Cilat para po falen?

Postuar në 02 Mars, 2020 14:57

Kryeministri Edi Rama ka sqaruar sot në Parlament, sipas asaj që ai mendon se është sqarim, amnistrinë e re fiskale dhe penale që pritet të miratohet për pasuritë e paformalizuara. Fjala e kreut të qeverisë paraqet disa probleme serioze për atë që quhet funksionim i shtetit të së drejtës dhe ligjit. 

Së pari z. Rama ka dhënë premtimin solemn se “ligji do miratohet me 84 vota” duke siguruar kështu idenë e vet se amnistia është e pakthyeshme. 

Së dyti, z. Rama thotë se pasuritë e krimit dhe të politikës janë të paamnistueshme. Madje ai premtoi se koha e drejtësisë së madhe po afron. Diçka që nuk i takon një kryeministri ta thotë, sa kohë që flet për një pushtet që me Kushtetutë është i pavarur dhe i ndarë nga Ekzekutivi.

Së treti është objekti i kësaj amnistie që është shumë i paqartë dhe që nuk bind. Ka thënë sot z. Rama ndër të tjera:

Amnistia e përgjithshme penale e fiskale është një masë bipartizane që nuk duhet të ndajë partitë, pasi është në interes të gjithë qytetarëve në emigracion apo atyre që merren me biznes të vogël apo të mesëm në Shqipëri dhe nuk është në interes të askujt prej nesh politikanëve. Amnistia e përgjithshme fiskale dhe penale, do të ketë mbështetje pa dallim ngjyrash, pasi është domosdoshmëri për t’i dhënë të gjithë shqiptarëve që prej 30 vitesh kanë punuar në emigracion apo në vendin tonë, mundësinë që të formalizojnë të ardhurat e tyre nga puna, duke formalizuar ato që nuk i kanë deklaruar dhe duke i futur në bankat e vendit, si dhe të formalizojnë gjithë asetet e tyre

Çfarë do të amnistojë këtu qeveria? Paratë dhe pasuritë e padeklaruara të emigrantëve? Porn ë momentin që këto do të jenë produkt i punës dhe do të deklarohen, do të kërkohet burimi. Dhe burimi është një dokument nga shteti përkatës, në raport me të cilin një emigrant legal ka detyrime të qarta. Kjo që thotë z. Rama e vendos një emigrant përpara një zgjedhjeje që nuk ekziston, pasi nuk mund të legalizosh një pasuri të caktuar dhe shteti ku një njeri jeton dhe banon të mos veprojë.

Nga ana tjetër, nuk dihet nëse z. Rama flet në emër të ndonjë statistike, baze të dhënash, apo ka parasysh atë që mund t’i kenë servirur ata që lobojnë për këtë amnisti. Një emigrant legal në Europë e ka thuajse të pamundur të mos deklarojë paratë që ka, pasi në momentin që do të depozitojë në bankë më shumë sesa ka nga puna, do të kalojë në sitën e organeve të atij vendi. Nuk ka në Europë asnjë mundësi që të kryesh transaksione pasurie pa u deklaruar pranë organeve shtetërore. Asnjë të vetme. Shëribmet publike janë të kushtëzuara me legalitetin dhe jo më kot identiteti kryesor i një shtetasi në raport me shtetin në Europë është numri social. 

Kur vjen puna tek amnistia për biznesin e vogël dhe të mesëm, këtu ne kuptojmë në të vërtetë një ndër arsyet e kësaj amnistie. Zoti Rama po fal ata që janë evadorë fiskalë në vite, që nuk kanë deklaruar të ardhurat e tyre për shkak të taksave. E bën këtë ndoshta qoftë për të fituar një fotografi më të mirë të pasurisë që qarkullon, fluksit monetar jashtë sistemit, por edhe për të rritur në fakt marzhin e të ardhurave në një çast të caktuar. Kjo bëhet për nevoja financiare nuk diskutohet, por edhe për të rritur teorikisht shkëmbimin formal në ekonomi.

Por nga ana tjetër, z. Rama pranon këtu publikisht dhe hapur se filozofia e taksës progresive që u mbrojt me pathos gati ideologjik dhe nga pozitat e një qeverie që sillet si Robin Hudi, pra ua merr të pasurve dhe ua jep të varfërve, DËSHTOI. Sepse përndryshe nëse kjo politikë fiskale do të kishte funksionuar, nuk do të kishim sot nevojë që të kalonim në amnisti.

Zoti Rama shtyhet më tej në pretendimet e veta kur thotë se në një fazë të dytë do të kërkohet që të raportohen edhe pasuri të shqiptarëve jashtë vendit. Nuk dihet si mund të rregullohet një gjë e tillë nga e drejta kushtetuese, por pasuria ka vlerë legale përmes një transaksioni zyrtar në vendin që e merr dhe mosdeklarimi I saj në vendin e origjinës nuk mund të përbëjë kurrfarë shkeljeje. Kur kemi të bëjmë me pasuri legale. Zoti Rama këtu nuk përmend parajsat fiskale sepse hetimi i pasurisë në to do të hapte një kapitull problematik në vend. Por kjo lloj amnistie është pikërisht për këtë pasuri, të cilën z. Rama dhe qeveria e tij nuk ka asnjë mundësi reale ta provojë se nga vjen.

Po përgatitemi dhe për një tjetër nivel që lidhet me nevojën që ka vendi që do të kërkohet të regjistrohen dhe të deklarohen në Shqipëri të gjitha asetet dhe të ardhurat që kanë jashtë vendit. Shteti shqiptar do të ketë detyrimin dhe kapacitetin për të kontrolluar asetet jashtë vendit. Ndaj biznesmenët duhet t’i deklarojnë duke përfituar nga amnistia dhe të mos bëjnë shakara që do t’i kushtojnë shumë shtrenjtë pas amnistisë. Amnistia do të vijë në parlament shumë shpejt, do të konsultohet me grupet e interesit por jo shumë gjatë

tha ai.

A po amnistohen pasuri të vëna nga korrupsioni në administratë? Pasuri të përfituara nga kontrata me shtetin dhe evadime të ndryshme? Nuk dihet. Me gjasë vetëm z. Rama e di se për çfarë po flet, ndërkohë që shumëkush merret me amnistinë në tërësi që mund të jetë në thelb mbulim për një operacion të caktuar financiar.

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Ja une jam emigrant dhe kam marre edhe nenshtetesine e vendit ku kam 25 vjet qe jetoj e punoj. Kam vene pasuri me pune te ndershme dhe nuk ma kercet fare se cfare do apo thote ky. Nuk kam e nuk ndiej asnje detyrim te deklaroj ndonje gje. Perderisa asetet e mia i mbaj jashte shtetit, shteti shqiptar nuk ka pune me djersen time te derdhur ne tjeter vend. E keqja me e madhe, qe nuk dua ta bej, eshte te kerkoj heqjen e nenshtetesise shqiptare.

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Nony, une me asistencen e ketij e shumta mund te blej vetem kartabythen e muajit. Do te bej si te bej e do ta fshi me gazete si qemoti.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.