. Apo ka me të vertetë të dhëna që Papa, i frymëzuar nga CIA, thotë: Nëse do të mund të dërgonim njerëz të besueshëm nacionalë në vendet e Amerikës Latine, do të ishte mirë, sepse atje veprojnë komunistët, që do të përmbysin tërë kontinentin, shiko Kubën.”
Që Piu XII kishte frikë nga komunizmi, kjo është e njohur, këtu bazoheshin edhe ndihmësit kishtarë të tunelit të minjve: Pavarësisht se çfarë roli luanin nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, ata kishin luftuar komunizmin dhe prandaj duheshin mbrojtur nga përndjekja politike. Komunizmi fundja konsiderohej si kërcënimi më i madh për kishën katolike.
"Mund të ndodhë që Papa nuk dinte asgjë për ndihmën konkrete dhe se disa njerëz e kanë shfrytëzuar pa mëshirë këtë. Ose Piu dinte gjithçka dhe mbyllte sytë", përmend historiani i kishës Wolf dy mundësitë, që mund të rezultojnë nga kërkimet e tij në arkiva, Pra pyetja vendimtare është kjo: "A është manipuluar Papa, apo ai dinte vërtet për njerëz të tillë si Mengele? Kjo do të përbënte atëherë një dimension krejtësisht të ri!"
DW
Add new comment